1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shtypi ne Gjermani

2 Shtator 2005

Temat e përzgjedhura për sot: Uragani në jug të Amerikës, dueli Schröder/Merkel dhe rritja e çmimeve të karburanteve:

https://p.dw.com/p/Aru0
Fotografi: Prager Zeitung

Në gazetën "Frankfurter Allgemeine" lexojmë në lidhje me uraganin Katrina:

"Natyrisht që lejohet të pyesësh nëse autoritetet reaguan aq shpejt sa duhet, nëse përgatitjet ishin të mjaftueshme, nëse mbrojtja nga katastrofat dhe rrjeti i shpëtimit funksuonuan. Por këtu jo vetëm për arsye të përmasave të uraganit duhet pasur kujdes me përgjigjet e instrualizueshme politikisht; edhe federalizmi amerikan dhe veçoritë sociale të jugut të vendit ndikojnë. (...) Presidenti Bush nuk do ta rihartojë edhe një herë presidencën e tij dhe t'ia përshtasë krejtësisht ndihmës për rastet e katastrofës. E megjithatë ai vetë dhe kongresi nuk do të mund t'i bëjnë bisht vendosjes së prioriteteve të reja për arsye të nevojës së jashtëzakonshme për financim nga ana e pushtetit qendror dhe atij në shtetet e veçanta amerikane. Pasojat mund të shtrihen nga politika energjetike e deri edhe tek Iraku."

Për të njëjtën temë lexojmë në gazetën "Financial Times Deutschland":

"A kanë nevojë amerikanët për ndihmën tonë? Në pamje të parë Shtetet e Bashkuara si vend i pasur nuk kanë nevojë për mbështetje nga jashtë. Për ndihmën e qeverisë gjermane që tani duhet të kishte mbërritur në radhë të parë fjala është për një akt simbolik solidariteti midis shtetesh. Kjo ka rëndësi sepse përbën një argument kundër reagimeve e liga të ditëve të fundit. Ishte për të ardhur turp se si filloi e tëra: Kënaqësi tinzare dëgjohej nëpër Gjermani, si për shembull: "Këto gjëra vijnë nga kjo e ajo". Ministri i mjedisit Jürgen Tritin mbajti mësim për Marrëveshjen e Kiotos, thua se një nënshkrim i Protokollit të Kiotos do ta kishte shmangur uraganin Katrina. Kreu i të gjelbërve Bütikofer e emërtoi George Bushin si "reaksionar për ekologjinë". Gëzimi i kthyer në refleks po largohet tani për t'ia lënë vendin njohurisë se nevoja për ndihmë e Amerikës nuk është një ide e marrë por një sfidë reale."

Ndërrojmë temë. Për duelin televiziv midis kandidatëve për kancelar të kristiandomokratëve dhe të socialdemokratëve, Merkel dhe Schröder gazeta e Dyseldorfit "Handelsblatt" shkruan:

Përballë sondazheve që tregojnë se Partia Socialdemokrate as që po lëviz nga vendi personalizimi absolut mbetet arma e fundit në fushatën zgjedhore. Vetëm Schröderi mund ta rregullojë punën, e tillë është analiza. Për këtë arsye që javën e ardhshme do të ketë një deklaratë qeveritare në këtë drejtim. E tëra kjo sepse në anketime kancelari gjendet shumë përpara partisë së vet, tek bashkimi kristiandemokrat-kristiansocial kemi të bëjmë me një situatë thuajse të kundërt. Ndryshe nga thuajse të gjitha zgjedhjet e mëparshme parlamentare atmosfera për ndryshim po përqendrohet jo tek personi në krye, por tek dëshira e qytetarëve për një koalicion të ri qeveritar. Me mënyrën e vet bajate kryetari i Partisë Socialdemokrate Franz Müntefering vetëm sa u kujtoi shikuesve se shumica nuk ka më besim tek socialdemokratët. Por kush e di? Ende nuk ka ardhur 12 shtatori. Ndoshta lëvzjet e socialdemokratëve nuk kanë mbaruar. Në fund ndoshta Angela Merkel heq dorë nga pjesëmarrja dhe nis në garë Roland Kochun. (fjala është për kryeministrin e landit Hessen)

Tjetër temë. Gazeta "Express" e Këlnit trajton rritjen e çmimit të benzinës:

"A i ktheni edhe ju ende çmimet në markën e vjetër? 1,42 euro për një litër karburant, kjo ishte më shumë se 2,80 marka. Me kaq makinën mund ta ngasësh 13, ndofta edhe 14 kilometra. Një paturpësi. Jo punëtori që punon në pikën e furnizimit me benzinë është i fundit që duhet sharë për këtë. Por si është puna me spekullantët? Këta janë ata që presin si ujqër të uritur për katastrofat që ndikojnë negativisht mbi ndjerrjen e naftës. Kështu si uragani Katrina. Atëherë ata ngulin dhëmbët, blejnë rrufeshëm naftë për ta shitur më vonë shumë më shtrenjtë - biznesmenë pa skrupuj. Ose firmat e naftës: Na e shesin ne benzinën e blerë me çmimin e vjetër, të lirë, me 12 cent plus brenda dy ditësh dhe tregojnë me gisht nga lajmet e tmerrshme nga Louisiana. Katastrofa erdhi si me porosi për përfituesit e pangopur."