1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kosova në fushatë zgjedhore

Bekim Shehu
26 Shtator 2019

Në zgjedhjet e parakohshme parlamentare që mbahen me 6 tetor garojnë 25 subjekte politike. Për 120 vende në Parlament garojnë 1068 kandidatë. 1,937,868 qytetarë të Kosovës kanë të drejtë vote.

https://p.dw.com/p/3QGTv
Kosovo Wahl am 6. Oktober | Kampagne Show the power of your vote
Fotografi: Central Election Commission in Kosovo

25 subjekte politike të regjistruara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) prej tyre 20 parti politike, katër koalicione dhe një kandidat i pavarur, nisën zyrtarisht fushatën zgjedhore për zgjedhjet e parakohshme që mbahen me 6 tetor. Gjatë dhjetë ditëve të fushatës këto subjekte politike do të shpalosin programet e tyre për të fituar sa më shumë vota për 120 vendet e Parlamentit të Kosovës për mandatin kushtetues katër vjeçar. Sipas të dhënave të KQZ-së, për 120 vende në Parlament garojnë 1068 kandidatë nga të gjitha subjektet politike. 1,937,868 qytetar të Kosovës kanë të drejtë vote.

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa që është në kuadër të KQZ-së, paralajmëron subjektet politike që të zhvillojnë një fushatë në përputhje me ligjin, pasi në të kundërtën do të shqiptojë gjoba deri në 50 mijë euro.

Kërkesat për fushatë në përputhje me ligjin

"Fushata zgjedhore nis nga data 25 shtator deri më 4 tetor. Të gjitha subjektet politike kanë të drejtë të mbajnë tubime të bëjnë fushatë të drejtë në përputhje me ligjin. Por, janë kornizat ligjore për fushat zgjedhore, vendet e lejuara dhe të gabuara të fushatës zgjedhore. PZAP-ja mund të shqiptojë gjoba deri në 50 mijë euro”, paralajmëron PZAP.

Kosovo Wahl am 6. Oktober | Kampagne Show the power of your vote
Fushata: trego fuqinë e votësFotografi: Central Election Commission in Kosovo

Edhe kësaj radhe zgjedhjet do të monitorohen nga mijëra vëzhgues vendorë dhe ndërkombëtar. Bashkimi Evropian me ftesë të Presidentit të Kosovës tashmë ka dërguar misionin vëzhgues për zgjedhjet e 6 tetorit me rreth 100 vëzhgues. Ata u kanë bërë thirrje subjekteve politike që procesi zgjedhor të mbahet në mënyrë të qetë, transparente dhe gjithëpërfshirëse, në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe sundimin e së drejtës.

"Të gjitha partitë politike dhe udhëheqësit e tyre duhet të sigurojnë fushatë respektuese të përqendruar në programe konkrete në interes të popullit të Kosovës. Zgjedhjet janë një prej komponentëve themelorë të demokracisë. Ato janë një mundësi për popullin e Kosovës për ta ushtruar të drejtën e tyre demokratike për të votuar dhe zgjedhur udhëheqësit e vet”, thuhet në deklaratën e vëzhguesve të BE-së.

Kosovo, Pristina
Fotografi: Getty Images/S. Gallup

Kandidatët kryesorë

Pesë subjektet më të mëdha politike, Lidhja Demokratike e Kosovës,  Partia Demokratike e Kosovës, lëvizja Vetëvendosja, koalicioni ndërmjet Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe partisë Social Demokrate dhe Nisma për Kosovën tashmë kanë nominuar kandidatët e tyre që kryesojnë listat dhe garojnë për postin e kryeministrit të vendit.

Vjosa Osmani nga LDK, Kadri Veseli nga PDK,  Albin Kurti nga Vetëvendosja, Ramush Haradinaj nga AAK-PSD dhe Fatmir Limaj nga Nisma-AKR, janë pesë kandidatët që garojnë për kryeministër të Kosovës. Në garë për zgjedhjet e 6 tetorit janë edhe komunitetet pakicë. Në bazë të Kushtetutës së Kosovës, pakicave u garantohen 20 vende, 10 nga të cilat vetëm komunitetit serb të Kosovës.  

Dialogu për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, taksa 100% e vendosur për produktet serbe, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, ulja e papunësisë dhe perspektiva evropiane e Kosovës, janë temat që kanë mbizotëruar parafushatën e këtyre ditëve që nga dorëheqja e Ramush Haradinajt  nga posti i kryeministrit që i parapriu zgjedhjeve të parakohshme që mbahen me 6 tetor.