Rusia ka shprehur dyshime për të dhënat iraniane | Bota | DW | 11.04.2007
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Rusia ka shprehur dyshime për të dhënat iraniane

Sipas presidentit Mahmud Ahmadinexhad, që prej së hënës Irani është në gjendje të pasurojë uraniumin në mënyrë industriale. Kjo deklaratë u prit me shqetësim në perëndim. Rusia ka shprehur dyshime për të dhënat iraniane.

Ali Larijani dhe Sergej Lavrov

Ali Larijani dhe Sergej Lavrov

Ishte ministri i jashtëm rus, Sergej Lavrov, i cili të martën pasdite deklaroi se nuk ka informacione të sigurta për atë se Irani ka filluar të bëjë pasurimin industrial të uraniumit. Sipas fjalëve të tij, në programin atomik iranian nuk ka asnjë ndryshim.

Ministri i jashtëm rus tha se në Rusi merren seriozisht me të gjitha ato që kanë të bëjnë me programin bërthamor iranian. Meqenëse Rusia nuk dëshiron të udhëhiqet nga gjeste emocionale, por të mbështetet në fakte, ajo po e precizon situatën. Pra nga pikëpamja ruse kjo do të thotë që rreziqet eventuale, që mund të vijnë nga Irani, të mos përfytyrohen hë për hë aq të mëdha.

Kështu, Vladimir Sashin, bashkëpunëtor i Institutit të Orientalistikës në Moskë pohon se Teherani zotëron vetëm 328 centrifuga: "Prodhimi industrial i uraniumit të pasuruar fillon atëherë, kur në dispozicion nuk janë më pak se 3 mijë centrifuga funksionuese. Por Irani ka vetëm dy kaskada me 164 centrifuga në çdo kaskadë. Pra shumë më pak se 3 mijë."

Nëse mund t'u besohet këtyre informacioneve, kjo nuk dihet. Megjithatë edhe Kremlini është i shqetësuar, meqenëse në rrezen e veprimit të raketave iraniane nuk ndodhen edhe aq Evropa dhe SHBA, por në radhë të parë Rusia. Për këtë, politologu Aleksander Konovalov thotë: "Deklarata e Iranit për fillimin e prodhimit industrial të uraniumit të pasuruar është natyrisht një sfidë për bashkësinë ndërkombëtare. Irani tregon se ai i injoron kërkesat e Këshillit të Sigurimit të OKB-së. A do të thotë kjo se shpejt do të kemi të bëjmë me një goditje ushtarake të SHBA?"

Eksperti ushtarak Leonid Ivashov kishte paralajmëruar sic dihej një sulm të amerikanëve ndaj Iranit, por për të premten e kaluar, gjë që siç dihet nuk ndodhi. Kështu që Rusia taktizon midis tundimit për të bërë biznese fitimprurëse dhe përpjekjes për të folur disi në të njëjtin ton me Perëndimin. Se si do të sillet Moska përballë një rezolute tjetër më të ashpër të OKB-së, e cila me siguri do të pasojë, kjo tani thuajse nuk mund të parashikohet. Por me çdo kusht Rusia do të vazhdojë ndërtimin e uzinës atomike të Busherit.

Ministri i jashtëm rus, Lavrov: "Nuk shohim ndonjë lidhje midis problemit të programit bërthamor iranian nga njëra anë dhe realizimit, pra përfundimit të uzinës atomike të Busherit, nga ana tjetër." Probleme krijojnë aktualisht para së gjithash vetë iranianët. Me sa duket qeverisë së Teheranit i kanë mbaruar paratë. Kështu, deri tani janë financuar vetëm 60 përqind e projektit prej 1,3 miliardë dollarësh. Në janar, ministria e financave e Iranit i përcolli Rusisë 5 milionë dollarë, në shkurt dhe në mars nga ana tjetër, asnjë cent.

  • Data 11.04.2007
  • Autor Herman Krause
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArIw
  • Data 11.04.2007
  • Autor Herman Krause
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArIw
Reklamë