1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

A do të pranojë Shqipëria emigrantë të tjerë?

15 Tetor 2024

Shqipëria i ka thënë “jo” kërkesave të disa shteteve europiane për të marrë emigrantë të paligjshëm. Por Rama tha se çështja e vendimmarrjes i takon BE-së, ndërsa Shqipëria i mbetet asaj besnike.

https://p.dw.com/p/4lp6H
Edi Rama
Edi RamaFotografi: Johanna Geron/REUTERS

Porti i Shëngjinit është bërë gati të presë emigrantët e parë të paligjshëm që duan të marrin azil në Itali, kërkesat e të cilëve do të përpunohen në kampet e ngritura në Shëngjin dhe Gjadër, pas marrëveshjes së majit të këtij viti mes Edi Ramës dhe Giorgia Melonit. Ky model i ruajtjes së kufijve italiane, që propozoi Italia dhe që Shqipëria firmosi, joshi që në çastet e para të hedhjes së firmave, krerët e 15 shteteve të tjera europiane, të cilët përmes një letre drejtuar Komisionit Europian, institucionit ekzekutiv të Unionit, kërkuan ndjekjen e të njëjtit model për t'u përballur me emigracionin e paligjshëm në vendet e tyre.

Në konferencën për media në Luksemburg, ku kryeministri Rama ndodhej ‘për të vënë gurin e rëndësishëm të themelit' të hapjes së negociatave me BE-në, Deutsche Welle e pyeti Ramën nëse qeveria e tij "do të hapë dyert” edhe për shtetet e tjera? Rama përsëriti për të disatën herë që "ka pasur interes nga shtetet europiane por kërkesa e tyre është refuzuar prej tij”. Ai risolli në tryezë të njëjtat argumente si më herët: marrëveshja me Italinë u firmos për shkak të fqinjësisë së mirë dhe raporteve historike me Italinë, duke risjellë edhe shembullin më të fundit të ndihmës që emergjencat civile italianedhanë gjatë tërmetit shkatërrimtar që preku Shqipërinë në nëntor të vitit 2019.

Giorgia Meloni dhe Edi Rama
Giorgia Meloni dhe Edi RamaFotografi: Tiziana Fabi/AFP/Getty Images

A do të marrë Shëipëria emigrantë të tjerë?

Por për herë të parë, mes rreshtash, Rama e la të hapur mundësinë për të marrë emigrantë të tjerë, nëse vetë BE do t'ia kërkonte këtë. Sipas tij, ‘fenonemi i migracionit nuk duhet trajtuar me copëza, por si një pjesë e tërë. "Tjetër gjë është të luftosh migracionin e paligjshëm, dhe tjetër të garantosh emigrimin e rregullt, dhe Europa duhet t'i bëjë të dyja. Kur bëhesh pjesë e një familjeje të madhe, nuk mund të zgjedhësh për të ngrënë vetëm ushqimin e mirë dhe ëmbëlsirat. Ndonjëherë duhet të pranosh edhe ushqimet e tjera të listës, të cilat s'mund të jenë dhe aq të shijshme, por që gjithsesi duhen ngrënë” – tha Rama për DW.

I bindur për të bërë gjithçka në rrugën drejt anëtarësimit të plotë të Bashkimit Europian, Rama shtoi: "Do të bëjmë gjithçka që të jetë e nevojshme për të qenë vend krenar i BE-së. Dhe historia tregon se ne jemi shumë besnikë ndaj perandorive”.

Marrëveshja mes homologëve shqiptarë dhe italianë, Rama dhe Meloni, për menaxhimin e migracionit të paligjshëm vijon të ngjallë debate në të dyja shtetet. Kampet e Shëngjinit dhe Gjadrit janë konsideruar si "Guantamano” shqiptar, ku emigrantët e paligjshëm që synojnë të shkojnë nga Afrika drejt Italisë, do të mbahen të izoluar deri në momentin e pranimit ose anulimit të aplikimit të tyre për azil.

Ursula von der Leyen dhe Edi Rama
Ursula von der Leyen dhe Edi RamaFotografi: Dursun Aydemir/AA/picture alliance

Hapja e grupit të parë të kapitujve

Deklaratat e kryeministrit Rama u bënë në Luksemburg, gjatë Konferencës së Dytë Ndërqeveritare BE-Shqipëri. Grupi i parë përfshin pesë kapituj dhe tri kritere kyçe që Shqipëria duhet të plotësojë në rrugën e saj drejt anëtarësimit në Union. Mes temave më të rëndësishme të këtyre kapitujve dhe kritereve janë sistemi gjyqësor, funksionimi i institucioneve demokratike, çështjet e sigurisë dhe reformat në administratën publike.

Peter Szijjarto, ministri i Jashtëm i Hungarisë e cila mban presidencën e radhës të Bashkimit Europian, tha se "Shqipëria bëri mirë detyrat e shtëpisë për të arritur deri këtu”. I pyetur nga Deutsche Welle, nëse procesi i zgjerimit do të funksiononte më mirë nëse vetoja do të hiqej nga vendimmarrja, ai u përgjigj se "Heqja e vetos do të çonte në shkatërrimin e Bashkimit Europian, pasi do të ulte rolin e shteteve të mesme dhe të vogla, dhe do t'u jepte fuqi të plotë shteteve më të mëdha të për vendosur”.

Elona Elezi, portret, shikon drejt e në kamera.
Elona Elezi Korrespondente nga Shqipëria dhe Ballkani