1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shansi tregtar i Evropës - a do ta bllokojë Franca atë?

30 Nëntor 2024

Franca do ta ndalojë me çdo kusht një marrëveshje të tregtisë Evropë - Amerikë Jugore. Brukseli e Berlini shohin dobi strategjike te marrëveshja me Mercosur, shkruan Auron Dodi.

https://p.dw.com/p/4naSP
Lopet luajnë në lëndinë
Fotografi: Oliver Berg/dpa/picture alliance

Zonë gjigande e tregtisë së lirë

Është fjala për krijimin e një zone të tregtisë së lirë për mbi 715 milionë qytetarë. Ka 25 vjet, që në vitin 1999, që kur Bashkimi Evropian dhe shtetet e Amerikës së Jugut në komunitetin ekonomik Mercosur po negociojnë për marrëveshjen.

Po të arrihet nënshkrimi i marrëveshjes, evropianët do të përfitonin, pasi do të hiqeshin tarifat doganore për makineri, automjete, për produkte kimike etj., të cilat BE i eksporton në shtetet e Mercosurit, ku bëjnë pjesë Brazili, Argjentina, Paraguaj dhe Uruguaj.

Kurse shtetet e Mercosurit do të eksportonin pa dogana më shumë produkte bujqësore në BE: do të eksportonin mish, lëndë të para, perime e fruta.

Komisioni Evropian në Bruksel, që drejton negociatat dëshiron që ta nënshkruajë marrëveshjen në një samit, në 5 e 6 dhjetor. Shtetet e Mercosurit kanë shprehur gjithashtu interes për këtë datë.

Lula da Silva dhe Von der Leyen
Presidenti brazilian Lula da Silva dhe Presidentja e Komisionit Evropian Ursulla von der LeyenFotografi: EMMANUEL DUNAND/AFP

Këtë e mbështet edhe Gjermania dhe dhjetë shtete të Bashkimit Evropian, që e quajnë marrëveshjen urgjente e me përfitim për gjithë Evropën. Por Franca po bën rezistencë të ashpër dhe po mbledh aleatë.

Argumentat për dhe kundër marrëveshjes BE - Mercosur

Në marrëveshjen "lopë në këmbim të makinave", siç e quajti me humor atë një diplomat në Bruksel, aktualisht nuk përmbahet qartë respektimi i objektivave për klimën të Marrëveshjes së Parisit. Bashkimi Evropian kërkon këtu qëndrim më të rreptë, të shoqëruar edhe me sanksione, shtetet amerikanojugore kërkojnë zhdërvjelltësi më të madhe.

Mbështetësit e Marrëveshjes tërheqin vëmendjen që marrëveshja ka rëndësi të madhe ekonomike. Po të hiqen doganat, Bashkimi Evropian do të kursente katër miliardë euro në vit në tregtinë me shtetet e Mercosurit.

Sa për një ide për përmasat e tregtisë: në vitin 2023, BE eksportoi në shtetet e Mercosurit mallra me vlerë 56 miliardë euro. 12,6 përqind e të gjitha importeve të BE qenë nga shtetet e Mercosurit, sipas agjencisë Eurostat.

Kurse  Brazili, Argjentina, Uruguaj dhe Paraguaji eksportuan në BE në vitin 2023 mallra me vlerë 24 miliardë euro.

Nga ana tjetër, kundërshtarët e Marrëveshjes, kryesisht Franca i kanë shpallur luftë të vendosur marrëveshjes. Presidenti i Francës Emmanuel Macron e quajti marrëveshjen "të papranueshme", nëse në të nuk përfshihen elementët e Marrëveshjes së Klimës së Parisit, ndalimi i shpyllëzimeve dhe kundërpërgjigje evropiane.

Presidenti Macron
Presidenti i Francës Emmanuel Macron Fotografi: Jean-Philippe Ksiazek/AFP/AP/dpa/picture alliance

Arsyet e padurimit për nënshkrimin e Marrëveshjes

Padurimi i Gjermanisë dhe i shumë shteteve të tjera në mbështetje të marrëveshjes ka të bëjë me stanjacionin ekonomik në shumë shtete evropiane. Si dhe me rritjen e rreziqeve gjeopolitike për BE. Në Bruksel mendojnë se përfitimi për të gjithë BE do të ishte më i madh se një dëm potencial.

Strategjikisht, Bashkimi Evropian synon të nxisë tregtinë. Sepse Presidenti i ardhshëm amerikan Donald Trump ka shpallur tarifa doganore deri 25% për Kanadanë e Meksikën. Ai mund ta bëjë edhe me Bashkimin Evropian. Kina investon në të gjithë botën, për të siguruar burime strategjike.

Por, siç e shprehu një ekspert në gazetën gjermane Die Welt, kur negocion me Brukselin "ti merr një leksion”. "Kur negocion me Kinën, merr një port”. Në këtë rast eksperti e kishte fjalën për një port kontenierësh, që Kina ndërtoi shumë shpejt në Peru.

Interesat franceze mbi ato evropiane?

Megjithë deklaratat e vazhdueshme se Evropa duhet të rrisë kapacitetet për t'u përballur me sfidat gjeopolitike, Presidenti Macron synon sërish të frenojë. Është e vërtetë se pozita e Macronit në Francë është e vështirë. Por nuk është hera e parë. Kujtojmë rastin e bllokadës për nisjen e negociatave të BE me Shqipërinë e Maqedoninë e Veriut në vitin 2019.

Në rastin e tarifave doganore për automjetet elektrike kineze, që BE i vendosi sivjet i nxitur nga Franca, realisht ishin disa shtete në BE në mbështetje të këtij proteksionizmi. Gjermania, që megjithë problemet ekonomike ndihet më e fortë, mbrojti një pozicion guximi: ishte për konkurrencë të hapur me Kinën, ishte kundër tarifave doganore e proteksionizmit. Por nuk pati sukses.

