1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Haradinaj: Taksa ndaj Serbisë mund të mbetet përgjithmonë

Bekim Shehu
22 Janar 2019

Kryeministri, Ramush Haradinaj e kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli u takuan të martën me ambasadorin e SHBA-së, Philip Kosnet. Pas takimit Haradinaj theksoi, se taksa ndaj prodhimeve serbe mbetet në fuqi.

https://p.dw.com/p/3Bz2P
Kosovo erhöht Einfuhrzölle - Ramush Haradinaj spricht auf der West-Balkankonferenz in Österreich
Fotografi: picture-alliance/AA/A. Kiyagan

Kryeministri, Ramush Haradinaj dhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli takuan ambasadorin e SHBA-së në Kosovë, Philip Kosnet, një takim ky i shumëpritur nga opinioni për të qartësuar, nëse qeveria e Kosovës do vazhdojë të qëndrojë prapa vendimit të mosheqjes së taksës ndaj produkteve serbe megjithë presionin ndërkombëtar që kjo taksë të hiqet. 

Veseli: Ta ruajmë miqësinë dhe partneritetin strategjik me SHBA

SHBA i ka kërkuar qeverisë së Kosovës që të hiqet taksa, sikundër edhe Bashkimi Evropian që kërkon që kjo taksë të hiqet, sepse shkelet marrëveshja e CEFTA-a. Serbia nga ana e saj, thotë se dialogu me Kosovën nuk mund të vazhdojë, përderisa qeveria në Prishtinë nuk e heq taksën. Takimi i sotëm me ambasadorin amerikan është thirrur nga kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli. Në një komunikatë për medie pas takimit, Veseli tha, se me ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Philip Kosnett kanë diskutuar "për sfidat që e  presin Kosovën gjatë këtij viti”.

"Ne do të punojmë bashkë që vendimet e institucioneve të Kosovës, për procese të rëndësishme, të jenë në interes të qytetarëve tanë dhe në koordinim të plotë me SHBA-të dhe partnerët e tjerë ndërkombëtarë. Kosova është e vendosur që përjetësisht ta ruajë miqësinë dhe partneritetin strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe kjo nuk do të ndryshojë asnjëherë”, shkroi Kadri Veseli.

Albanien PDK Kadri Veseli Politker
Fotografi: Shpresim.M.Shala

Haradinaj: Taksa nuk hiqet, sepse nuk kemi garanci

Ndërsa Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj nga ana e tij, në një konferencë për medie pas takimit tha, se qeveria e Kosovës, nuk e heq taksën përderisa nuk ka garanci për një marrëveshje gjithëpërfshirëse për Kosovën. "Ne kemi mbajtur një takim të thirrur nga Veseli. Ka qenë prezent edhe ambasadori i Amerikës, biseda ka qenë dialogu dhe zhvillimet rreth dialogut, të ndërlidhura edhe me taksën e vendosur nga Kosova. Edhe me mundësitë që në të ardhmen të arrijmë një avancim në dialog. Nuk ka ndonjë ndryshim të madh, por ka qenë bisedë e mirë”, tha kryeministri Haradinaj duke shtuar se do të ishte i lumtur, nëse do të kishte mundësi që ta hiqte taksën, nëse Serbia reflekton.

"Edhe ne kemi dëshirë ta heqim taksën dhe synojmë ta heqim atë, sepse është edhe sugjerim i aleatëve tanë, pra i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, por e ndërlidhim heqjen e saj me një marrëveshje gjithëpërfshirëse me Serbinë për njohje reciproke”, tha kryeministri Haradinaj.

Kosovo Präsident Hashim Thaci
Fotografi: picture-alliance/AP Photo/V. Kryeziu

Unitet shoqëror dhe konsensus politik

Serbia nga ana e saj, sipas Presidentit Aleksandër Vuçiq, nuk e vazhdon dialogun me Kosovën përderisa qeveria në Prishtinë nuk e heq taksën e vendosur ndaj prodhimeve të Serbisë. Për pasojë dialogu vazhdon të mbetet i bllokuar. Nga ana tjetër është Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ai, i cili po koordinon punët me ekipin  negociator të Kosovës lidhur me dialogun me Serbinë. Në një takim të zhvilluar të hënën ndërmjet dy bashkëkryesuesve të grupit negociator, Fatmir Limaj dhe Shpend Ahmeti, Presidenti Thaçi u dorëzoi kryenegociatorëve një raport me disa pika lidhur me dialogun Kosovë-Serbi.

"Në funksion të koordinimit dhe harmonizimit të veprimeve tona shtetërore, edhe në formë të shkruar, i informova dy kryesuesit për temat që janë diskutuar deri më sot dhe rolin konstruktiv që ka ndjekur dhe duhet të vazhdojë të ndjekë Kosova në këtë proces. Ne u pajtuam që ky proces, i cili kërkon unitet shoqëror dhe konsensus politik, do të përfundojë me një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht të obligueshme. Kjo marrëveshje do t'ia sigurojë Kosovës anëtarësimin në BE, NATO dhe OKB”, është shprehur Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.