1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Strategji për zhvillimin ekonomik të Kosovës

Bekim Shehu18 Dhjetor 2006

Sundimi i ligjit, infrastruktura, resurset njerëzore dhe ato natyrore, janë katër shtyllat themelore në të cilat bazohet një dokument strategjik për zhvillimin ekonomik të Kosovës për periudhën 2007 - 2013

https://p.dw.com/p/AraI
Prishtina
PrishtinaFotografi: DW

Këshilli drejtues i strategjisë zhvillimore të Kosovës, shqyrtoi, për herë të parë një plan për zhvillimin ekonomik të Kosovës, i cilësuar si plani marshall për Kosovën. Janë katër shtylla kryesore ku bazohet strategjia e zhvillimit ekonomik të Kosovës. Është sundimi i ligjit, infrastruktura dhe resurset natyrore e njerëzore të vendit. Kryeministri i Kosovës, Agim Çeku, këtë plan të quajtur, plan marshall të zhvillimit ekonomik të Kosovës që përfshin periudhën nga viti 2007-2013, e vlerëson si një plan të qëndrueshëm që sipas tij do t'u jepte përgjigje, sfidave të zhvillimit ekonomik dhe kërkesave të qytetarëve të Kosovës.

Ndërkohë, ekpertët e ekonomisë, vlerësojnë se dokumenti strategjik për zhvillimin ekonomik të Kosovës, adreson problemin e papunësisë. Prosperiteti ekonomik sipas tyre nënkupton vetëm atëherë kur hapen vende të reja të punës.

Sidoqoftë, në Kosovës e pasluftës, zhvillimi ekonomik ka qenë në kuota shumë të ulëta, apo thënë ndryshe i padukshëm. Kjo ka bërë që papunësia në Kosovë të arrijë shifrën mbi 60%. Kjo statistikë është dhënë në raportin e fundit të bankës botërore që sipas raportit afro 15 %, e qytetarëve të Kosovës jetojnë në varfëri të skajshme.

Mirëpo, ekpertët e ekonomisë, thonë se me miratimin e planit strategjik për zhvillimin ekonomik të Kosovës i cilësuar si plan marshall, po hartohet një skenar reformues i rritjes ekonomike të Kosovës që në një të ardhme të afërt mendohet të jetë rreth 5%. Nëse kjo arrihet, ekpërtët e ekonomisë thonë se do të shënohet si një sukses shumë i rëndësishëm i Kosovës. Ky plan marshall, për zhvillimin ekonomik të Kosovës, thonë autoritetet e këtushme do të prezantohet edhe në konferencën e parë të donatorave pas zgjidhjes së statusit. Ata thonë se vetëm zhvillimi ekonomik do ta bëjë të qëndrueshme situatën e pëgjithshme në Kosovë dhe kjo do të ndikojë pozitivisht edhe në zbatimin e marrëveshjes së statusit final të Kosovës.