SHBA-të të shqetësuara për shkeljen globale të të drejtave të njeriut | Politika | DW | 28.02.2005
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Politika

SHBA-të të shqetësuara për shkeljen globale të të drejtave të njeriut

Një herë në vit qeveria amerikane nxjerr një raport të gjërë në lidhje me të drejtat e njeriut në botë. Edhe këtë vit në këtë raport kritikohen shkeljet e të drejtave të njeriut në mbi 100 shtete të botës. Duke prezantuar këtë raport zv. ministrija e amerikane e Punëve të Jashtme Paula Dobriansky, theksoi se në vendet e Lindjes së Mesme ka filluar të triumfojë demokracia. Sipas saj SHBA-të kanë ndër mend që muajt e ardhshëm të ndërmarrin përpjekje të posaçme për nxitjen e demokracisë dhe të të drejtave të njeriut në të gjithë botën.

Pamje nga një aksion proteste për mbrojtjen e të drejtave të njeriut

Pamje nga një aksion proteste për mbrojtjen e të drejtave të njeriut

Të drejtat e njeriut dhe respektimi i tyre janë një shtyllë themelore e politikës së jashtme amerikane, tha Paula Dobrianski, duke paraqitur raportin vjetor për gjendjen e të drejtave të njeriut. Ndër shembujt pozitivë ajo solli përsëritjen e zgjedhjeve në Ukrainë, fillimin e procesit të demokratizimit në Irak, zgjedhjet në Afganistan dhe në territoret palestineze. Paula Dobriansky theksoi edhe në rastin e protestave të fundit në Liban kundër trupave siriane të stacionuara në këtë vend, bëhet e qartë dëshira e këtij vendi për vetëvendosje, dëshirë që ka përfshirë të gjithë rajonin e Lindjes së Mesme. Ndër vendet e pakta të rajonit që bëjnë përjashtime janë Siria dhe Irani. Në lidhje me këtë Michael Kozak, përgjegjës për këtë rajon në MPJ amerikane thotë: "Madje edhe presidenti i Egjiptit Mubarak shprehet të paktën për organizimin e zgjedhjeve të lira. Ndërsa në Iran po përvijohet një tendencë tjetër dhe fusha e veprimit për opozitën po ngushtohet gjithnjë e më tepër. Irani ka një problem, sepse nuk po bën asgjë për t'u bërë pjesë e familjes së respektuar të shteteve."

Në rastin e Arabisë Saudite raporti në fjalë përmend pozitivisht organizimin e zgjedhjeve të para të lira në nivel lokal, por kritikon faktin që femrat nuk kanë të drejtë të marrin pjesë në votime si dhe mungesën e lirisë së besimit fetar në këtë vend. Për politikën e tyre në lidhje me të drejtat e njeriut kritikohen edhe Kina dhe Rusia. Në rastin e Rusisë në raport theksohet se po vihet re një shtim i prirjeve autoritare.

Në mënyrë të veçantë në raport dënohen regjimet e Zimbabves, të Bjellorusisë, të Koresë së Veriut, të Birmës, të Kubës dhe të Uzbekistanit. Por kritikës nuk i shpëtojnë as aleatët e SHBA-ve, si presidenti i Pakistanit, Pervez Musharaf, i cili kritikohet se nuk e vuri në jetë deklaratën se do të jepte dorëheqjen si kryekomandant i ushtrisë së vendit. Izraeli kritikohet për shkak të sulmeve të forcave të tij të sigurisë ndaj palestinezëve në Rripin e Gazës dhe në Jordanin Perendimor. Tepër të shqetësuar amerikanët janë për shtimin global të incidenteve me sfond anti-semitik, të cilat sipas MPJ amerikane janë alarmuese. Në këtë kuadër përmenden edhe përdhosja e varrezave të çifutëve në Gjermani si dhe aktivitetet e partisë ekstreme të djathtë gjermane NPD.

Vetë SHBA nuk përmenden në këtë raport. Gjithsesi Kozak theksoi se ngjarjet në burgun e Abu Graibit në Irak e kanë dëmtuar shumë reputacionin e SHBA-ve. Asnjë vend nuk mund të pretendojë se i ka duart krejt të pastra sa u përket të drejtave të njeriut, tha Kozak, "nuk diskutohet se ka shkelje të të drejtave të njeriut, por se si sillesh ndaj tyre. Në këtë drejtim ne si SHBA kemi qenë shumë aktivë dhe u jemi kundërvënë rasteve të tilla. Ushtarakët përgjegjës për ngjarjet e Abu Graibit i kemi nxjerrë përpara përgjegjësisë dhe gjykatave ushtarake dhe në rastin e të burgosurve në Guantanamo, gjykatat amerikane kanë ngritur padi në lidhje me të drejtat e tyre."

Pas një muaji MPJ amerikane pritet të publikojë një raport të posaçëm në të cilin do të sqarohet se ç'hapa kanë ndër mend të ndërmarrin SHBA-të kundër shkeljeve globale të të drejtave të njeriut.

  • Data 28.02.2005
  • Autor Daniel Scheschkewitz
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/AquE
  • Data 28.02.2005
  • Autor Daniel Scheschkewitz
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/AquE