1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shtypi evropian rreth së ardhmes ekonomike të Evropës dhe rolit të Gjermanisë

28 Mars 2005

Në artikujt kryesorë të gazetave evropiane në përgjithësi nxirret një bilanc kritik pas samitit të BE-së në Bruksel.

https://p.dw.com/p/ArwB
Fotografi: AP

Gazeta belge "DE MORGEN" komenton: "Gjermania e ka fituar betejën. Pakti i Stabilitetit, që mbikqyr stabilitetin buxhetor në vendet e BE-së, po bëhet më i lakueshëm. Lajme të mira për fqinjët tanë lindorë, të cilët qysh prej vitesh po i shkelin rregullat buxhetore evropiane. Forca e gravitetit të BE-së po fiton më shumë kohë për t´i përpunuar problemet e veta buxhetore pa qenë nevoja që Brukseli t´i tërheqë vëmendjen. (...) Ai që humbet më shumë në këtë mes është Komisioni Evropian. Ky i fundit ngushëllohet me premtimin, se vendet anëtare janë të detyruara të kompensojnë buxhetet e tyre sapo të ripërtërihet ekonomia", shkruan belgia "DE MORGEN".

Gazeta italiane që botohet në Torino "LA STAMPA" vëren: "Nëse Gjermania, Franca dhe Italia do të zhvillohen ashtu si edhe vendet e tjera, Evropa do të kishte një rendiment ekonomik më të mirë se SHBA. Në një rast të tillë askush nuk do të fliste për krizë në modelin social të Evropës, siç nuk flitet për një gjë të tillë as në Austri, Irlandë apo Suedi. (...) Nëse Evropa do të ishte e fuqishme ekonomikisht, ajo do të kishte shanse të mira për të qenë magneti politik i tolerancës dhe i forcës së integrimit, ashtu siç edhe pret bota prej Evropës", vëren torinezja "LA STAMPA".

Londinezja "THE INDIPENDENT" mendon, se samiti i BE-së ka pasur në përgjithësi një jehonë pozitive: "Së fundi të gjithë ranë dakord. Gjermanisë që ka shkelur qysh prej tri vjetësh paktin e stabilitetit financiar iu bënë lëshimet më të mëdha. Edhe Franca mund të jetë e kënaqur. (...) Fleksibilizimi i paktit të stabilitetit ishte i pashmangshëm. Tani për tani kërkesa është një nga problemet më të mëdha të zonës së dobësuar të euros. Në këtë hapësirë është mëse e domosdoshme të ketë ndonjë formë favorizuese në aspektin e tatimeve", nënvizon "THE INDIPENDENT".

Lidhur me samitin e BE-së gazeta "OUEST FRANCE" e Bretanjës komenton: "Na u tha, se një BE me 25 antarë nuk mund të qeveriset dhe se ajo nuk është në gjendje që t´i evitojë mosmarrëveshjet. Por ajo dëshmoi të kundërtën, duke rënë dakord për të ndihmuar disa vende që të dalin nga situata e vështirë: Francën me referendumin e saj, por edhe Gjermaninë që kërkon reformimin e paktit të stabilitetit për të dalë nga humnera ekonomike", shkruan bretonezja "OUEST FRANCE".

Gazeta e Parisit "LA TRIBUNE" komenton pasojat që mund të ketë një refuzim eventual i Kushtetutës Evropiane nga referendumi popullor që zhvillohet në fund të majit në Francë: "Mund të ndodhë që Franca, një nga protagonistet më të zellshme dhe më të vjetra të ndërtimit evropian, nesër të bëhet një vend i padëshiruar i BE-së. E kjo jo se zgjedhësit janë skeptikë ndaj Evropës, por sepse ata janë velur me politikën e qeverisë, së cilës i mungon qartësia, sepse nuk është në gjendje t´ia dalë mbanë nga ana financiare dhe se është e shqetësuar nga rritja e pandalshme e papunësisë", analizon "LA TRIBUNE".

Disa opionistë jashtë vendit i kushtojnë vëmendje koalicionit qeverisës në Gjermani. Spanjollja "EL PAIS" që botohet në Madrid shkruan: "Kancelari Gerhard Shrëder dhe qeveria e tij e përbërë nga socialdmeokratët dhe ekologjistët mund të kenë marrë teposhten gjë që është e pakthyeshme. Me fundin e këtij koalicioni në landin e Shlesvig-Holshtajnit dhe me një dështim të mundshëm në landin e Nordrajn-Vestfalisë, kancelari nuk do të ketë më mbështetje. (...) Ministri i jashtëm Joshka Fisher, deri më sot figura më me popullaritet në kabinetin qeveritar, është dëmtuar rëndë prej aferës së vizave. Ndërsa papunësia po rritet në mënyrë të pandalshme", tërheq vëmendjen "EL PAIS".