1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kosovë:Kuvendi me rezolutë për sulmin e 24 shtatorit në veri

28 Shtator 2023

Në rezolutën e Kuvendit të Kosovës, miratuar me 97 vota pro, theksohet nevoja e një hetimi ndërkombëtar për shtetin e Serbisë dhe rolin e saj në sulmin në veri, ku mbeti i vrarë një rreshter i policisë së Kosovës.

https://p.dw.com/p/4Ww59
Kosovo | Pristina | Parlamentssitzung
Fotografi: Office of the Kosovo Parliament

Kuvendi i Kosovës e miratoi një rezolutë, e cila e dënon sulmin e 24 shtatorit  ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë të Zveçanit dhe përmend nevojën e një hetimi ndërkombëtar përshtetin e Serbis dhe rolin e saj në këtë sulm. Rezoluta u miratua me 97 vota pro, asnjë votë kundër dhe asnjë abstenim. Në Banjskë të Zveçanit një grup i armatosur sulmoi policinë dhe vrau një rreshter të policisë, ku nga përleshja më pas u vranë tre sulmues. Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, duke lexuar tekstin e rezolutës tha, se "Kuvendi e dënon sulmin ndaj Policisë së Kosovës në termat më të ashpër: Sulmin terrorist të organizuar nga Republika e Serbisë mbi Policinë e Kosovës dhe kërkon nga komuniteti ndërkombëtar që ta ushtrojë ndikimin e tij për ta ballafaquar Serbinë me rolin e saj në raport me organizimin dhe çfarëdo mbështetjeje që i ka bërë grupit terrorist për sulmin në veri tëRepublikës së Kosovës”.

Në rezolutë vlerësohet bashkëpunimi i Policisë së Kosovës me misionin e EULEX-it dhe misionin e KFOR-it në "aksionin e përbashkët, për t'i zmbrapsur dhe asgjësuar sulmet terroriste të organizuara nga Serbia në veriun e vendit”. Në rezolutë po ashtu kërkohet që; institucionet e Kosovës të punojnë në integrim të plotë të të gjitha komuniteteve, pa dallim dhe të inkurajohet dhe mbështetet pluralizmi politik në radhët e komunitetit serb në Kosovë.

Edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë një fjalimi në kuvend, bëri thirrje që faktori ndërkombëtar ta sanksionojë Serbinë pas sulmit të armatosur në Banjskë të Zveçanit të dielën (24.09.2023), sepse sipas tij, "nëse Serbia s'ndëshkohet, ajo mund ta përsërisë krimin”.

"Për këtë akt, Serbia duhet të sanksionohet ndërkombëtarisht. Nëse kalon e pandëshkuar, ajo do ta përsërisë krimin. Armatimi ushtarak që i kishin profesionistët serbë që sulmuan në Banjskë janë që të gjitha nga Serbia dhe të freskëta në kohë”, tha Kurti.

Autoritetet e Kososvës zuluan armë dhe municion pas sulmit në veri
Autoritetet e Kososvës zuluan armë dhe municion pas sulmit në veriFotografi: Office of the Kosovo police

"Serbia ua dha pajisjet ushtarake, ua kreu trajnimet luftarake. Kjo nuk ka filluar të dielën e 24 shtatorit. Na i patën rrëmbyer edhe tre policë në Leposaviq. Kishim tri javë të barrikadave në dhjetor të vitit të kaluar, sulmet në Zveçan që lanë shumë të plagosur. E gjithë kjo tregon se kishim një kronikë të paralajmëruar për vrasjen e heroit tonë, Afrim Bunjakut”, tha kryeministri.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuqiç, nga ana tjetër, tha, se nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radoiçiq, të cilin autoritetet në Prishtinë e kanë identifikuar si prijës të grupit të armatosur që vrau një polic të dielën në veri, ndodhet në Serbi dhe ai do të merret në pyetje nga organet përgjegjëse serbe. Vuçiq në një intervistë për RTS tha, se Milan Radoiçiq "kurrë nuk është fshehur, kurrë nuk është turpëruar për rolin e tij në diçka që ka ndodhur që nuk është në të mirë të Serbisë apo që nuk i ka sjellë dobi Serbisë”.

"Për mua si president i Serbisë, ata njerëz nuk mund të jenë terroristë. A mund ta justifikojë vrasjen e një polici... nuk ka asnjë justifikim dhe për këtë autoritetet shtetërore do të ndërmarrin veprime”, tha Vuçiq duke mohuar çfarëdo lidhjeje të Serbisë me grupin e armatosur.

Një ditë më parë, zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano tha, se "pasi të vërtetohen të gjitha rrethanat dhe faktet e asaj që ka ndodhur më 24 shtator në fshatin Banjskë në veri të Kosovës, vendet anëtare të Bashkimit Evropian do të marrin vendime rreth masave dhe hapave të mundshëm”. Ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeffry Hovenier, ndërkaq, tha se grupi i armatosur që sulmoi policinë e Kosovës nuk kishte të bënte me ndonjë grup qytetarësh të mbledhur spontanisht, por ishte grup i trajnuar dhe i organizuar dhe kjo do të thotë se ka struktura pas tyre që u kanë ofruar trajnimin dhe pajisjet.