Plani Itali-Shqipëri: Analiza e specialistit Ruud Koopmans
10 Nëntor 2023DW: Zoti Koopmans, Giorgia Meloni po planifikon një kamp refugjatësh në Shqipëri. Pse?
Koopmans: Ajo shpreson se do të bëhet më pak tërheqëse për njerëzit, veçanërisht ata pa një arsye të mirë për azil, të arrijnë në Evropë përmes Mesdheut.
DW: Pse marrëveshja është diçka e re për BE-në?
Koopmans: Janë bërë disa përpjekje deri tani: një përpjekje me Tunizinë nuk funksionoi. Prandaj, Italia kërkoi partnere të re. Danimarka dhe Britania e Madhe gjithashtu donin të provonin diçka të ngjashme në Ruandë. Nëse kjo marrëveshje zbatohet, do të ishte hera e parë që një ide e tillë vihet në jetë.
DW: Sipas marrëveshjes, Italia do të dërgonte në Shqipërivetëm migrantë që nuk mbërrijnë në kontinent. Përse?
Koopmans: Në det të hapur jashtë ujërave territoriale, detyra e vetme është që njerëzit të sillen në një port të sigurt. Gjërat ndërlikohen kur migrantët kapen në territorin ujor italian. Këtu duhet të respektohen disa rregulla. Procedura e azilit të BE-së thotë se ata mund të dërgohen vetëm në ato vende të treta, me të cilat kanë pasur lidhje. Kur njerëzit nga Sahara vijnë në Itali dhe më pas dërgohen në Shqipëri, ata nuk kanë asnjë lidhje paraprake me Shqipërinë. Kjo mund të ishte juridikisht problematike.
DW: Ministri i Brendshëm shqiptar thotë se Shqipëria vetëm sa do ta vërë territorin e saj në dispozicion të Italisë. Ky kamp do të jetë i rrethuar dhe njerëzit nuk do të lejohen të dalin nga kangjellat. Opozita italiane e quan "Guantanamo”. Çfarë mendoni për këtë emërtim?
Koopmans: Kjo është retorikë e ekzagjeruar. Në Shqipëri janë planifikuar të bëhen procedurat e azilit. Personat që njihen marrin mbrojtje në Shqipëri apo Itali dhe nuk burgosen. Ata që refuzohen duhet të kthehen në vendet e tyre. Megjithatë, kjo nuk është e lehtë në praktikë pasi vendet e origjinës shpesh nuk bashkëpunojnë dhe dokumentet mungojnë. Ky është një problem me të cilin do të përballet edhe Shqipëria. Por nëse njerëzit e dinë se do të duhet të presin në Shqipëri nëse refuzohen, bëhet më pak tërheqëse për ta që të paguajnë para të madhe për kontrabandistët.
DW: A do të funksionojë plani i Melonit?
Koopmans: Nëse ka vetëm një marrëveshje ndërmjet Italisë dhe Shqipërisë, ekziston rreziku i migrimit dytësor: njerëzit që janë refuzuar do të përpiqen të shkojnë në vende të tjera të BE-së. Prandaj, Italia duhet të përpiqet të arrijë një marrëveshje në nivel BE-je me Shqipërinë në mënyrë që të marrin pjesë edhe vendet e tjera. Kjo do të siguronte që personat që refuzohen në Shqipëri të mund të riatdhesohen edhe nga vene të tjera, ku ata mbërrijnë, si për shembull Austria, apo Slovenia.
DW: Në një intervistë të mëparshme, ju sugjeruat që Gjermania të lidhë marrëveshje edhe me vende të treta të sigurta që nuk pranojnë vetëm shtetasit e tyre, duke përfshirë Shqipërinë, Ruandën dhe Ganën. A ka negociata konkrete në këtë drejtim?
Koopmans: Gjithnjë e më shumë vende po kërkojnë zgjidhje. Danimarka, Austria, Holanda dhe Gjermania po diskutojnë për këtë. Shqipëria dhe disa vende fqinje si Maqedonia e Veriut mund të jenë partnerë të mirë pasi janë jashtë BE-së, por duan të anëtarësohen në BE. Marrëveshje të tilla migracioni mund ta bëjnë më të lehtë rrugën e tyre drejt BE-së. Megjithatë, dallimi kryesor midis Ganës, Ruandës dhe Shqipërisë është se azilkërkuesit e refugzuar në Shqipëri mund të përpiqen ende të udhëtojnë në Gjermani. Kur njerëzit çohen në Gana ose Ruanda, është e qartë se ata nuk mund të kthehen lehtësisht në Evropë. Prandaj, Shqipëria do të duhet të kërkojë mbështetje nga vendet e tjera anëtare të BE-së. Ndoshta nuk ka nevojë të përfshihen të gjitha vendet, por do të ishte e rëndësishme që së paku të përfshihen Sllovenia, Kroacia dhe Austria, pasi ato janë vendet e para ku mbërrijnë ata që dëshirojnë të udhëtojnë më tej.
Për personin:
Ruud Koopmans është drejtor i departamentit "Migrimi, Integrimi, Transnacionalizimi" në Qendrën e Shkencave të Berlinit dhe profesor i sociologjisë dhe kërkimit të migracionit në Universitetin Humboldt në Berlin dhe gjithashtu kryen funksione të rëndësishme këshilluese, për shembull si anëtar i Bordit Këshillimor Shkencor të Zyra Federale për Migracionin dhe Refugjatët.