Shpallet dënimi i parë për përdhunim gjatë luftës në Kosovë | Ballkani | DW | 06.07.2021
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages
Reklamë

Ballkani

Shpallet dënimi i parë për përdhunim gjatë luftës në Kosovë

Dënimi i ish-policit, Zoran Vukotiq për dhunim seksual gjatë luftës në Kosovë, është i pari dënim nga një gjykatë vendase. Rreth 20 mijë gra dhe burra llogaritet të jenë dhunuar seksualisht gjatë luftës në Kosovë.

Gjykata Themelore e Prishtinës e dënoi me dhjetë vjet burgim, serbin Zoran Vukotiq. Ai u dënua nën akuzën për krime lufte kundër popullatës civile, përkatësisht për dhunimin seksual të një gruaje shqiptare nga komuna e Vushtrrisë gjatë luftës së Kosovës. Zoran Vukotiq, ishte akuzuar në muajin mars të vitit 2020 se me 22 maj të vitit 1999 ai bashkë me pjesëtarë të tjerë të policisë serbe "kishin marrë pjesë në operacionin e dëbimit të popullsisë civile shqiptare në komunën e Vushtrrisë”. Vukotiq thuhet në akuzë "përdhunoi viktimën si pjesë e një sulmi të gjerë dhe sistematik ndaj grave etnike shqiptare".

"Moment kthese dhe shprese"

Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarave të Torturës, tha se ky është rasti i parë që dikush dënohet për një krim të tillë në Kosovë, nga Gjykatat vendase. "Është dënuar Zoran Vukotiq me 10 vjet burgim, i akuzuar për kryerjen e krimit të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë. Ky është rasti i parë që dikush dënohet për një krim të tillë në Kosovë, nga Gjykatat vendore. Edhe pse drejtësi e vonuar, kjo ditë shënon një moment kthese dhe shprese, jo vetëm për viktimën që njohu përdhunuesin dhe dëshmoi kundër tij, por për të gjithë të mbijetuarit e tjerë, që një ditë drejtësia do të vihet në vend”, thuhet në njoftimin e QKRMT-së. Sipas kësaj qendre më në fund drejtësia triumfoi.

"Triumfoi drejtësia, jo vetëm për viktimën në fjalë, por për të gjithë të mbijetuarit e dhunës seksuale nga koha e luftës në Kosovë. Përmes këtij momentumi të ri, të mbijetuarve do t'u kthehet shpresa për drejtësi, pa të cilën assesi nuk do të ndihen të qetë. Megjithëkëtë, QKRMT konsideron që dënimi prej 10 vjetësh është i ulët, dhe do të angazhohet në të gjitha hallkat e drejtësisë që Zoran Vukotiq të marrë dënimin maksimal”, thuhet në njoftimin e QKRMT-së.

"Krimet e luftës nuk parashkruhen"

Dënimin për krime lufte të policit serb, presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, e ka quajtur "një përparim të rëndësishëm, pasi për herë të parë një polic serb është dënuar për përdhunim gjatë luftës në Kosovë”. "Por mos të harrojmë se drejtësia e vonuar është një drejtësi e mohuar. Ne kemi nevojë për përgjegjësi dhe drejtësi edhe për mijëra gra të tjera kosovare që nuk e kanë marrë atë”, shkroi Osmani në Twitter.

Edhe kryeministri Albin Kurti, tha se "dhuna seksuale gjatë viteve 1998 - 99 është përdorur si mjet lufte në vazhdimësi në Kosovë”, duke shtuar se "mijëra gra e burra, vajza e djem kanë qenë viktima të këtij krimi”. "Pas 23 vitesh pandëshkueshmëri për krimin e dhunës seksuale, për herë të parë dënohet dikush. Zoran Vukotiqi është dënuar me 10 vite burgim për rastin e ushtrimit të dhunës seksuale ndaj një gruaje shqiptare në Vushtri”, u shpreh Kurti, duke shtuar se "krimet e luftës nuk parashkruhen, dhe nuk mund të ketë amnisti për këtë krim të kryer gjatë luftës në Kosovë”, shkroi Kurti në facebook.

Serbia e cilëson dënimin vendim politik

Pas dënimit me 10 vjet të policit serb, Zoran Vukotiq, për dhunimin e një gruaje shqiptare gjatë luftës, i menjëhershëm ishte edhe reagimi i qeverisë së Serbisë, e cila vendimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës për dënimin e Vukotiqit, e cilësoi "vendim politik”.

"Ishte e qartë se vendimi kundër Vukotiqit ishte marrë para se të konfirmohej zyrtarisht dhe se ai duhet të kishte shërbyer si shembull e argument për partitë politike në Prishtinë, thuhet në reagimin e Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, e cila paralajmëroi se do ta apelojë vendimin, shkruan "novosti".

Por, apelit do t'i drejtohet edhe Qendra Kosovare për Rehabilimin e të Mbijetuarve të Torturës, e cila tha se dënimi i Vukotiqit prej 10 vjetësh për dhunim seksual gjatë luftës është tejet i ulët. Sebahate Pacolli, nga kjo qendër tha se "dënimi i sotëm është një ditë historike”. "Ne jemi shumë të kënaqur që angazhimi 20 vjeçar po merr dimensionin e drejtësisë së vonuar që kemi punuar shumë. Dënim jo i merituar, po kjo paraqet fillimin. Pa triumfin e drejtësisë shpirti i tyre nuk qetësohet. Për ata që kanë dërguar paditë e tyre ky është triumf”, tha Pacolli.

Kunstinstallation Thinking of You zum Gedenken an Opfer sexueller Gewalt im Kosovo-Krieg

"Thinking of You " - një projekt në kujtim të viktimave të dhunës seksuale në Kosovë - instalacion në stadiumin e Prishtinës nga artistja kosovaro-britanike Iketa Xhava-Mripa

Pas dënimit u shpreh edhe një e mbijetuar e dhunës seksuale gjatë luftës. Shyhrete Tahiri-Sylejmani, tha se "po fillon epoka e drejtësisë për të gjitha të mbijetuarat e dhunës gjatë luftës”. "Me të vërtetë sot është një ditë apo një epokë e re për të gjitha neve të mbijetuarave të dhunës. I falënderoj të gjithë për angazhimin e tyre 20 vjeçar, gjithë stafit që ka kanë përkrahur deri sot. Sot fillon epoka e neve, drejtësi për neve, për kriminelin në burg”, tha e mbijetuara Sylejmani.

Sipas Qendres Kosovare për Rehabilimin e të Mbijetuarve të Torturës, numri i viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës llogaritet të jetë rreth 20 mijë vetë. Sipas ish-presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga, që angazhohet për drejtësi për gratë e dhunuara gjatë luftës, deri tani me emër e mbiemër janë identifikuar rreth 1200 viktima. Numri i personave që kanë dorëzuar aplikacionet për verifikimin e statusit përkatës të personave të dhunuar seksualisht gjatë luftës së fundit në Kosovë ishte 1050 deri në vitin 2018. Qeveria e Kosovës në muajin shkurt të vitit 2018 filloi procesin e regjistrimit të statusit të individëve dhe verifikimin e tyre dhe ky numër konsiderohet i vogël krahasuar me shifrën prej 20 mijë viktimave të dhunës seksuale të përmendur.