Nënshkruhet marrëveshja për rihapjen e linjës ajrore Prishtinë-Beograd | Ballkani | DW | 20.01.2020
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages
Reklamë

Ballkani

Nënshkruhet marrëveshja për rihapjen e linjës ajrore Prishtinë-Beograd

Marrëveshja , që synon rihapjen e linjës ajrore Prishtinë-Beograd, u nënshkrua në Berlin në ambasadën e SHBA. Fluturimet Prishtinë-Beograd dhe anasjelltas në të ardhmën do të realizohen nga kompania gjermane Lufthansa.

Në Kosovë dy udhëheqësit më të lartë të shtetit, Presidenti Hashim Thaçi dhe kryemnistri në largim Ramush Haradanaj e mirëpritën nënshkrimin e marrëveshjes në Berlin, me të cilën synohet rihapja e linjës ajrore Prishtinë-Beograd. Marrëveshja u nënshkrua në ambasadën e SHBA-së në Berlin, nga sekretari shtetëror në Ministrinë serbe të Ekonomisë Milun Trivunaç, dhe Eset Berisha drejtor i Autoritetit të Aviacionit Civil të Kosovës. Në ceremoninë e nënshkrimit ndërmjetësues ishin ambasadori i SHBA-së në Berlin, Richard Grenell që është edhe i dërguar special i presidentit Donald Trump për bisedimet Kosovë-Serbi, si dhe këshilltari amerikan për Siguri Kombëtare, Robert O'Brien.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, mirëpriti kërkesën për hapjen e linjës ajrore Prishtinë-Beograd. Thaçi e cilësoi "një hap të rëndësishëm në procesin e normalizimit të marrëdhënieve në mes të të dyja vendeve”.

"Unë mirëpres kërkesën e Lufthansa-s për të hapur një linjë ajrore midis Prishtinës dhe Beogradit. Ky është një hap i rëndësishëm për lëvizjen e qytetarëve dhe procesin e normalizimit. I jam mirënjohës këshilltarit Robert O'Brien dhe ambasadorit Richard Grenell për çuarjen përpara të këtij procesi”, shkroi Thaçi në profilin e tij në facebook.

Në këtë linjë u shpreh edhe kryeministri i Kosovës ende në detyrë, Ramush Haradinaj.

"Nisma për hapjen e linjës së tretë civile ajrore për fluturime komerciale me Serbinë, pas Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, është një hap i madh në përparimin e marrëdhënieve të mira fqinjësore dhe konsolidimin e sovranitetit të Kosovës”, shkroi Haradinaj në Twitter.

Ndërkohë, drejtori i Autoritetit të Aviacionit Civil të Kosovës, Eset Berisha, ka thënë se me nënshkrimin e kërkesës së sotme për rihapjen e linjës ajrore Prishtinë-Beograd, vendoset kontakti mes dy autoriteteve të aviacionit civil, atij të Kosovës dhe atij të Serbisë si partnerë të barabartë.

"Ky është hap i parë drejt normalizimit të plotë të hapësirës ajrore të Kosovës dhe hapjen e korridoreve ajrore me të gjitha shtetet përreth saj. Nga kjo do të përfitojnë më së shumti qytetarët e Kosovës që shfrytëzojnë shërbimet e Aeroportit të Prishtinës”, citojnë mediet lokale të ketë thënë Eset Berisha.

Nga ana tjetër, mediet në Serbi citojnë drejtorin e zyrës për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriç, të ketë thënë se "linja ajrore mund të jetësohet pas heqjes së takasave nga qeveria e Kosovës për prodhimet e Serbisë dhe pas rifillimit të dialogut Beograd-Prishtinë”.

Pas nënshkrimit të marrëveshjes dhe kërkesës për rihapjen e linjës ajrore Prishtinë-Beograd, i menjëhershëm ishte edhe reagimi i Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s Jens Stoltenberg. Hapësira ajrore e Kosovës, ende kontrollohet nga NATO, përkatësisht nga trupat e KFOR-it, ndonëse Kosova e ka shpallur pavarësinë që në vitin 2008.

"Ky është një hap i rëndësishëm që do të lehtësojë lëvizjen e njerëzve dhe mallrave në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Komandanti i misionit tonë të KFOR-it mban autoritetin për hapësirën ajrore të Kosovës sipas Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. NATO-ja do të mbetet e përfshirë në procesin e gjatë të normalizimit të trafikut ajror në Ballkan”, thuhet në reagimin e zotit Stoltenberg.

Ambasadori amerikan në Berlin Richard Grenell, që është i dërguar i posaqëm i Presidentit amerikan Donald Tramp në dialogun Kosovë-Serbi e që thuhet se ndërmjetësoi marrëveshjen e sotme, shkroi në Twitter se "presidenti amerikan, Donald Trump, edhe një herë tjetër na mundësoi një fitore historike. Kosova dhe Serbia sot nënshkruan një marrëveshje për të vendosur fluturimin e parë ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit në 21 vjet”.