1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Mësimi i gjuhës shqipe në Gjermani

Mimoza Cika-Kelmendi6 Maj 2013

Në Gjermani prej gati 35 vitesh funskionon mësimi i gjuhës shqipe. Veçanërisht landi i Renanisë Veriore -Vestfalisë është shumë aktiv në këtë drejtim, falë dy mësuesve tashmë veteranë: Nexhmije dhe Rifat Hamiti.

https://p.dw.com/p/17gRi
Pamje nga ambjentet e shkollave në DyseldorfFotografi: picture-alliance/dpa

Ata janë kudo: Nëpër shkolla duke dhënë mësim, janë nëpër aktivitete të ndryshme, në promovime librash, në tubime apo në koncerte, në takime me prindër apo me kolegë. Të papërtueshëm, me qetësi, durim dhe dashuri, ata janë bërë si prindër të dytë për shumë fëmijë me prejardhje shqiptare në Gjermani. Mësuesit Nexhmije e Rifat Hamitin tashmë i njohin të gjithë. Madje në Dyseldorf, Neus apo Dormagen shpesh i thërrasin vetëm: Mësuese, Mësues...


Këtë profesion ata e kanë nisur para gati tre dekadash. Rifat Hamiti e nisi në 1972 në vendlindjen e tij në Mushtishtë të komunës së Suharekës, pasi kishte mbaruar shkollën pedagogjike në Prizren dhe më pas ai do të vazhdonte studimet e larta në degën e pedagogjisë. Punën si mësues nuk e ndali kurrë. Bashkë me studimet ai fitoi jo vetëm diplomën por edhe shoqen e tij të jetës. Nexhmije Stilica e lindur në Podujevë, ndiqte atëherë në Prishtinë studimet në Fakultetin Filozofik, dega për letërsi dhe gjuhë shqipe. Pas mbarimit të fakultetit punoi si mësuese në gjimnazin e Podujevës dhe pas martesës në vitin 1982 në gjimnazin "jeta e re" në Suharekë. Edhe kur Rifati, tashmë bashkëshorti i saj do të shkëputej nga mësimdhënia e do të zhvendosej si këshilltar në Entin Pedagogjik të komunës së Suharekës.

Rifat Hamiti albanisch Lehrer in Düsseldorf
Rifat Hamiti, mësues i gjuhë shqipe në Neus dhe DyseldorfFotografi: privat

Mësimi i gjuhës shqipe në Gjermani - marrëveshje ndërshtetërore


Në vitin 1987 të dy bashkë shortë iu nënshtruan një konkursi për mësues të mësimit plotësues në Perëndim. Pas një vit e gjsmë pritjeje, Rifat u zgjodh mësues, kurse Nexhmija jo. Në shtator Rifati follon punën në Dyseldorf , kurseNexhmija i bashkangjitet atij bashkë me tre fëmijë në vitin 1990.


Mësimi plotësues i gjuhës amatare në Gjermani funksionon në kuadër të marrëvshjeve ndërshtetëore. Edhe shqipja sikurse shumë gjuhë të tjera të huaja ka privilegjin të jetë shumë aktive, veçanërisht në landin Renanisë Veriore - Vestfalisë. Por rruga e nisur nuk ishte e lehtë edhe pse mësues Rifati gjeti një traditë të shkollës shqipe në atë kohë dhe kishte mjaft përvojë mbi supe:
„Unë gjeta një shkollë të konsoliduar, ku kishte punuar një mësues që nuk jeton më, Pal Përgjokaj. Por gjeta një numër të vogël të nxënësve. Për fat të keq marrëveshja mes dy shteve për mësimin e gjuhës amtare nga fëmijët e mërgimtarëve nuk ishte shfrytëzuar aq sa duhej në atë kohë.

Bashkëatdhetarët në fillim hezitonin t'i dërgonin fëmijët e tyre në shkollën shqipe, por më pas pati më shumë interesim“, kujton mësues Rifati.
Dhe numri i fëmijëve erdhi duke u shtuar nga viti në vit. Kjo falë aktivitetit të vetë dy mësuesve, të cilët gjetën një gjuhë të përbashkët me prindërit. Mësuesit gjetën një mënyrë për t'i bindur prindët që fëmijët të mos i pengonin në mësimin e gjuhës shqipe. „Menjëherë vura kontakte direkte me familjet dhe fëmijët, organizova këshillat e prindërve dhe përveç aktivitetit të procesit mësimor, paralelisht bënim edhe aktivitete të lira, kulturore. Kështu ata u motivuan dhe u krijua një lloj besimi mes nesh“, vazhdon më tej mësuesi.

