Kancelari Scholz kërkon një ″Plan Marshall″ për Ukrainën | Bota | DW | 23.06.2022
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages
Reklamë

Bota

Kancelari Scholz kërkon një "Plan Marshall" për Ukrainën

Kancelari Olaf Scholz bëri thirrje për një "Plan Marshall" për rindërtimin e Ukrainës së shkatërruar nga lufta.

Në deklaratën e tij qeveritare në Bundestag Olaf Scholz tha se gjatë vizitës së tij në Ukrainë javën e kaluar, disa gjëra i kujtuan pamjet e qyteteve gjermane pas Luftës së Dytë Botërore. "Sikurse Evropa e shkatërruar nga lufta atëherë, sot Ukraina ka nevojë për një Plan Marshall për rindërtimin."

Ndërmjet viteve 1948 dhe 1952 SHBA-ja e ndihmoi Gjermaninë dhe vendet e tjera evropiane me Planin e tyre Marshall që të rimëkëmbeshin sërish pas gjashtë vjetësh luftë. Shumë miliarda dollarë amerikanë u investuan në rindërtimin e vendit. Në fjalimin e tij lidhur me takimet e nivelit të lartë të BE-së, të G7 dhe të NATO-s në tetë ditët e ardhshme, Scholz-i i premtoi Ukrainës dërgesa të mëtejshme armësh.

Nga samiti i NATO-s në Madrid Scholz pret të dërgohet një sinjal vendosmërie lidhur me agresionin rus kundër Ukrainës. "Me Rusinë agresive, imperialiste të Putinit është i paimagjinueshëm për të ardhmen një partneritet me Rusinë, siç parashikohet në Konceptin Strategjik të vitit 2010”, tha kancelari në deklaratën e tij qeveritare.

Scholz dëshiron t'i kujtojë Putinit marrëveshjen themeltare NATO-Rusi

Në të njëjtën kohë kancelari paralajmëroi që të mos nxirren përfundime të gabuara. "Nuk do të ishte e mençur që ne ta anulojmë marrëveshjen themeltare NATO-Rusi," tha ai. Kjo do të ishte vetëm në dobi të presidentit rus Vladimir Putin dhe propagandës së tij. Marrëveshja themeltare ripohon vetë parimet që Putini po i shkel në mënyrë kaq flagrante: heqjen dorë nga dhuna, respektimin e kufijve, sovranitetin e shteteve të pavarura. Putinit duhet t'ia kujtojmë këto parime vazhdimisht.

Në marrëveshjen themeltare NATO-Rusi të vitit 1997, NATO kishte rënë dakord të mos vendoste "trupa të përhershme luftarake" në zonën lindore të aleancës. Rritja e planifikuar afatgjatë e pranisë së NATO-s në krahun lindor mund t'i rrisë më tej tensionet me Rusinë. Në samitin e NATO-s nga 28 deri më 30 qershor në Madrid partnerët e NATO-s duan të diskutojnë ndër të tjera një koncept të ri strategjik.