1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Prishtinë-Beograd: Polemika në distancë - Reagon BE

Bekim Shehu
5 Tetor 2020

Bashkimi Evropian pret nga liderët e Ballkanit Perëndimor të përmbahen me deklaratat, që mund të jenë në dëm të fqinjësisë së mirë dhe të pajtimit.

https://p.dw.com/p/3jSgw
Kosovo Regierungsgebäude in Pristina
Fotografi: DW/B. Shehu

Qeveria e Kosovës shpreh zhgënjimin e thellë ndaj disa deklaratave publike të zyrtarëve të lartë të Serbisë, të cilët "hapur vazhdojnë të shfaqin mungesë të thellë respekti për viktimat e luftës në Kosovë, si dhe familjet e tyre, të cilat, prej më shumë se dy dekada vazhdojnë t'i kërkojnë me dëshpërim të afërmit e tyre të rrëmbyer nga forcat serbe”. Kështu thuhet në reagimin e qeverisë së Kosovës pas deklaratave të ministrit të Jashtëm të Serbisë, Ivica Daçiq, i cili në një televizion në Serbi akuzoi serbët, që siç tha "po tregojnë se ku janë varrezat e shqiptarëve nëpër Serbi”. Këto deklarata në Kosovë  u cilësuan kërcënuese për serbët që bëjnë të ditura lokacionet e shqiptarëve të varrosur në territorin e Serbisë.

"Mos u merrni me amerikanët, gjermanët, turqit dhe gjithë të tjerët. Çfarë të bëjmë me serbët, të cilët flasin budallallëqe të ndryshme, iu tregojnë shqiptarëve dhe kroatëve se ku janë të varrosur shqiptarët në gjithë Serbinë”, ka thënë Daçiq për një televizion në Serbi.

Qeveria e Kosovës ndaj deklaratave të tilla mendon se duhet të ketë edhe reagim të bashkësisë ndërkombëtare.

"Këto deklarata skandaloze, përveç që fyejnë rëndë të gjitha viktimat e krimeve serbe, dëshmojnë para botës se Beogradi zyrtar gjatë gjithë këtyre viteve qëllimisht dhe i vetëdijshëm i ka mbuluar gjurmët e krimit, duke e mbajtur të fshehur vendndodhjen e varrezave masive, në të cilat kanë përfunduar qindra-mijëra civilë të pafajshëm”, thuhet në reagimin e qeverisë së Kosovës. Më tej thuhet në reagim se "qeveria e kundërshton këtë mendësi politike”, ndërsa, pret që këtë ta bëjë edhe "bashkësia ndërkombëtare, veçmas Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si faktorë të pazëvendësueshëm të ndërtimit të paqes dhe të perspektivës euroatlantike të Ballkanit Perëndimor”.

Ndërkohë, Bashkimi Evropian, sipas zëdhënësit Peter Stano, kur u pyet nga gazetarët në Bruksel rreth deklaratave të Ivica Daçiqit tha se "pret nga liderët e Ballkanit Perëndimor që të përmbahen me deklaratat të cilat mund të jenë në dëm të fqinjësisë së mirë dhe pajtimit”.

"Do të duhej të ishte e qartë për të gjithë përfaqësuesit e vendeve të cilat kanë aspirata për t'u anëtarësuar në BE, se ata do të duhej të përmbushin detyrimet e tyre për të forcuar raportet e mira fqinjësore dhe bashkëpunimin rajonal. Këto janë vlera të cilat i mbron dhe avancon BE-ja. Liderët politikë duhet vërtetë të jenë shembull duke zgjedhur që të punojnë së bashku, të promovojnë bashkëpunimin dhe klimën e besimit të ndërsjellët, respektit dhe mirëkuptimit, e jo të japin deklarata që shkojnë në të kundërtën”, tha zëdhënësi i BE-së Peter Stano.

Reagime dhe polemika në distancë u zhvilluan edhe ndërmjet kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama dhe zyrtarëve të qeverisë së Serbisë, pas mbledhjes së dy qeverive Kosovë-Shqipëri  dhe ku u nënshkrua marrëveshja që porti i Durrësit të vihet në funksion edhe të doganës së Kosovës.

Pas nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje, Ministri i Mbrojtjes i Serbisë, Aleksandër Vulin, u shpreh se "me deklaratën se porti i Durrësit do të jetë i Kosovës, Edi Rama vazhdoi punën e tij për krijimin e Shqipërisë së Madhe”.

"Shqipëria e Madhe është paralajmërim i fatkeqësive të mëdha, rrënimit dhe shkatërrimit të shteteve dhe kombeve në Ballkan. Vetëm serbët e bashkuar mund të ndalin "Shqipërinë e madhe" dhe sa më parë që të bashkohemi institucionalisht, aq më parë do të fillojë koha e paqes në Ballkan”, deklaroi ministri Vulin. Kjo deklaratë nxiti reagimin e kryeministrit shqiptar Edi Rama, i cili publikisht i kërkoi presidentit të Serbisë Aleksandër Vuçiq të deklarohet nëse deklarata e Vulin "ishte një meme”, përndryshe siç tha, "do të ishte një shfaqje e shpifur e një mendimi mjeran që duhet ta dënosh pa pikën e dyshimit”.

Sidoqoftë, në këtë fazë ku po zhvillohen polemika në distancë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ku u përfshi edhe Shqipëria, Bashkimi Evropian po bën përpjekje që të ndërmjetësojë edhe një takim të nivelit të lartë politik Kosovë-Serbi, përkatësisht kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuqiç në kuadër të dialogut ndërmjet dy vendeve. Në takimet që u zhvilluan në fund të gushtit dhe në shtator u diskutua çështja  e të pagjeturve, ndërsa Beogradi po kërkon që të diskutohet edhe çështja e asociacionit të komunave më shumicë serbe. Kjo temë për Prishtinën zyrtare është e mbyllur dhe nuk pranon të flitet për të.