Në rastin e marrëveshjes aktuale me komunitetin ekonomik të Mercosurit, kjo marrëveshje madje është miratuar në parim, që në vitin 2019. Franca përpiqet tani megjithatë ta bllokojë, sepse Macroni ndihet sërish i dobët para ekstremizmit të djathtë të Le Penit dhe fermerëve francezë.

Fshatarë francezë protestojnë kundër marrëveshjes me Mercosurin (19.11.2024)
Fshatarë francezë protestojnë kundër marrëveshjes me Mercosurin (Limoges 19.11.2024)Fotografi: Stephane Mahe/REUTERS

Franca përfiton po nuk guxon

Një deputet francez kujtoi (në kushte anonimiteti) për agjencinë Reuters se Franca ka në fakt një tepricë tregtare prej 155 miliardë eurosh me Amerikën e Jugut. Ai tha se Franca mund të përfitojë nga marrëveshja për produktet e qumështit, mishit të derrit dhe produkteve derivate, edhe nëse shtohet konkurenca për mishin e gjedhit.

Por Macroni zgjedh rrugën më të sigurtë për të: përpjekjen për bllokadë. Në këtë rast, presidenti francez e injoron presionin real gjeopolitik dhe ekonomik nga Kina dhe SHBA. Ai shpërfill sërish, si për doganat për automjetet kineze, argumentat e fuqisë së tretë ekonomike në botë, Gjermanisë.

Interesat gjermane dhe franceze

Është e natyrshme që Gjermania dhe Franca të ndjekin edhe interesa nacionale. Macroni, dhe në një unitet të rrallë qeveria, parlamenti dhe fermerët francezë, kanë frikë se Evropa do të përmbytet me mish të lirë gjedhi nga Argjentina e Brazili dhe se ata do të humbasin. Fermerët francezë nisën këto ditë protesta të mëdha kundër Marrëveshjes në disa qytete franceze. Macroni druhet se zemërimi në Francë për marrëveshjen do të shfrytëzohet kundër tij nga ekstremistët e djathtë të Le Penit.

Në mediet franceze, eurodeputetë francezë argumentuan këtë javë se bujqësia nuk është aktivitet ekonomik si të tjerët. Ajo ka rëndësi strategjike për rezistencën dhe stabilitetin e demokracisë.

Fshatarë francezë protestojnë kundër marrëveshjes me Mercosurin (19.11.2024)
Fshatarë francezë protestojnë kundër marrëveshjes me Mercosurin (19.11.2024)Fotografi: Stephane Mahe/REUTERS

Kurse në Gjermani, Olaf Scholzi dëshiron të ndihmojë industrinë automobilistike dhe industrinë e ndërtimit të makinave e në tërësi ekonominë gjermane. Nga ana e tyre, shtete si Spanja, Portugalia e Suedia duan të zgjerojnë vëllimin e shkëmbimeve tregtare dhe të përmirësojnë bilancin tregtar.

Gjasat për nënshkrimin e Marrëveshjes

Juridikisht kjo marrëveshje mund të hyjë në fuqi nëse e miraton një shumicë e kualifikuar shtetesh. Dhe pastaj të votohet në Parlamentin Evropian. Pra nuk nevojitet miratimi nga të 27 shtetet anëtare të Bashkimit Evropian.

Në këtë kuadër, që marrëveshja të bllokohet, kundërshtarët duhet të krijojnë një minoritet bllokues: pra të bëhen bashkë katër shtete të BE, të cilat përfaqësojnë njëkohësisht 35% të popullatës së Bashkimit Evropian.

Franca arriti të bindë këtë javë Poloninë. Për pak muaj në Poloni janë zgjedhjet presidenciale dhe kryeministri Donald Tusk nuk do të rrezikojë sërish me zemërimin e fermerëve polakë. Tusk deklaroi papritur se „në formën aktuale" nuk e mbështet Marrëveshjen. 

Donald Tusk
Kryeministri polak Donald TuskFotografi: Teri Schultz/DW

Polonia dhe Franca përfaqësojnë së bashku 24% të popullatës së Bashkimit Evropian. Italia është e lëkundur, a do ta mbështesë në fund marrëveshjen apo jo. Holanda gjithashtu. Austria dhe Irlanda nuk janë pozicionuar përfundimisht.

Gjermania ka aktualisht mbështetjen e dhjetë shteteve të tjera të Bashkimit Evropian, midis tyre të Spanjës, Portugalisë dhe Suedisë.

Brazili: Franca nuk mund të shpallë fundin e Marrëveshjes

Nga shtetet e Mercosurit, Brazili, që dominon në këtë komunitet ekonomik, shprehu vendosmërinë për nënshkrimin e Marrëveshjes. "Unë planifikoj ta nënshkruaj këtë marrëveshje brenda këtij viti", tha Presidenti i Brazilit, Luiz Inácio Lula da Silva të mërkurën (27.11.) Lula da Silva tha se fundin e Marrëveshjes mund ta vendosë vetëm Brukseli, jo Franca.

Në fakt në Bruksel mendojnë se Franca do ta ketë të vështirë ta krijojë minoritetin bllokues. Por Brukseli nuk do që të injorojë për një akt të tillë si kjo marrëveshje një shtet të rëndësishëm si Franca dhe të godasë, edhe në Evropë, Emmanuel Macronin (pas problemeve të mëdha që ka ai në Francë).  Negociatat vazhdojnë, po mendohet edhe mundësia e  kompensimeve për fermerët francezë e polakë.