Kush dobëson lirinë e shtypit, dobëson edhe shtetin e shoqërinë - Raporti i organizatës ″Reporterë pa Kufij″ | Shoqëria & Kultura | DW | 13.02.2008
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages
Reklamë

Shoqëria & Kultura

Kush dobëson lirinë e shtypit, dobëson edhe shtetin e shoqërinë - Raporti i organizatës "Reporterë pa Kufij"

Më shumë se 80 gazetarë të vrarë në vitin 2007 - niveli më i lartë ky qysh prej 13 vjetësh. Informacionet nga Zimbabveja dhe Rusia për temën e lirisë së shtypit nuk të inkurajojnë - dhe ato janë vetëm maja e ajsbergut.

default



Raporti i këtij viti i Reporterëve pa Kufi lexohet edhe njëherë tjetër si një renditje e atyre vendeve, që luftojnë demokracinë dhe nuk respektojnë të drejtat e njeriut. Fjala është për shtete afrikane si Zimbabveja, Somalia, Nigeria ose Çadi, në të cilat gazetarët përndiqen. Për një shtyp të lirë nuk mund të bëhet fjalë në Korenë e Veriut, në Sri Lanka ose në republikat e Bashkësisë së Shteteve të Pavarura, Turkmenistan ose Uzbekistan.
Politikanët përgjegjës në këto dhe në vende të tjera nuk u besojnë qytetarëve të tyre, dhe i shtypin ata. Që ekonomisti anglez dhe filozofi Stuart Mill shkroi në shekullin e 19-të: "Një shtet që i kthen në xhuxhmaxhuxhë njerëzit e tij, do të konstatojë një ditë se me njerëz të vegjël nuk mund të arrish më gjëra të mëdha."
Në epokën e globalizimit dhe të konkurencës së ashpërsuar të shteteve me njëra- tjetrën kjo vlen edhe më shumë. Qytetarë të painformuar dhe në këtë mënyrë qytetarë të parritur mund të ndikojnë shumë pak për të mirën e përgjithshme dhe për forcën e shtetit të tyre. Në këtë kuadër, edhe nga pikëpamja ekonomike është dritëshkurtër që të kufizohet liria e shtypit. Mirëqënia në perëndim nuk para bazohet në burime gjigante lëndësh të para, por buron nga dija, nga aftësia për kritikë dhe nga angazhimi i qytetarëve të saj. Pa liri shtypi, ato nuk mund të ekzistojnë. Ai që u mbyll gojën gazetarëve, hap atë të korrupsionit pa kufij, të nepotizmit dhe të një burokracie që bëhet gjithnjë e më e madhe. Në fund, të gjitha këto dobësojnë shtetin.
Eshtë një përfundim i gabuar besimi se kufizimi i përkohshëm i lirisë së shtypit në faza të caktuara të historisë së një vendi është i nevojshëm, për të sjellë për shembull stabilitet politik dhe vazhdimësi. Në mënyrë pak a shumë të tillë argumentojnë përgjegjësit politikë në Moskë në prag të zgjedhjeve presidenciale në mars. Ata duan që kandidati i partisë së pushtetit të zgjidhet me 70% të votave. Prandaj, të gjitha stacionet dhe radiot televizive të drejtuara nga shteti këndojnë këngën e suksesit për Dimitri Medvedjevin, të cilin kryetari aktual i shtetit, Vladimir Putin e ka zgjedhur si pasardhës të tij. A e ka të nevojshme me të vërtetë këtë Rusia? Duhet pranuar: opozita është e dobët dhe e përçarë. Po a nuk do të zgjidhej Medvedjevi, edhe sikur ndonjë kanal televiziv të ndriçonte anët pozitive të kandidatëve të tjerë? A nuk e dobëson Putini pasardhësin e tij, duke lejuar që për të mediet të duartrokasin në një mënyrë të tillë jo elegante?
Natyrisht, Rusisë do t'i druhen edhe më tej për shkak të rezervave të saj me lëndë të para dhe pushtetit të tij politik. Më mirë megjithatë do të ishte, sikur ky vend edhe të respektohej, për shkak të pasurisë së tij kulturore dhe shpirtërore, te e cila bëjnë pjesë edhe shumë gazetarë të guximshëm, të cilët i treguan në vitet 90 të gjithë botës se në c'nivel të lartë janë në gjendje të punojnë. Rusia i përket Evropës. Dhe Evropa i ka të sajat vlera si respekti i të drejtave të njeriut dhe liria e shtypit.


  • Data 13.02.2008
  • Autor Soric, Miodrag
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/D74V
  • Data 13.02.2008
  • Autor Soric, Miodrag
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/D74V