1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kandidatë interesant për zgjedhjet evropiane

Aygül Cizmecioglu19 Maj 2004

Kush merr pjesë në zgjedhjet evropiane të qershorit?

https://p.dw.com/p/ArHF
Edhe Dolly Buster kandidate në zgjedhjet evropiane
Edhe Dolly Buster kandidate në zgjedhjet evropianeFotografi: dpa

Të thinjur, monoton dhe të zverdhur nga zyra - kështu përfytyrohen prej shumëkujt parlamentarët. Se nganjëherë është ndryshe tregon lista e kandidatëve për zgjedhjet evropiane të qershorit: në to do të marrin pjesë edhe modele të bukura, gazetare telegjene dhe yje të njohura të erotikës. Poashtu nuk mungojnë as populistët, armiq të Bashkimit Evropian të cilët duan të zënë vende në Strasburg.

Nëse Nora Boshnikova do t`ia dal mbanë që në një të ardhme jo të largët të kaloj nëpër korridoret e Parlamentit Evropian atëherë nuk do të ketë pse të ankohet për mungesë vëmendjeje dhe kujdesi. Ajo nuk preferon të vishet me pantollona apo fustane të gjata por të shkurtër dhe të hapur, i pëlqejnë rrobat e kuqe dhe ngjyros flokët e saj. Kjo është çekja 34 vjeçare e cila njihet ndryshe në botë me emrin "Doly Buster". Ylli botëror i erotikës dëshiron të fus ngjyra të reja në Parlament. Ajo është kandidate e Partisë çeke "Iniciativa e pavarur" dhe angazhohet kësaj radhe për përmbajtjen e jo për erotikën:

"Unë dua të arrij për çekët thjeshtësimin e burokracisë. Ndër të tjera natyrisht dua ndërrimin e rregullave doganore të cilat janë çmendurisht të pakuptimta. Në programin tim erotika nuk do të luaj asnjë rol. Mua më njohin 98 përqind e gjermanëve. E di se kjo eventualisht mund të më ndihmoj në zgjedhje. Por nëse arrij të futem në parlament ky fakt nuk do të më ndihmoj më aspak pasi që rëndësi do të ketë angazhimi im" nënvizon Boshnikova.

Ndërkohë që analistët shohin pak shanse për Nora Boshnikovskën dhe partinë e saj, për Lili Gruber gjasat duken ndryshe. Gazetarja e njohur e televizionit italian është kryekandidate në listën e qendrës së majtë të Romano Prodit. Për shkak se e kishte quajtur kryeministrin Silvio Berluskoni një "rrezik për demokracinë" ajo e pat humbur vendin e punës në kanalin televiziv shtetëror RAI. Njëkohësisht ajo përparoi si figurë kulti e majtistëve në Itali. 47 vjeçarja angazhohet për një Evropë të fortë pa cenzurë shtypi:

"Unë që vij nga Tiroli jugor jam rritur me dy gjuhë dhe ka shumë vite që jetoj me disa kultura. Burri im është francez. Dhe mund të them se unë personifikoj një pjesë të Evropës. Në Evropë me siguri se do të angazhohem në luftë kundër ndalimit të shumëllojshmërisë së mendimeve dhe lirisë së shtypit" sqaron Gruber.

Ajo çdo ditë ndodhet në pesë tubime elektorale. Përkrah kritikave në rrafshin medial ajo tërheq vëmendjen edhe nga rrymat nacionaliste në Evropë: prej Partisë fshatare në Poloni e cila sapo është anëtarësuar në Bashkimin Evropian apo populistëve britanikë të cilët janë kundër bashkësisë së shteteve. Në mesin e armiqëve të Bashkimit është edhe Partia Nacionale Gjermane NPD. Megjithatë ajo ka ofruar një listë me pesë kandidatë për parlamentin evropian. Numrin një në listë e ka kryetari i partisë, Udo Voigt:

"Në radhë të parë ne i shpallim luftë globalizimit. Ne duam të shfrytëzojmë politikën evropiane që t`i tregojmë popullatës se ekziston një alternativë për Evropën e Bashkimit Evropian dhe kjo alternativë quhet: ekonomi popullore kombëtare. Kjo alternativë do të thotë rifutja në përdorim e monedhës gjermane Dojçe Mark. Ne nacionaldemokratët në Evropë jemi kundër një shoqërie multikulturore" thekson Udo Voigt.

Sido që të jetë ideja e nacionaldemokratëve duket të jetë e parealizueshme. Ka vite që NPD-ja nuk ka arritur të kaloj pragun elektoral prej pesë përqind në zgjedhje. Kjo do të thotë se deri tani ajo ka fituar gjithnjë më pak se pesë përqind të votave në vend dhe nuk ariitur asnjëherë të sigurojë të paktën një vend në parlamentin evropian. Ky shkak ka mjaftuar që kjo parti të ngrej padi në Gjykatën kushtetuese kundër kushtit për kalimin e këtij pragu elektoral.