1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Padi për dëshmi të rreme kundër kryekëshilltarit të zv/presidentit amerikan Dik Çejni

Daniel Scheschkewitz30 Tetor 2005

Ljuis Libi, një nga arkitektët e luftës në Irak jep dorëheqjen

https://p.dw.com/p/ArNX
Lewis Libby
Lewis LibbyFotografi: AP

Një prokuror i posaçëm i caktuar nga presidenti amerikan Bush ka ngritur të premten padi kundër shefit të shtabit të zv/presidentit të ShBA Dik Çejni, Ljuis Libi. Libi është akuzuar për dëshmi të rreme dhe pengim të punës së drejtësisë në pesë raste. Kryekëshilltari dhe njeriu i besuari i Çejnit thuhet se ka mashtruar drejësinë në lidhje me zbulimin e identitetit të agjentes së CIA-s Valeri Plejm. Libi dha dorëheqjen menjëherë pas bërjes publike të padisë.

Ljuis Libi ishte deri të premten e kaluar jo vetëm shefi i shtabit në zyrën e zv/presidentit amerikan. Ai prej vitesh ishte dhe këshilltari i Çejnit për çështjet e sigurisë dhe ka marrë pjesë në të gjitha vendimet e rëndësishme politike të qeverisë Bush ndër të tjera edhe në vendimin për fillimin e luftës kundër Irakut.
Mbi Libin rëndon tani dyshimi se ka marrë pjesë në zbulimin e qëllimshëm të identitit të agjentes së CIA-s Valeri Uillson Plejm. Prokurori i posaçëm Patrik Ficxherald e ka akuzuar atë se ka mashtruar drejtësinë në sqarimin e këtij akti penal. Libi ka pretenduar vazhdimisht se ka mësuar nga gazetarët për veprimtarinë agjenturore të Uillson-Plejm. Por prokurori Ficxherald mbron tjetër tezë:"Historia e z.Libi se ka qenë në fund të një zinxhiri telefonatash në të cilat informacioni është dhënë nga një reporter tek tjetri nuk i përgjigjet së vërtetës. Libi ka qenë në krye të këtij zinxhiri informacionesh. Ai ishte i pari zyrtar qeveritar që ia ka kaluar këtë informacion një gazetari. Në këtë çështje ai ka gënjyer dhe madje nën betim e disa herë."
Për dëshminë e rreme nën betim në SHBA dënimi më i lartë është heqja e lirisë për pesë vjet. Tani pritet proçesi për Libin.
Valeri Uillson Plejm u zbulua dy vjet më parë si agjente e CIA-s. Mendohet se bëhej fjalë për një akt hakmarrjeje pasi bashkëshorti i saj Xhosef Uillson pati shfaqur hapur dyshimet e tij për argumentimin e luftës së Irakut. Uillson, një ish ambasador i SHBA gjatë një misioni sekret të CIA-s përpara luftës së Irakut nuk kishte arritur të gjente asnjë dëshmi për akuzat kundër ish presidentit irakian Sadam Husein për blerjen e uranit të pasuruar në Nigeri në vitet '90. Pak para zbulimit të identitetit të së shoqes, Uillson kishte shprehur kritikë publike kundër politikës së presidentit Bush ndaj Irakut.
22 muaj më vonë prokurori i posaçëm Patrik Ficxherald pati hetuar se çfarë dinin Libi dhe zyrtarë të tjerë të lartë në Shtëpinë e Bardhë mbi agjenten e CIA-s dhe në çfarë kohe. Nga hetimet rezultoi se Libi ishte informuar të paktën në tre raste nga nënpunës qeveritarë, ndër të cilët edhe nga vetë shefi i tij Dik Çejni, mbi agjenten e CIA-s dhe martesën e saj me Xhozef Uillson, përpara se të bëhej zbulimi publik i identitetit të saj në korrik të 2003 në një artikull gazete.
Përpara se të ngrihej padia presidenti Bush kishte përjashtuar disa herë mundësinë që një zyrtar qeveritar i paditur për pjesëmarrje në këtë skandal të mund të punonte edhe më tej në Shtëpinë e Bardhë.
"Plamegate" siç quhet ndërkohë skandali rreth zbulimit të identitetit të agjentes së CIA-s duke rikujtuar kështu skandalin Watergate që në vitet '70 i kushtoi postin presidentit Nikson, mund ta ndjekë presidentin Bush deri në fund të mandatit të tij. Hetime po kryhen edhe ndaj këshilltarit kryesor të presidenti Bush Karl Rove.