Scholz i kërkon Kurtit të mbajë qëndrim konstruktiv në procesin e dialogut | Ballkani | DW | 04.05.2022
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages
Reklamë

Ballkani

Scholz i kërkon Kurtit të mbajë qëndrim konstruktiv në procesin e dialogut

Kancelari Scholz theksoi në takimin me Albin Kurtin se Ballkani Perëndimor bën pjesë në Evropë dhe se të gjitha vendet e rajonit duhet të anëtarësohen në BE.

Pas takimit në Berlin kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz dhe Albin Kurti dhanë një konferencë për mediat.

Scholz tha se ai do të vizitojë së shpejti Prishtinën në kuadrin e një vizite në vendet e Ballkanit.

Scholz theksoi edhe një herë se Ballkani Perëndimor bën pjesë në Evropë dhe se të gjitha vendet e rajonit duhet të anëtarësohen në BE.

Në takimin mes kancelarit Scholz dhe kryeministrit të Kosovës u diskutua edhe për luftën në Ukrainë.

Kancelari gjerman shprehu mirënjohjen që Kosova u është bashkuar sanksioneve ndaj Rusisë.

Scholz tha se në sfondin e ngjarjeve në Ukrainë është e rëndësishme që Kosova dhe Serbia ta zgjidhin gradualisht konfliktin mes tyre. Në këtë mënyrë ato do të jepnin një kontribut për paqen dhe sigurinë jo vetëm në Ballkan por në të gjithë Evropën.

Scholz tha se i kërkuar Kurtit që të mbajë qëndrim konstruktiv në procesin e dialogut, sepse prej një marrëveshjeje mes të dy vendeve do të përfitonte i gjithë Ballkani Perëndimor, sepse parakushti më i rëndësishëm për investime, për vende pune dhe perspektiva për të rinjtë është stabiliteti dhe siguria.

Scholz tha se Gjermania dhe Kosova janë të lidhura ngushtë, sepse Gjermania është investitori më i madh bilateral në Kosovë si edhe prej rreth 400.000 qytetarëve me origjinë nga Kosova që jetojnë në Gjermani.

Kurti përforcoi në fjalën e tij marrëdhëniet dypalëshe dhe tha se Kosova e dënon ashpër lufton në Ukrainë. Kurti tha se Kosova është e gatshme të strehojë 5.000 refugjatë nga Ukraina dhe se ka hequr vizat për qytetarët e Ukrainës.

Pas takimit me Kurtin, kancelari gjerman do të takohet me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.

Më pas, Kurti e Vuçiq pritet të takohen bashkë, me ndërmjetësimin e të dërguarit të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Jajcak.

Para takimeve ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde, kishte sqaruar se takimet "do t'i shërbejnë ndër të tjera mbështetjes së dialogut Kosovë-Serbi, që drejtohet nga BE-ja".