1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kosovë: Më 19 maj zgjedhje të jashtëzakonshme në veri

Bekim Shehu
8 Prill 2019

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, shpalli zgjedhje të jashtëzakonshme në katër komuna në veri. Kryetarët e këtyre komunave patën dhënë dorëheqjen për shkak të taksës së Prishtinës ndaj mallrave serbe.

https://p.dw.com/p/3GTFd
Nord Mitrovica Kosovo - Stadtimpressionen vor dem Besuch von Vucic in Mitrovica
Fotografi: DW/E. Elezi

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, shpalli 19 majin datën e mbajtjes së zgjedhjeve të jashtëzakonshme në katër komunat e veriut të Kosovës të banuar me shumicë serbe. Katër kryetarët e komunave në veri të Kosovës, Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zvecan dhe Zubin Potok, dhanë dorëheqje në fund të nëntorit të vitit të shkuar, në shenjë kundërshtimi dhe proteste ndaj vendimit të qeverisë së Kosovës për vendosjen e tarfiës shtesë prej 100% për mallrat e Serbisë dhe Bosnjes e Hercegovinës.

Në vendimin zyrtar të Presidentit thuhet, se "në mbështetje të kompetencave kushtetuese dhe ligjore, duke marrë parasysh shkresën e Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal dhe pas një procesi të konsultimeve përkatëse me partitë politike dhe Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, Presidenti sot ka nxjerrë vendimin për caktimin dhe shpalljen e datës së zgjedhjeve të jashtëzakonshme për kryetar në komunat: Mitrovica e Veriut, Zubin Potok, Leposaviq dhe Zveçan. Në pajtim me këtë vendim, zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetarë në këto katër komuna të Republikës së Kosovës do të mbahen më 19 maj 2019”.

Deri tani vendimi i Presidentit për zgjedhje të jashtëzakonshme në katër komunat veriore të Kosovës të banuara me shumicë serbe, nuk është komentuar nga përfaqësuesit e serbëve të Kosovës.

Katër kryetarët serb të komunave veriore të Kosovës, në dorëheqjen e tyre me 27 nëntor të vitit të shkuar në një deklaratë të përbashkët për opinion, patën thënë se "Funksionimi i mëtejmë i qeverisjes lokale përmes sistemit të Prishtinës është pezulluar. Autoritetet dhe shërbimet komunale nuk do të funksionojnë dhe kuvendet komunale nuk do të mbajnë më takime. Ky vendim është përfundimtar dhe do të mbetet në fuqi derisa Prishtina nuk i tërheq të gjitha masat diskriminuese", pati thënë Dejan Gureshiq, kryetari i Kuvendit të Mitrovicës së Veriut. Katër kryetarët e komunave veriore patën nënshkruar një deklaratë të përbashkët ku thuhej se "vendimi për dorëheqje është marrë për shkak të ngritjes së taksës në 100% për mallrat serbe, përmes së cilës serbëve të Kosovës u është kërcënuar e drejta për jetesë, për shërim dhe mbijetesë gjë që çon në krizë edhe më të thellë”.

Qeveria e Kosovës në atë kohë nuk i pati pranuar dorëheqjen e katër kryetarëve të komunave në veri të Kosovës, duke thënë se "dorëheqjet nuk mund të pranohen pasi në letër dorëheqje, kryetarët serbë të këtyre komunave i janë referuar Republikës së Kosovës si "Kosova e Metohija”, emër ky që nuk figuron në Kushtetutën e Kosovës. Mirëpo, pavarësisht nga natyra e dorëheqjeve ose arsyetimi i tyre në letër, sipas ligjit aktual për zgjedhjet lokale, nëse kryetari i një komune mungon 30 ditë në vendin e punës pa arsye e humbet atë vend me ligj. E kjo u ndodhi edhe kryetarëve të komunave në veri të Kosovës.

Sidoqoftë, pavarësisht dorëheqjes së kryetarëve të komunave që sipas tyre shkas ishte "vendosja e taksës ndaj mallrave të Serbisë” qeveria e Kosovës nuk e ka ndërmend ta heqë taksën ndaj Serbisë. Presion qeverisë së Kosovës vazhdimisht po i bën edhe Serbia dhe Bashkësia Ndërkombëtare që ta heq taksën në mënyrë që t'i hapet rruga dialogut Kosovë-Serbi, por, kryeministri Ramush Haradinaj, vazhdimisht e përsërit që "taksa ndaj mallrave serbe mund të hiqet vetëm kur Serbia ta njohë pavarësinë e Kosovës”.