1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Grenell: Iniciuan deklaratën hekurudhore

27 Janar 2020

Ambasadori Amerikan në Gjermani, Richard Grenell, i cili është njëkohësisht i ngarkuari special i presidentit Trump për dialogun Serbi-Kosovë, zhvilloi në Berlin biseda për marrëveshjen hekurudhore.

https://p.dw.com/p/3Wsk8
Deutschland | US-Botschafter Richard Grenell
Fotografi: Getty Images/S. Gallup

Pas arritjes së deklaratës për marrëveshjen e mirëkuptimit për rihapjen e linjës së parë ajrore Prishtinë-Beograd, ambasadori amerikan në Berlin, Richard Grenell, nisi sot punën për një tjetër deklarate që do të hapte rrugën për një tjetër bashkëpunim në kuadër të normalizimit të marrëdhënieve mes Serbisë dhe Kosovës. 

"Bëmë progres të mirë këtë mëngjes duke nisur hartimin e një letre qëllimi për bashkëpunimin hekurudhor. Diskutimet shkuan aq mirë, saqë folëm edhe për çështje të tjera," u shpreh Grenell të hënën pasdite në Berlin. 

Grenell tha më tej: "Do të punojmë përmes postës elektronike për të finalizuar letrën deri përafërsisht në javën e ardhshme". Diplomati amerikan iu falënderua edhe përfaqësuesve të Serbisë dhe Kosovës që morën pjesë në takimin e paradites sot në Berlin.

Javën e kaluar, më 20.01. 20, i dërguari i presidentit amerikan Trump në Kosovë, Richard Grenell kishte arritur të ndërmjetësonte mes Lufthansës, Kosovës dhe Serbisë, për të rihapur pas mbi 21 vjetësh, linjën ajrore Prishtinë-Beograd. Grenell po realizon kështu planin e tij si ndërmjetësues në dialogun normalizues për t'u përqendruar te zhvillimi ekonomik, e duke a anashkaluar çështjet e mëdha politike.