Shpërbëhet qeveria sllovake | Evropa | DW | 08.02.2006
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Shpërbëhet qeveria sllovake

Demokristianët u larguan dje nga koalicioni me synimin për t'iu bashkuar opozitës

Mikulas Dzurinda, ende kryeministër i Sllovakisë

Mikulas Dzurinda, ende kryeministër i Sllovakisë

Presidenti Ivan Gasparovic e pranoi largimin e tre ministrave demokristianë. Bashkëpunimi i partnerëve demokristianë në koalicion dështoi në çështjen, "se sa katolik duhet të ishte shteti i tyre". Kryeministri Mikulas Dzurinda, kreu i Bashkimit Demokratik dhe të Krishterë, refuzoi nënshkrimin e një marrëveshjeje me Vatikanin të përpiluar nga demokristianët.

A lejohet të refuzojnë katolikët që të punojnë të dielën, për arsye të besimit? A lejohet të refuzojnë mësuesit e shkollave fetare të japin lëndën e edukimit seksual? Kjo është në fakt përmbajtja e një marrëveshjeje të Sllovakisë me Vatikanin, një dokument që ekspertët e Bashkimit Evropian e kanë kritikuar ashpër. Kryeministri Mikulas Dzurinda refuzoi tani nënshkrimin e marrëveshjes. Menjëherë demokristianët u larguan nga qeveria. Kryetari i Partisë Demokristiane, Pavol Hrusovsky, bëri të ditur dje në radiotelevizionin sllovak:

"Lëvizja Demokristiane, KDH, nuk do të jetë pjesë e qeverisë që drejtohet nga një njeri, i cili nuk e mban fjalën. Prandaj ministrat e Lëvizjes Demokristiane do të japin dorëheqjen. Unë si kryetar u kuvendit të Republikës Sllovake do të jap sot dorëheqjen nga ky post. Që nga ky çast KDH-ja bëhet parti opozitare."

"Njeri që nuk mban fjalën", fjala është për kryeministrin Mikulas Dzurinda. Ky qëndron tani thuajse i vetëm me partinë e tij, gjithashtu demokristiane; qeveria e tij e pakicës është tani edhe më shumë në minorancë. Menjëherë ai paralajmëroi zhvillimin e zgjedhjeve të parakohshme dhe pati papritur miratimin nga radhët e opozitës. Ish-kryeministri autokratik Vladimir Meciar do ta mbështesë qeverinë deri në afatin e rregullt të zgjedhjeve në shtator.

E gjitha kjo kur dukej se në qeverinë sllovake kishte pajtim. Marrëveshja me Vatikanin do të parandalonte konflikte të ndërgjegjes në fushën e punës; sipas saj besimtarët kanë të drejtën që si punëmarrës të refuzojnë veprimtari të caktuara. Mjekët dhe infermieret për shembull mund të refuzojnë të kryejnë aborte apo fekondim artificial. Mësuesit nuk detyrohen të japin edukim seksual dhe kush nuk dëshiron të punojë të dielave për arsye të besimit, nuk është i detyruar të punojë.

Kjo është përmbajtja e një aneksi të marrëveshjes së lidhur gjashtë vjet më parë midis Vatikanit dhe Sllovakisë; por: teksti i marrëveshjes i referohet vetëm katolikëve dhe institucioneve katolike si shkollave dhe spitaleve - edhe në qoftë se përkrahësit e saj tërheqin vëmendjen tek fakti se ajo vlen parimisht për çdo sllovak, qoftë ky katolik apo jo.

Por grindja nuk mungoi: ekspertët e Bashkimit Evropian e akuzuan Sllovakinë për diskriminim pozitiv të shumicës së popullsisë - thuajse tre të katërtat e sllovakëve janë katolikë. Megjithatë besimi i tyre nuk është më i theksuar sesa në vende të tjera katolike evropiane. Çka mund të lexohet edhe në rezultatet e deritanishme të zgjedhjeve: demokristianët kanë fituar vazhdimisht vetëm tetë deri në dhjetë për qind.

Deri tani kryeministri Dzurinda kishte dhënë shenja për miratimin e marrëveshjes unike në botë; por pas një vonese të gjatë ai u tërhoq. Sipas tij, marrëveshja i jep kishës tepër të drejtë fjale në çështje laike. Vëzhguesit mendojnë se grindja është parafushatë zgjedhore.

  • Data 08.02.2006
  • Autor Peter Hornung
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArC8
  • Data 08.02.2006
  • Autor Peter Hornung
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArC8