Orban: ″Fundi i demokracisë liberale″ | Evropa | DW | 11.05.2018
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Orban: "Fundi i demokracisë liberale"

133 deputetë të partisë Fidesz dhe përfaqësuesit e pakicës gjermane votuan pro zgjedhjes së Viktor Orbanit si kryeministër. 28 anëtarë të opozitës votuan kundër tij, 36 abstenuan.

Pas rizgjedhjes në postin e kryeministrit Orban shpjegoi përpara parlamentit në Budapest idetë e tij për të ardhmen e Hungarisë dhe lavdëroi arritjet gjatë kohës së qeverisjes së tij. Në fjalimin e tij ai u shpreh për "fundin e demokracisë liberale". Vitet e fundit u arrit që "demokracia e vjetër liberale që po mbytej të zëvendësohet me një demokraci të krishterë të shekullit të 21-të". Kjo garanton lirinë dhe sigurinë e njerëzve, tha Orban. Qeveria e tij do të vazhdojë të luftojë kundër imigracionit dhe të luftojë për mbrojtjen e kufijve.

Lidhur me Bashkimin Evropian Orban tha se BE-ja duhet "të heqë dorë nga ëndërat e këqija dhe të çmendura të Shteteve të Bashkuara të Europës dhe t'u kthehet realiteteve". Një hap i parë është të mendosh për politikën e imigracionit. Orbani përsëriti refuzimin e tij për kuota të BE-së për shpërndarjen e refugjatëve ndërmjet shteteve anëtare dhe theksoi nevojën për të mbrojtur kufijtë.

Të bëjmë të pamundurën

Në fjalën e tij Orbani deklaroi gjithashtu se ai ka bërë plane perspektive deri në vitin 2030. Deri atëherë Hungaria duhet të bëjë pjesë ndër pesë vendeve më të mira në BE, tha ai. Shumë mund ta konsiderojnë sot këtë gjë të pabesueshme. "Por ne duhet të bëjmë të pamundurën, sepse të mundurën mund ta bëjnë edhe të tjerët", tha ai.

Kundërshtarët e tij thonë se Orbani e siguroi fitoren e fundit zgjedhore duke bërë thirrje kundër emigrantëve dhe duke luftuar miliarderin hungarezo-amerikan George Soros, të cilin e ka shpallur si armikun publik numër një të Hungarisë. Orbani e akuzon Sorosin se ka organizuar shpërnguljen masive të imigrantëve muslimanë nga Afrika dhe Lindja e Mesme për në Evropë.

Kritika nga brenda dhe jashtë

Aspekte të tjera të kritikave brenda dhe jashtë vendit ndaj Orbanit kanë të bëjnë me ndërhyrjet në sistemin e drejtësisë dhe kufizimin e lirisë së shtypit dhe të mendimit. Orbani është në konflikt me BE-në jo vetëm për shkak të politikës së azilimit, por edhe për shkak të shpërdorimit të fondeve të BE-së.

54-vjeçari Orban zgjidhet për herë të tretë radhazi kryeministër i Hungarisë, ndërkohë që është për herë të katërt në krye të një qeverie hungareze. Partia e tij konservatore e djathtë Fidesz fitoi me një shumicë prej dy të tretash në zgjedhjet parlamentare në fillim të prillit dhe së bashku me partneren në koalicion arritë të ndryshojë kushtetutën.