Së bashku kundër terrorit | Evropa | DW | 15.09.2014
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages
Reklamë

Evropa

Së bashku kundër terrorit

Presidenti francez organizon një konferencë ndërkombëtare kundër IS-it në Paris dhe ka sinjalizuar gatishmërinë e tij për të marrë pjesë në koalicionin e udhëhequr nga SHBA në luftë kundër IS-it.

Ai shkoi në Bagdad dhe Erbil, miratoi shitjen e armëve për kurdët e Irakut dhe premtoi ndihma të tjetra në luftën kundër milicisë terroriste "Shtetit Islamik" (IS): Kur është fjala për t'ju kundërvënë xhihadistëve në Lindjen e Mesme, Presidenti francez, François Hollande, është aktualisht mjaft i vendsur. Hollande dëshiron ta ndihmojë qeverinë e re të Irakut në luftën kundër IS-it. Sot me ftesën e tij zhvillohet në Paris një konferencë ndërkombëtare, ku marrin pjesë ndër të tjerë, presidenti irakian Fouad Masum dhe ministri i Jashtëm gjerman Frank-Walter Steinmeier.

Në sytë e shumë kryeminstrave dhe presidentëve lufta kundër ekstremistëve sunitë u bë përsëri urgjente gjatë fundjavës. Sepse prerja e kokës të pengut britanik nga IS-i ka shkaktuar tmerr në të gjithë botën.

Kryeministri britanik David Cameron tha në një deklaratë, vrasja ishte një akt i "së keqes absolute". Presidenti i SHBA-së Barack Obama rikonfirmoi vendosmërinë e tij, që së bashku me partnerët nga e gjithë bota ta shkatërrojë organizatën terroriste. Ministri i Jashtëm gjerman Steinmeier e dënoi vrasjen si një "akt të urryer dhune barbare përtej të gjithë kufijve të qytetërimit njerëzor". Për të tretën herë një anëtar i IS-it i preu para kamerave kokën një shtetasi perëndimor.

Koalicion kundër IS-it

Ky akt i vë qeveritë e Uashingtonit dhe Londrës nën presion, për shkak se viktimat janë nga Shtetet e Bashkuara dhe Britania e Madhe. Por tani po këmbëngul dhe Parisi. Presidenti francez ka sinjalizuar gatishmërinë e tij për të marrë pjesë në koalicionin e udhëhequr nga SHBA në luftë kundër IS-it. Por politika franceze në Lindjen e Mesme nuk ka qenë gjithmonë e një mendimi me atë amerikane. Kur në vitin 2003 ish-Presidenti Xhorxh W. Bush kërkoi aleatë për luftën e tij në Irak, udhëheqja franceze refuzoi të merrte pjesë. Tani presidenti francez mendon të marrë pjesë edhe në sulmet ajrore amerikane kundër IS-it. Prej 8 gushtit aviacioni amerikan ka ndërmarre sipas Pentagonit 150 sulme ajrore në Irak.

Aleatë në Perëndim dhe Lindje

Edhe dhjetë shtete arabe u premtuan Shteteve të Bashkuara mbështetjen e tyre në luftën kundër IS-it. Në to bëjnë pjesë Iraku, Arabia Saudite, Bahreini, Egjipti, Jordania, Kuvajti, Libani, Omani, Katari dhe Emiratet e Bashkuara Arabe. Ata premtuan, ndër të tjera, që do të ndalojnë burimet financiare të ekstremistëve dhe do të luftojnë kundër fluksit të luftëtarëve të huaj.

Kurse qeveria turke po tregohet e përmbajtur dhe në luftën kundër IS-it - ndoshta për shkak se 49 shtetas turq të rrëmbyer në qershor nga IS-i janë ende në duart e terroristëve. Turqia megjithatë akuzohet se është vend tranzit për xhihadistët e huaj. Ankaraja e mohon këtë.

Rrezik prej xhihadistëve

Për Francën xhihadistët radikalë janë aktualisht problem i madh. Së pari për shkak se disa qindra francezë po luftojnë si xhihadistë në Irak dhe Siri - ndoshta më shumë se nga çdo vend tjetër perëndimor. Shumë prej tyre janë kthyer sërish në Francë. Nga ana tjetër, për shkak se Libia konsiderohet që nga rënia e diktatorit Muamar Gadafi si strehë për ekstremistët. Nga atje ata përhapin terror dhe armë në vendet e Maghrebit dhe ka rrezik që të destabilizojnë edhe vende si Algjeria. Një skenar që shumë shpejt mund të ketë pasoja të drejtpërdrejta për Francën - dhe që e bën Presidentin francez që të veprojë tani.