1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kai Aide: Shpresoj se shumë shpejt do të ketë një rezolutë të re për Kosovën

Bekim Shehu17 Prill 2007

Drejtori politik në ministrinë e punëve të jashtme të Norvegjisë, Kai Aide, tha se ai e mbështet planin për Kosovën të ndërmjetësit, Marti Ahtisari

https://p.dw.com/p/ArWS
Kai Aide pro planit Ahtisari
Kai Aide pro planit AhtisariFotografi: picture-alliance/ dpa


Ish i dërguari i OKB-së, për vlerësimin e arritjeve në Kosovë pas trazirave të marsit të vitit 2004, Kai Aide, aktualisht drejtor politik në ministrinë e jashtme të Norvegjisë, dementoi disa shkrime në mediat serbe, se ai do të pasojë Marti Ahtisarin, për vazhdimin e bisedimeve për zgjidhjen e statusit të Kosovës. Diplomati norvegjez, gjatë një vizite në Kosovë, tha se ai e mbështet planin për Kosovën të ndërmjetësit, Marti Ahtisari dhe shpreson se shumë shpejtë do të ketë një rezolutë të re për Kosovën.

Ne e mbështesim planin e Marti Ahtisarit dhe e mbështesin procesin që po vazhdon në KS-it dhe poashtu presim që ky proces të përmbyllet duke u bazuar në planin e Marti Ahtisarit, tha Kai Aide. Edhe presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, u shpreh se ai shpreson që zgjidhja e statusit të Kosovës të hyjë në një dinamikë më të përshpejtuar.

Autoritetet kosovare dhe ato ndërkombëtare, ndërkohë janë në pritje të misionit faktmbledhës të KS-it, i cili në fund të muajit do të mbërrijë në Kosovë. Presidenti Fatmir Sejdiu, shpreson se misioni do të bindet për sukseset e shënuara në Kosovë.

Misioni faktmbledhës i KS-it, do të qëndrojë në Kosovë të enjten dhe të premten e javës së ardhshme, përkatësisht me 26 dhe 27 prill, por për këtë akoma nuk kam konfirmim zyrtar, tha Joakim Rycker, shefi i UNMIK-ut në Kosovë.

Ndërkohë autoritetet e Beogradit, janë shprehur se misioni faktmbledhës i Këshillit të Sigurimit që do të vijnë në Kosovë dhe Serbi, do të bëjë që të zhvillohen bisedime reale mbi të ardhmen e Kosovës. Këto vlerësime hidhen poshtë nga udhëheqësit politikë kosovarë, të cilët shprehen se delegacioni faktmbledhës i KS-it, nuk ka mision që të caktojë vazhdimin apo jo të negociatave për zgjidhjen e statusit të Kosovës, por të shohë nga afër arritjet në Kosovë dhe të bindet nga dora e parë se Kosova është e përgatitur të funksionojë si shtet.