1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Konstituohet kuvendi i ri i Kosovës

Bekim Shehu
22 Mars 2021

Konstituimi i kuvendit të ri të Kosovës i hap rrugën formimit të qeverisë së re dhe zgjedhjes së presidentit të vendit.

https://p.dw.com/p/3qxAK
Kosovo Parlament
Fotografi: DW/B. Shehu

Pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve, të hënën  (22.03) u konstituua kuvendi i ri i Kosovës duke i hapur rrugën kështu krijimit të institucioneve të reja të Kosovës siç është qeveria e re dhe presidenti i ri. Kuvendi zgjodhi si kryetar të ri Glauk Konjufcën nga lëvizja Vetëvendosja, së cilës si fituese e zgjedhjeve të 14 shkurtit në bazë të kushtetutës së Kosovës në mënyrë automatike i takon posti i kryetarit të kuvendit. Konjufca mori 69 vota pro dhe 33 kundër. Glauk Konjufca zëvendëson kështu Vjosa Osmanin dhe në mënyrë automatike ai merr edhe detyrën e ushtruesit të detyrës së presidentit të Kosovës. Këtë mandat Konjufca mund ta ushtrojë vetëm deri më 5 maj kur skadon afati gjashtë mujor, aq sa e lejon kushtetuta të ushtrohet kjo detyrë, që nga dorëheqja e Hashim Thaçit, i cili po gjykohet në Hagë i dyshuar për krime lufte nga Gjykata Speciale.

Glauk Konjufca si kryetar i ri kuvendi dhe njëkohësisht ushtrues i detyrës së presidentit, bazuar në Kushtetutë duhet t'i propozojë kuvendit kandidatin për kryeministër, i cili jo më vonë se 15 ditë pas emërimit, paraqet për votim para kuvendit përbërjen e qeverisë së re. Sipas lëvizjes Vetëvendosja, qeveria Kurti 2 do të votohet në kuvend gjatë ditës së hënë.

Në zgjedhjet e 14 shkurtit, Lëvizja Vetëvendosje e udhëhequr nga Albin Kurti fitoi 50.28 për qind të votave apo 58 ulëse të kuvendit. Partia Demokratike e Kosovës ka 19 deputetë, Lidhja Demokratike e Kosovës 15 dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka tetë deputetë. 20 vende të garantuara u takojnë pakicave, 10 nga to vetëm për serbët e Kosovës.

Kosovo Albin Kurti
Albin Kurti nuk u lejua të garojë për deputet, por pritet ta drejtojë qeverinë e reFotografi: Armend Nimani/AFP

Problem mbetet zgjedhja e presidentit

Pas konstituimit të legjislaturës së tetë të kuvendit të Kosovës, shumë shpejt do duhet të formohet edhe qeveria e Kosovës, e cila pritet të udhëhiqet nga Albin Kurti, i cili në zgjedhjet e 14 shkurtit nuk u lejua të garojë për deputet sepse kishte problem me ligjin. Zgjedhja e qeverisë së Kosovës sa i përket numrave, nuk duket se do të jetë problem për Lëvizjen Vetëvendosja e cila tashmë ka siguruar votat e nevojshme, së paku 61 për formimin e qeverisë. Por, shumë shpejt kjo legjislaturë duhet të zgjedhë presidentin, që të paktën duhet të ketë si prani në sallë dy të tretat e të zgjedhurve, ose 80 vota të deputetëve. Dy partitë shqiptare që tashmë janë deklaruar se do të jenë në opozitë, LDK dhe AAK, nuk janë deklaruar qartë, nëse do ta mbështesin Vjosa Osmanin për presidente, ndërkohë që PDK ka një qëndrim të prerë për këtë çështje.

Udhëheqësi i Partisë Demokratike të Kosovës Enver Hoxhaj, thotë se partia e tij është konsultuar për çështjen e presidentit dhe nuk do ta mbështesin Vjosa Osmanin. "Njëri prej vendimeve të rëndësishme është që Këshilli Drejtues i PDK-së në mënyrë unanime nuk e mbështet kandidaturën e zonjës Osmani për të qenë presidente e Kosovës”, tha Enver Hoxhaj. Kurse lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës AAK Ramush Haradinaj thotë se partia e tij nuk dëshiron që "pushteti do të koncentrohej në një parti të vetme”, duke lënë të kuptohet se nuk do ta mbështesin Vjosa Osmanin për presidente. "Deri tash VV së bashku me Lëvizjen Guxo, ka marr shumicën e votave për të qeverisur me vendin, por nuk i kanë dy të tretat për zgjedhjen e presidentit. Po tash ta shohim se si do të veprojnë për ta zgjedhur këtë situate, pasi që edhe qeveria varet nga kjo. VV nuk i ka fituar zgjedhjet për të shkuar në zgjedhje, por për të qeverisur me vendin. Ne nuk do t'i japim përkrahje VV-së për ta koncentruar pushtetin te një partie e vetme”, thotë Ramush Haradinaj.

New York, Enver Hoxhaj, Veranstaltung "10 Jahre Unabhängigkeit Kosovos"
Enver Hoxhaj thotë se PDK-së nuk e mbështet kandidaturën e Vjosa Osmanit për të qenë presidente e KosovësFotografi: DW/Aida Cama

Së fundmi edhe lideri i ri i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, u shpreh se LDK nuk do të jetë pjesë e qeverisë dhe se nuk do të votojnë po ashtu siç thotë një "president partiak”. "Ne synojmë të ndërtojmë institucione, synojmë t'i shmangim zgjedhjet se qytetarët janë lodhur me zgjedhje, kërkojmë që pozita e presidentit të jetë e pavarur. Nuk po e personalizojë Hashim-Vjosë sepse po të ishte në nivel personal, zgjedhja do të ishte e thjeshtë. Kemi pasur president partiak sikurse Thaçi, nuk duam prapë një president partiak, presidenti duhet të ketë neutralitet”, thotë Lumir Abdixhiku.

Komunitetet shumicë gati për zgjedhjen e presidentes apo presidentit të ri

Ndërkohë, shumica nga përfaqësuesit e komuniteteve jo shumicë në Kosovë kanë shprehur mbështetjen e tyre për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit dhe qeverisë. E përfaqësuesit e Listës Srpska, nuk kanë thënë qartë, nëse do ta votojnë qeverinë apo presidentin e ri. Lista Serbe, pas takimit me Kurtin dhe Osmanin, përmes një njoftimi për media tha se si "përfaqësuese legjitime e komunitetit serb, është e gatshme për konsultime dhe bisedime me qëllim të avancimit të kushteve, në të cilat jetojnë serbët e Kosovës dhe se të gjitha partitë e tjera, që ndajnë këto qëndrime, do ta kenë Listën Serbe për bashkëbiseduese”, thotë lista Srpska.

Kosovo Parlamentswahlen
Lëvizja Vetëvendosja doli fituese e zgjedhjeve të 14 shkurtit duke fituar 50.28 për qind të votaveFotografi: Bekim Shehu/DW

Zgjedhja e Presidentit bëhet me dy të tretat e votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit. Nëse kjo dështon në dy raunde, organizohet votimi i tretë ku pretendenti për president duhet të ketë së paku 61 vota, por gjithsesi duhet të jenë në sallë 80 deputetë nga 120 sa i ka kuvendi i Kosovës. Nëse edhe në votimin e tretë, asnjëri kandidat nuk zgjidhet President i Kosovës, automatikisht shpërndahet parlamenti dhe shpallen zgjedhjet e reja, të cilat duhet të mbahen jo më larg se brenda 45 ditësh.