Lajçak: Dialogu kthehet në binarë - vazhdon të enjten | Ballkani | DW | 12.07.2020
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages
Reklamë

Ballkani

Lajçak: Dialogu kthehet në binarë - vazhdon të enjten

Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë ka vazhduar të dielën me një video-konferencë, të organizuar nga Miroslav Lajçak. Morën pjesë edhe Borrel, Hoti dhe Vuçiq.

Përfaqësuesi i Bashkimit Evropin në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak u shpreh shumë i kënaqur për "kthimin e dialogut në binarë". Kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti dhe presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq janë dakorduar në video/konferencën e sotme (12 korrik) që të takohen të enjten në Bruksel. Takimi i sotëm është mbajtur përmes një video-konference dhe është mbështetur nga vet shefi i diplomacisë evropiane Josep Borrel.

Lajçak i kënaqur

"Jam i lumtur të them se pas Samitit të Parisit dhe takimit të sotëm midis Kosovës dhe Serbisë, dialogu i lehtësuar nga BE-ja, për normalizimin e marrëdhënieve është kthyer në rrugë të drejtë, pas 20 muajsh. Pjesëmarrësit kanë rënë dakord për elementet kryesore të procesit. Takimi i radhës do të mbahet të enjten në Bruksel”, tha Lajçak në fund të takimit, duke falënderuar palët për "qëndrim konstruktiv".

Në prag të takimit të sotëm është prononcuar edhe Përfaqësuesi i Lartë i BE për Politikë të Jashtme dhe Siguri Josep Borrel, i cili tha se "arritja e një marrëveshjeje është thelbësore për qytetarët e Kosovës dhe Serbisë". Kjo marrëveshje sipas tij, duhet të jetë "gjithpërfshirëse, finale dhe ligjërisht obliguese".

Borelli tha se "mirëpret përkushtimin e të dyja palëve". "Synimi ynë është i qartë, të rifillojmë punën serioze dhe të ngjeshur për normalizimin e raporteve mes dy palëve”.

Borrel pohon se BE vazhdon të jetë e përkushtuar për lehtësimin e arritjes së një marrëveshje gjithpërfshirëse, finale dhe ligjërisht obliguese për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë. Kjo marrëveshje duhet të adresojë të gjitha çështjet e hapura dhe "është esenciale për një të ardhme më të mirë, për njerëzit në Kosovë dhe Serbi, për perspektivën evropiane të këtyre vendeve, sigurinë dhe stabilitetin e rajonit. E gjithë kjo është thelbësore edhe për Bashkimin Evropian”, theksoi Borrel duke shtuar se "mungesa e një zgjidhjeje e pengon zhvillimin e të dyja palëve”.

"Nuk është proces i lehtë"

Borrel u shpresh se ky nuk është një "proces i lehtë" dhe se i tillë nuk ka qenë kurrë. Por ky është një proces urgjent, ku duhet të punohet drjet paqes dhe stabilitetit, për një të ardhme më të mirë.

"Kjo kërkon guxim politik nga të dyja palët. Kërkon përkushtim dhe angazhim në frymën e kompromisit dhe pragmatizmit”, theksoi Borrell.

Me synim nxitjen e dialogut dhe intensifikimin e takimeve, të premten është mbajtur edhe samiti i Parisit, i organizuar nga presidenti Macron dhe kancelarja Angela Merkel. Ishte ky takimi i parë përmes videos i kryeministrit të Kosovës Hoti dhe presidentit të Serbisë Vuçiq.

Diplomatët në Bruksel dhe Paris thonë se edhe këto takime kanë dëshmuar, se marrëveshja mes Prishtinës dhe Beogradit nuk do të jetë fare e lehtë, pasi që palët kanë qëndrime shumë të largëta mes vete. Por marrëveshja mund të arrihet vetëm përmes dialogut.

Takimi i sotëm është dashur të mbahet në Bruksel. Por palët kanë rënë dakord që takimi i parë të mbahet përmes videos, ndërsa takimi i parë real të mbahet me 16 korrik.