1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kuvendi i Kosovës miratoi projektligjin për dialog

Bekim Shehu
3 Shkurt 2019

Në projektligj thuhet se delegacionit i jepet një mandat i qartë dhe se ai duhet t'i përgjigjet kuvendit të Kosovës dhe qytetarëve. Fjala kryesore e ligjit do të jetë kushtetuta e Kosovës.

https://p.dw.com/p/3CeY5
Kosovo Parlament in Pristina
Fotografi: Reuters/H. Reka

Pas një seance maratonike që zgjati deri në orët e vona të natës së shkuar, ku u diskutua edhe buxheti i Kosovës, parlamenti ka miratoi në parim projektlligjin që përcakton detyrat dhe përgjegjësitë e delegacionit të Kosovës në procesin e dialogut me Serbinë. Kundërshtime të ashpra patën dy partitë më të mëdha opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe lëvizja Vetëvendosja. Megjithatë propozimi mori shumicën e thjeshtë 61 vota, me ndihmën e një partie tjetër opozitare PSD, kryetari  i së cilës Shpend Ahmeti, është bashkëkryesus i ekipit shtetërorë.

Belgien Brüssel Fatmir Limaj und Shpend Ahmeti
Fotografi: DW/V. Gacaferri

Delegacioni vepron mbi bazën e Kushtetutës dhe karshi interesave strategjike

Në projektligj thuhet se i jepet një mandat  i qartë delegacionit, e mbikqyre dhe rregullon llogaridhënien politike para parlamentit të Kosovës dhe qytetarëve. "Projektligji synon të rregullon përbërjen e barabartë të të gjitha subjekteve politike në parlament, të atyre në koalicionin qeveritar dhe në opozitë, se si të përfaqësohen në delegacionin e Kosovës. Ai rregullon hierarkinë dhe vendimmarrjen në procesin e bisedimeve”. Në projektligj thuhet po ashtu se rregullohen edhe çështjet se çfarë mund dhe çfarë nuk mund të negociohet, cilat janë vijat e kuqe në këtë proces, funksionimi i delegacionit shtetëror, struktura dhe përgjegjësitë e tij si dhe koordinimi ndërmjet delegacionit shtetëror të Kosovës dhe institucioneve tjera të vendit”.

Njëri nga anëtarët e delegacionit, zëvëndëskryeministri Enver Hoxhaj, thotë se më e rëndësishmja e këtij ligji është se parlamenti i Kosovës bëhet pikënisja e bisedimeve. Ndërsa çdo marrëveshje po ashtu duhet në parlament të miratohet.

New York, Enver Hoxhaj, Veranstaltung "10 Jahre Unabhängigkeit Kosovos"
Fotografi: DW/Aida Cama

"Gjatë vitit 2018 në debatet rreth dialogut, ka pasur dallime në qasjen tonë në dialog, ka pasur një kërkesë të vazhdueshme që parlamenti i Kosovës duhet të jetë ai që duhet të vendosë se si do të duket dialogu dhe si do të forcohet dialogu. Ne mendojmë që me këtë projektligj janë dhënë të gjitha parametrat e duhura. Pra, çështja e përfaqësimit në dialog tash po rregullohet në mënyrë të mirëfilltë”, tha Enver Hoxhaj.

Opozita kundër

Kundër këtij ligji janë dy partitë opozitare, LDK dhe lëvizja Vetëvendosja. Lideri i Vetëvendosjes Albin Kurti,  thotë se dialogu me Serbinë duhet të nisë nga fillimi, duke kritikuar përbërjen e delegacionit dhe projektligjin për bisedime me Serbinë.

"Kur flet për delegacionin shtetëror, ky projektligj flet për delegacionin në koordinim me institucionet e tjera si Presidenti. Pozicioni tjetër që përgënjeshtrohet me këtë projektligj është vendimmarrja. Delegacioni shtetëror i ka marr 59 vota jo 61, pra nuk e kanë as shumicën e thjeshtë. Pozicioni i tretë është që opozita është përcaktuese në vendimmarrje, është e pavërtetë, sepse opozita ka katër anëtarë, në këtë rast katër votat e opozitës nuk kanë asnjë mundësi. Nuk mund të quhet delegacion shtetëror, realisht është delegacion qeveritar që është në funksion të Presidentit”, tha Albin  Kurti.

Edhe përfaqësuesit e LDK-së thonë se mbështetja e delegacionit shtetëror me projektligj, është mbështetje "për ndarje të Kosovës”.

Vjosa Osmani, Politikerin Kosovo
Fotografi: DW/Bahri Cani

"Përmes këtij projektligji, Presidenti i vendit po legalizon planet e tij për copëtimin e vendit. Projektligji hap rrugë që negociatat për territor të vazhdojnë duke mos lënë asnjë vijë të kuqe për asnjë temë. Ky ligj lejon negocimin edhe të shkëmbimit, asociacionit të komunave serbe etj”, tha deputetja e LDK-së Vjosa Osmani.

Sidoqoftë, megjithë miratimin  në parlament të projektligjit për dialog me Serbinë, dialogu tash e disa muaj është i bllokuar për shkak që Serbia nuk po pranon ta rinisë dialogun pa e hequr qeveria e Kosovës një taksë që i detyron mallrat serbe që hyjnë në Kosovë të paguajnë tarifë prej 100%. Masa është vendosur pas vlerësimit të autoriteteve dhe kryeministrit Ramush Haradinaj, i cili thotë se "Serbia po bënë agresion politik dhe diplomatik kundër anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare dhe kundër njohjes së saj”.

Prishtina zyrtare ndodhet para një presioni të madh ndërkombëtarë, përfshirë atë të SHBA-së, që të pezullohet taksa dhe t'i hapet rrugë dialogut. Kryeministri Haradinaj ka hedhur poshtë këto kërkesa. Deri tani.