Hungari: Kriza politike është reale | Studimi në Gjermani | DW | 20.09.2006
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Studimi në Gjermani

Hungari: Kriza politike është reale

Shtypi i sotëm gjerman fokusohet tek situata politike në Hungari, që u krijua pas pranimit të kryeministrit hungarez Ferenc Gyurcsany, se nuk i ka plotësuar premtimet e bëra gjatë fushatës zgjedhore

Kryeministri hungarez, Ferenc Gyurcsany

Kryeministri hungarez, Ferenc Gyurcsany

Gazeta "Frankfurter Allgemeine Zeitung" shkruan:

"As situata në vend dhe as numri i vandalistëve nuk mund të krahasohen me ditët heroike përpara 50 vitesh. Tani nuk bëhet fjalë për luftën kundër diktaturës dhe trupave të huaja okupuese. Tani bëhet fjalë për një program reformues, detajet e të cilit janë ende të panjohura për demonstruesit. Qeveria e Gyurcsanyit pësoi menjëherë pas fitores së zgjedhjeve parlamentare, një krizë të thellë. Por ajo mund ta kapërcejë lehtë atë."


Gazeta "Ostsee-Zeitung" nga Rostoku komenton:

"Nuk gënjehet ndonjëherë më shumë se para zgjedhjeve, gjatë luftës dhe pas gjahut", ka thënë njëherë Oto von Bismark. "Kancelari i hekurt" ka të drejtë edhe pas vdekjes. Këtë e dëshmon skandali që krijoi kryeministri socialist hungarez Ferenc Gyurscany në vendin e tij. Afera e Watergate në Budapest, është një fenomen tashmë i njohur edhe në qarqet gjermane të politikës. Shumë përfaqësues të popullit mendojnë mesa duket se duhet t´u tregojnë votuesve, atë që duan të dëgjojnë ata. Por në këto fjalë nuk ndodhet asnjë premtim që mund të realizohet. Kështu që sot do të ishte më mirë sikur të mos ja kujtonim zëvendëskancelarit Franz Müntefering premtimin e tij para zgjedhjeve, se me të nuk do të kishte "taksa të Merkelit". Por në vitin 2007 do të kemi taksën e vlerës së shtuar të Müntefering dhe Merkelit së bashku."


Gazeta "General-Anzeiger" nga Boni shkruan:

"Gjithmonë gënjehet gjatë fushatave zgjedhore. Kjo nuk është e ndonjë gjë e re. Ajo çka është e re është pranimi i gabimeve përpara opinionit publik. Por ajo që u tha kryeministri Gyurcsani miqve të tij politikë pas fitores së zgjedhjeve, ishte më shumë se pranimi i fajit. Ajo ishte përshkrimi i një vetëmashtrimi masiv, të cilin e praktikojnë pothuajse të gjithë politikanët hungarezë."


Gazeta "Main-Echo" nga Ashafenburgu shkruan:

"Tani shanset e socialdemokratit Gyurcsany do të rriten me çdo ditë që kalon. Debati i ashpër, që lindi dhe dëshira e disa të paktëve për të rebeluar do t´i çojë qytetarët e trembur sërish në krahët e koalicionit qeveritar. Vëzhguesit politikë në Budapest nuk duan ta dinë që pohimi i gënjeshtrës nga Gyurcsany vetë, u bë me qëllim".


Gazeta "taz" nga Berlini shkruan:

"Pamjet e makinave që digjen dhe vandalistët e dhunshëm që i shkatërruan të gjitha studoi televizive në Budapest, nuk e shfaqin aspak realitetin e protestave të ditëve të fundit në Hungari. Huliganët më të njohur në qytet, përfituan nga rasti për të shkaktuar kaos. Por kriza politike është reale. Ajo është një krizë besimi, e cila prek jo vetëm qeverinë por edhe opozitën hungareze. Askush nuk ka dëshirë të dëgjojë se është gënjyer në mënyrë sistematike, ashtu si u mashtruan votuesit hungarezë. Por nga ana tjetër, të gjithë duhet ta kishin kuptuar që përpara zgjedhjeve në prill se asnjë parti politike në Hungari nuk ishte në gjendje t´i mbante premtimet e bëra. Guyrcsani tha gjatë fjalimit të tij të sinqertë, i cili nuk ishte menduar për opinionin publik, atë që fundja e dinë të gjithë."

Dhe së fundi në gazetën "Nürnberger Zeitung" lexojmë:

"Në rast se në Hungari nuk do të kishim pasur mbi 200 të lënduar, atëherë do të ishim bërë pothuajse ziliqarë. Ne vendin e ri të BE-së, populli u shfaq i indinjuar kur dëgjoi se sa me paturpësi kish gënjyer qeveria e tij gjatë zgjedhjeve. Por këto ishin emocione të pastra, e krejt ndryshe nga ato që kemi parë e dëgjuar në shtetet e tjera të kontinentit të vjetër, ku politikanët nuk gënjejnë direkt, por informojnë në mënyrë aspak korrekte. Në Gjermani qytetarët do të ishin tërhequr të pezmatuar, në vend që të kishin dalë rrugëve duke protestuar."

  • Data 20.09.2006
  • Autor Sonila Harasani
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Arnq
  • Data 20.09.2006
  • Autor Sonila Harasani
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Arnq