Rumsfeld pret një ″të ardhme të lavdishme″ për NATO-n | Evropa | DW | 11.02.2006
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Rumsfeld pret një "të ardhme të lavdishme" për NATO-n

Jung nuk e sheh Aleancën Veriatlantike në rolin e "policisë botërore"

Takimi i ministrave të mbrojtjes të Nato-s në Taormina

Takimi i ministrave të mbrojtjes të Nato-s në Taormina

NATO po përpiqet të fitojë partnerë të rinj përreth globit dhe të transformohet nga aleanca e dikurshme ushtarake kundër Bashkimit të fuqishëm Sovjetik, në një organizatë sigurie që angazhohet në të gjithë botën. Por përkufizimi i saktë i këtij roli të ri është po aq i paqartë sa edhe burimet e financimit. Kjo u bë e qartë në takimin e Ministrave të Brendshëm të anëtarëve të aleancës veriatlantike i cili përfundoi punimet të premten në Siçili të Italisë.
Dialogu i paralajmëruar mes gjashtë shteteve arabe që lagen nga Deti Mesdhe, (Jordanisë, Egjiptit, Marokut, Algjerisë, Tunizisë dhe Mauritanisë) me Izraelin nuk pati përmasat e shpresuara nga sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jaap de Hoop Scheffer. Nga shtatë ministrat e ftuar erdhën vetëm dy, pesë vende dërguan përfaqësuesit e tyre ose zyrtarë të një rangu më të ulët. Takimi i planifikuar kohë më parë u zhvillua nën atmosferën e krijuar nga karrikaturat e profetit Muhamed të cilat në shumë vende myslimane kanë shkaktuar protesta kundër qeverisë daneze dhe institucioneve europiane. Ministrat e NATO-s i kanë kushtuar rëndësi qetësimit të gjendjes. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s përmendi pikat më të rëndësishme: "Liria e shtypit është natyrisht e rëndësishme dhe kjo as që ka nevojë të përmendet. Dhuna nuk është përgjigje. Qetësimi i situatës dhe dialogu, respekti reciprok për vlerat e fesë të tjetrit. Kështu do t'i përmblidhja alternativat për zgjidhje."
Ministri amerikan i mbrojtjes, Donald Rumsfeld, e cilësoi shumë interesant dialogun me gjashtë përfaqësuesit arabë dhe Izraelin. ShBA i shohin këto përpjekje si pjesë të strategjisë së tyre për reformimin e NATO-s në një aleancë sigurie globale kundër kërcënimeve terroriste. Një anëtarësim i Izraelit në NATO nuk përjashtohet. Për këtë qëllim synohet krijimi i partneriteteve të ngushta me shtetet në Azi dhe në Paqësor. Rumsfeld kërkoi një transformim të mëtejshëm të NATO-s nga një aleancë për mbrojtje në një fuqi që vepron globalisht: "NATO mbetet aleanca më e suksesshme ushtarake. Historia mund të tregojë megjithatë se kontributet më të rëndësishme që NATO mund të japë për paqen dhe sigurinë i përkasin së ardhmes."
Franca, Gjermania dhe shtete të tjera europiane kanë qëndrim frenues pasi natyrisht shohin një sërë problemesh praktike dhe politike. Ndërkohë që ministri italian i mbrojtjes Antonio Martino u shpreh se sa më e madhe NATO aq më mirë, ministri gjerman Franz-Josef Jung përcaktoi kufinjtë: "NATO nuk është një BE në format të vogël dhe as polici botërore por ne kemi nevojë për partneritete të tjera edhe në rajone si Azia, Australia apo Japonia. Angazhimi i përbashkët i 37 shteteve në Afganistan dëshmon se ne kemi nevojë për mbështetje."
Deri në samitin e Rigës në nëntor vendet anëtare të NATOs duan të vendosin se çfarë detyrash do të marrë aleanca përsipër në të ardhmen. Deri atëherë pritet të jetë gati edhe trupa për ndërhyrje të shpejta prej 25.000 vetësh. Aktualisht mungojnë rreth 1/4 e ushtarëve për këtë trupë, është ankuar komandanti suprem i NATO-s në Europë, James Jones. Diskutimet mbi sisteme të reja financimi për trupën e ndërhyrjes së shpejtë ashtu siç pritej nuk sollën rezultate.

  • Data 11.02.2006
  • Autor Bernd Riegert
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArC7
  • Data 11.02.2006
  • Autor Bernd Riegert
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArC7