1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Lajçak: Dua që Kosova të përparojë në rrugën evropiane

Bekim Shehu
16 Qershor 2020

I ngarkuari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë Serbi, Mirosllav Lajçak, zhvillon(16.06) vizitën e tij të parë në Prishtinë dhe Beograd, në përpjekje për të rinisur dialogun ndërmjet palëve.

https://p.dw.com/p/3dtBA
Slovakei Außenminister Miroslav Lajcak
Fotografi: DW

I ngarkuari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë Serbi Mirosllav Lajçak, tha në Prishtinë, se ai pret bashkëpunim me SHBA-në për dialogun Kosovë-Serbi. Sipas tij, gjithcka që është arritur deri tash në këtë dialog është rezultat i një bashkëpunimi të ngushtë SHBA-BE. Këtë deklaratë Mirosllav Lajqak e bëri në Prishtinë pas disa takimeve të ndara që zhvilloi me tre udhëheqësit kryesorë politik kosovar, presidentin Hashim Thaçi, kryeministrin Avdullah Hoti dhe kryetaren e parlamentit Vjosa Osmani. Lajçak viziton Kosovën vetëm një ditë pasi i ngarkuari nga presidenti i SHBA Donald Trump në dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, bëri të ditur se më 27 qershor me një takim në Shtëpinë e Bardhë në Ushaington, Kosova dhe Serbia rinisin dialogun. Mirosllav Lajçak thotë, se ai do të bashkëpunojë në këtë proces me SHBA-në, ndërsa ende nuk e di nëse do të marrë pjesë në takimin e 27 qershorit në Uashington.

"Gjithçka që është arritur në dialog është rezultat i punës së përbashkët dhe të ngushtë mes SHBA-së dhe BE-së dhe pikërisht është kjo ambicie që të vazhdojmë në këtë mënyrë dhe presim bashkëpunim shumë të ngushtë me SHBA-në”, tha Lajçak pas një takimi që zhvilloi me presidentin Thaçi.

"Mandati im është shumë i qartë, të ndihmoj në arritjen e një marrëveshjeje ligjërisht obliguese mes Kosovë dhe Serbisë që do të normalizojë marrëdhëniet dhe do të zgjidhë të gjitha problemet dhe do të jetë e pranueshme për vendet e rajonit dhe vendet anëtare të BE-së. Unë pres ta mbyll këtë proces që ka nisur më 2011 me një konkluzion të suksesshëm dhe kjo është pikërisht ajo që dua ta bëj”, tha Mirosllav Lajçak, duke njoftuar se vizitën do ta vazhdojë në Beograd, që siç tha "të rinisim përgatitjet për dialogun në Bruksel shumë shpejt”.

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi nga ana e tij, tha se kërkesa e Kosovës drejtuar Bashkimit Evropian është shumë e qartë, "liberalizimi i vizave dhe njohja reciproke e Kosovës nga Serbia”.

"Ne kemi besim të patundur dhe besim të plotë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, përqafojmë vlerat evropiane dhe jemi evropianë, dhe në ketë drejtim do të punojmë fuqishëm që këto vlera të ngadhënjejnë, por edhe të jemi të vlerësuar nga BE. E theksoj, Bashkimi Evropian, (i thashë edhe zotit Lajçak), është vonuar në raport me procesin e liberalizimit të vizave me Kosovën, është vonuar shumë dhe duhet të lëvizë më shpejt”, tha presidenti Thaçi, duke bërë të ditur njëkohësisht se pala kosovare më 27 qershor do të udhëtojë për në SHBA.

"Kosova do të jetë më datën 27 qershor në Shtëpinë e Bardhë, ne besojmë plotësisht në angazhimin e sinqertë dhe shumë të vendosur të administratës së SHBA-së, por në fund të fundit për ne është me rëndësi jetike, dhe besoj se do të ndodhë, që edhe SHBA-ja edhe BE-ja do të kenë një koordinim të suksesshëm si partnerë strategjikë për Kosovën, Serbinë, Ballkanin Perëndimor për të ardhmen euroatlantike të tërë rajonit si tërësi”, tha presidenti Hashim Thaçi.

"Çdo përpjekje që çon në normalizimin e plotë të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë që nënkupton edhe paqe dhe stabilitet në Ballkanin Perëndimor është e mirëseardhur. Dua të besoj që do të kemi veprime konkrete dhe dobi për dy vendet dhe popujt tanë nga ky angazhim”, tha Thaçi.

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, nga ana e tij, pas takimit me Lajçak, tha se  dialogu duhet përfundimisht të përmbyllë një marrëveshje dhe çështjet e hapura që Kosova ka me Serbinë, e që nënkupton njohje reciproke.

"Kjo marrëveshje është e rëndësishme sigurisht për Kosovën dhe për Serbinë, për qytetarët e të dy vendeve, por është e rëndësishme edhe për gjithë rajonin dhe për stabilitetin e tërësishëm të Bashkimit Evropian. Vendi ynë është brenda BE-së dhe unë jam shumë i kënaqur dhe i inkurajuar me mesazhet që zoti Lajçak na i tregoi dhe i shfaqi para nesh, për përkushtimin e tij për këtë proces, në emër të 27 vendeve të BE-së”, tha kryeministri Hoti. Mirosllav Lajçak, pas takimit me Hotin tha, se edhe në një rezolutë të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, në mënyrë të qartë thuhet, se përparimi i Kosovës drejt BE-së kalon përmes normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë.

"Dua po ashtu të theksoj se rruga e Kosovës drejt BE-së shkon përmes normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë dhe kjo gjë është thënë edhe në mënyrë eksplicite në rezolutën e vitit 2010 të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, që është bazë e këtij dialogut. Unë dua që Kosova të përparojë në rrugën evropiane dhe kjo nuk mund të bëhet nga askush tjetër, përpos nga Bashkimi Evropian”, tha Lajçak. I ngrakuari i BE-së në dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak në takimin që zhvilloi edhe me kryetaren e kuvendit të Kosovës Vjosa Osmani. Kjo e fundit tha, se në procesin e dialogut Kosovë-Serbi nuk duhet të ketë negocijim për territore.

"Shpreha gatishmërinë që të kemi rol sa më mbikëqyrës mbi qeverinë që është e vetmja që duhet ta përfaqësojë Kosovën në këtë proces. Presim të ketë dialog mes dy palësh të barabarta dhe se ka kuptim vetëm nëse përfundon me njohje të ndërsjelltë. Si Kuvend kemi miratuar shumë rezoluta që presim të respektohen nga qeveria, që s'ka negocim për territorin, sovranitetin e rendin tonë të brendshëm”, tha kryetarja e kuvendit Vjosa Osmani.

Vizita në Kosovë e të ngarkuarit të BE-së në dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, është e para qëkurse në prill ai u ngarkua me këtë detyrë. Pas vizitës në Kosovë, Mirosllav Lajçak viziton Beogradin.

Një ditë më parë ndërkaq, sapo Richard Grenell njoftoi për takimin Kosovë-Serbi në Shtëpinë e Bardhë me 27 qershor, Presidenca e Serbisë, njoftoi se presidenti serb Aleksandër Vuçiq ka zhvilluar një bisedë telefonike me presidentin e Rusisë Vlladimir Putin. Siç thuhet në komunikatën e presidencës serbe, "Rusia do ta mbështesë Serbinë kur bëhet fjalë për Kosovën dhe se është e qartë që asnjë vendim nuk do të mund të sillet pa Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara”. Sipas presidencës së Serbisë, Vlladimir Putin ka thënë se "për Kosovën do të bisedojë kokë më kokë me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, javën e ardhshme në Moskë”. Presidenti i Serbisë, do të jetë i pranishëm në Paradën e Fitores në Moskë më 24 qershor, me të cilën do të shënohet 75-vjetori i fitores mbi fashizmin. Presidenti i Serbisë, thuhet më tej në komunkatë "e ka falënderuar Putinin për mbështetjen aktive të Rusisë për interesat shtetërore dhe kombëtare të Serbisë, mbi parimet e së drejtës ndërkombëtare dhe drejtësisë”.

Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, u ndërpre në nëntorin e vitit 2018 kur qeveria e Kosovës e udhëhequr nga Ramush Haradinaj, vendosi tarifë 100% ndaj mallrave serbe. Që nga ajo kohë, Beogradi e ka kushtëzuar rikthimin në tavolinën e bisedimeve me heqjen e tarifës dhe së fundi edhe të reciprocitetit, masë kjo e Kosovës  që nuk u mbështetë as nga faktori ndërkombëtar.