Për herë të parë një grua në postin e tretë për nga rëndësia në ShBA - Nensi Pelozi | Politika | DW | 18.11.2006
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Politika

Për herë të parë një grua në postin e tretë për nga rëndësia në ShBA - Nensi Pelozi

Me 66 vjeçaren Nensi Pelozi për herë të parë një grua në ShBA do të mbulojë postin e rëndësishëm politik të kryetarit të dhomës së përfaqësuesve. Partia demokratike emëroi të enjten (16.11) deputeten e Kalifornisë njëzëri për këtë post, që ajo do ta marrë automakisht, kur të mblidhet kongresi i ri i ShBA në janar. Demokratët në zgjedhjet e javës së shkuar për herë të parë qysh prej më shumë se 16 vjetësh fituan sërish shumicën në dy dhomat e kongresit.

Nensi Pelozi tek Xhorxh Bushi në Uashington

Nensi Pelozi tek Xhorxh Bushi në Uashington

Pelozi është gruaja e parë në postin e tretë politik për nga rëndësia në ShBA. Deputetja aktive, e cila as që duket se është 66 vjeçe, të gjithë këtë e festoi si një sukses për emancipimin e gruas: "Unë ende nuk ia kam arritur qëllimit, tek e fundit kam pritur 200 vjet për këtë."

Deputetja nga San Françisko, që përfaqëson qysh prej 16 vjetësh partinë demokratike në parlament, është që nga viti 2002 kryetare e fraksionit të partisë së saj në dhomën e përfaqësuesve. Ajo është një ndër të paktat deputete të fraksionit të saj, që në të njëjtin vit votoi kundër rezolutës, me të cilën kongresi i dha kompetenca të plota Bushit për drejtimin e luftës në Irak. Qysh natën e zgjedhjeve javën e kaluar Pelozi që konsiderohet si liberale e majtë, deklaroi ndryshimin e kursit sa i përket politikës ndaj Irakut: "Askund tjetër si në temën e Irakut amerikanët nuk e kanë bërë kaq të qartë, se ne kemi nevojë për një drejtim të ri. Sepse duke iu përmbajtur kursit të Bushit vendi ynë nuk është bërë as më i sigurtë, as ne nuk i jemi përgjigjur detyrimit të vendit tonë ndaj ushtarëve tanë, as Lindja e Mesme nuk është bërë si rjedhojë më e sigurtë."

Njëkohësisht me emërimin si kryetare e dhomës së përfaqësuesve deputetët e partisë së saj bënë që Pelozi të përjetojë një dështim të fortë politik po të enjten (16.11). Shefja e parlamentit propozoi deputetin Xhon Murta si shef të ri të fraksionit. Murta në vitin 2005 u angazhua ndër të parët në partinë e tij për tërheqjen e trupave nga Iraku. Por kandidati i Pelozit humbi kundrejt më të riut Steny Hojer. Pelozi e pranoi këtë me arësye dhe duke e uruar Hojerin deklaroi: "Siç e dini, kolegët e mi e kanë zgjedhur deputetin e vlerësuar Hojer si drejtues të mazhorancës demokrate. Unë gëzohem për këtë, të bashkëpunoj me të dhe të nisim një kurs të ri së bashku për vendin tonë, që nuk favorizon vetëm të privilegjuarit."

Me Nensi Pelozin, politikanen këmbëngulëse dhe nënën e pesë fëmijëve, do t´i duhet edhe Xhorxh Bushit të bashkëpunojë. Por s´ka më të ndryshëm se këta të dy. Pelozi është për të drejtat e homoseksualëve, të drejtën e abortit dhe të tjera pozicione klasike "liberale". E megjithatë, siç thuhet, takimi i parë midis të dyve në shtëpinë e bardhë ka kaluar në një atmosferë komode. Pelozi nxori këtë bilanc prej vizitës së saj tek Bushi: "Ne patëm një takim mjaft produktiv dhe kemi biseduar, se si mund të bashkëpunojmë në disa fusha përtej partive në të mirë të vendit. Ishte mjaft pozitive."

Me Nensi Pelozin dhe ish-first lejdin në shtëpinë e bardhë, senatoren Hilari Klinton, Amerika ka tashmë më shumë se dy gra në poste kyçe, të cilat s´kanë përse të fshihen pas hijes së presidentit.

  • Data 18.11.2006
  • Autor Daniel Sheshekvic
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Aqny
  • Data 18.11.2006
  • Autor Daniel Sheshekvic
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Aqny