Kur numri i nxënësve në Dyseldorf u shtua dukshëm, u shtua nevoja për hapje të shkollave të tjera në kë rrethinë të mësimit të gjuhës shqipe. Kështu në 1993 Ministria gjermane e arsimit në Dyseldorf dhe Ministria e Arsimit të Kosovës në ekzil i ofruan Nexhmijes punë si mësuese e gjuhës shqipe në kë land. Tashmë të dy bashkëshortë kishin përpara një mision jo shumë të lehtë - t'u mësojnë fëmijvë gjuhën shqipe.

Metoda e mësimdhënies në mërgim ndryshe nga ajo në vendlindje


Nexhmije Hamiti albanisch Lehrerin in Düsseldorf
Nexhmije Hamiti mësuese e gjuhë shqipe në DyseldorfFotografi: privat

Rezultati u vu re shpejt: nga 30 fëmijë në fillim u arrit më pas në mbi 100 fëmijë frekuentues të kësaj "shkolle". Gjithashtu ishte fat që në Dyseldorf kishte edhe një shoqatë kulturore me emrin „Emin Duraku“ që siç thotë mësuesi “gjeta një tesh që mu përshtat për trupin tim“. Por mësimdhënia e gjuhës shqipe në mërgim nuk është i njëjtë si ai në Kosovë apo në Shqipëri. Metodat, tekstet dhe vetë komportimi i fëmijëve janë krejt ndryshe nga në vedlindje. Metodologjia e mësimdhënies dhe niveli i fëmijve heterogjenë ishin sfidat më të mëdha për mësuesit.

Por jo pa sukses. „Unë e kuptova mirë filozofinë e mësimdhënies dhe qysh në fillim së bashku me kolegët e tjerë morrëm përsipër që të organizojmë edhe metodën e mësimdhënies për fëmijët në këto kushte, për t'ua përshtatur më shumë atyre. Më vonë u formua Këshilli i arsimtarëve dhe më pas u bënë planprogramet, tekstet mësimore, të cilat u miratuan në organet përkatëse në Prishtinë, në mënyrë që të ishin uniformë për të gjithë mësimdhënësit e gjuhës shqipe në Gjermani", vë në pah mësues Rifati, i cili sot është edhe Kryetari i Këshillit të Arsimtarëve të landit Renanisë Veriore - Vestfalisë.

"Mësuesit e gjuhës shqipe prej 15 vitesh punojnë me një abetare që është krijuar për fëmijët këtu në mërgim, e cila është universale deri në Amerikë", thotë mësuese Nexhmija me krenari. Në këtë land janë shtuar shumë të ashtuquajturat "shkolla në gjuhën shqipe". Janë gjithsej 24 mësues vetëm në këtë land, disa prej të cilëve janë bashkëudhatrë të çiftit Hamiti: Sami Thaçi, Adem Shala, Shpresa Përzhaku, Vitore Pergjokën, Kemajl Çollakun, Mimoza Leka, Etleva Mançe e të tjerë. Mësimi i gjuhës shqipe në Gjermani funksionon prej 35 vjetësh por për fat të keq shumë lande për shkaqe financiare kanë shkuar drejt reduktimit të mësimit plotësues të gjuhëve amtare.

Mësimi i gjuhës shqipe - urë lidhëse e dy kulturave

BdT Kosovo-Albaner in Deutschland
Mërgimatarë nga Kosova që jetojnë në GjermaniFotografi: AP

Krahas mësimit të gjuhës shqipe, dy mësuesit janë edhe dy aktivistët të jashtëzakonshmë të këtyre fëmijve në ruajtjen e tarditës dhe kulturës kombëtare shqiptare duke krijuar një urë lidhëse mes dy vendeve, Gjermani-Kosovë. Në shumë aktivitete nuk mungojnë veshjet e bukura me kostumet kombëtare të vajzave valltare që shfaqen në çdo festë apo aktivitete kulturor, sepse Nexhmija dhe Rifati nuk përtojnë t'u mësojnë atyre, poezi shqipe, drama, valle dhe këngë nga repertori i pasur shqiptar.

Mësuese Nexhmija shprehet me shumë mirënjohje veçanërisht për vajzat dhe nënat e tyre, të cilat kanë qenë shumë aktive dhe me shumë dashuri kanë kontribuar në çdo aktivitet duke shpalosur para publikut gjerman kulturën dhe traditën kombëtare shqiptare. Nuk kanë munguar as aktivitetet mësimore si ai i kampionatit të gjeografisë, apo ai i valleve dhe garave sportive. „Natyrisht që gjithë kjo punë perveç kohës kërkon sakrificë dhe përkushtim të jashtëzakonshëm, sepse nuk e kemi kufizuar veten vetëm si mësues“, thotë mësuese Nexhmija. Ndërsa mësues Rifati e "ndjen veten si një ambasador të popullit, ndaj dhe nuk kursehet për ta bërë atë sa më mirë“.

Një rrugë vërtet e gjatë, e mundimshme me plot sfida, sepse ata janë edhe vetë prindër të tre fëmijve të mrekullueshëm, madje edhe gjyshër të dy nipave dhe një mbese.