1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Hahn: dialogu Kosovë-Serbi detyrim ligjor në MSA

Bekim Shehu / Prishtinë6 Nëntor 2015

Komisionari i Bashkimit Evropian për Politikë Evropiane të Fqinjësisë dhe Negociata për Zgjerim, Johannes Hahn, gjatë një vizite në Kosovë i bëri thirrje opozitës që mos ta bllokojë punën e Kuvendit.

https://p.dw.com/p/1H15w
Johannes Hahn EU Kommissar für Regionalpolitik
Fotografi: picture-alliance/dpa

Komisionari i Bashkimit Evropian për Politikën Evropiane të Fqinjësisë dhe Negociatat për Zgjerim, Johannes Hahn, tha në Prishtinë se vazhdimi i dialogut me Serbinë është obligim ligjor në Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit. Johannes Hahn, e vizitoi Kosovën dhjetë ditë pasi që Kosova dhe Bashkimi Evropian nënshkruan Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit, e cila për herë të parë e vendos Kosovën në marrëdhënie kontraktuale me BE. Partitë politike opozitare në Kosovë nuk morën pjesë në ratifikimin në Kuvend të kësaj marrëveshjeje, sepse sipas tyre ajo nuk e trajton Kosovën si shtet. Ata po ashtu po pengojnë punën e Kuvendit të Kosovës, pikërisht për shkak të një marrëveshjeje të arritur ndërmjet qeverisë së Kosovës dhe asaj të Serbinë, atë për krijimin e Asociacionit të Komunave më shumicë serbe në Kosovë.

Të fokusohemi te zbatimi i Marrëveshjes


“Në Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit, vazhdimi i dialogut me Serbinë është obligim ligjor dhe një fokus i mëtutjeshëm drejt Bashkimit Evropian. Jam i bindur që kryeministri Mustafa dhe qeveria e tij kanë vullnetin politik dhe kurajën politike që të vazhdojnë më tutje dhe unë e çmoj këtë gjë,” tha komisioneri Johannes Hahn.

Komisioneri Hahn e ftoi opozitën kosovare që të ulet në parlament dhe të diskutojë për të gjitha çështjet që e preokupojnë atë. Sipas tij parlamenti është vendi ku debatohet.

“Pengesat dhe dhuna nuk kanë vend në një shoqëri demokratike në një vend që ka aspirata evropiane. Institucionet e Kosovës duhen respektuar dhe duhen lejuar të funksionojnë në kushte të rregullta dhe produktive. Ligjvënësit e zgjedhur në mënyrë demokratike nuk duhet të frikësohen. Tash duhet të fokusohemi tek implementimi i Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit dhe kjo marrëveshje ka pasur një potencial të madh, por rezultatet e saj varen nga cilësia dhe shpejtësia e zbatimit të saj. BE-ja do të vazhdojë ta ketë rol të veçantë në përkrahjen e reformave të Kosovës, kështu që vetë marrëveshja me Kosovën, por edhe përmes shfrytëzimit të fondeve të paraasociimit, nënkupton një përfitim për Kosovën, këtu po flasim për një shumë prej 650 milion eurosh deri në vitin 2020”, tha Johannes Hahn. Sipas tij Marrëveshja e Stabilizim Asocimit i jep një përkrahje dhe dinamikë zhvillimit ekonomik të Kosovës. Këtë vit, sipas qeverisë së Kosovës rritja ekonomike ishte mbi 3%.

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, thotë se qeveria e tij do ta vazhdojë dialogun me Serbinë dhe do të zbatojë të gjitha detyrimet që dalin nga marrëveshjet e dialogut.“Ne do të vazhdojmë dialogun me Serbinë dhe do të mbetemi konsekuent në zbatimin e marrëveshjeve të arritura deri tash”, tha kryeministri Isa Mustafa, duke rikujtuar se megjithatë duhet pritur interpretimi që po i bën Gjykata Kushtetuese, parimeve të Marrëveshjes për krijimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.

Është pikërisht marrëveshja e arritur me Serbinë për krijimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe ajo që e ka ndarë pozitën dhe opozitën dhe ka bllokuar tash e dy muaj punën e Kuvendit të Kosovës. Opozita kërkon tërheqjen e nënshkrimit nga kjo marrëveshje, sikundër kërkon tërheqjen e nënshkrimit edhe nga marrëveshja për shënimin e vijës kufitare me Malin e Zi. Të dyja këto marrëveshje sipas opozitës janë të dëmshme për Kosovën.

Hahn: Shpresoj që në fund të vitit të këtë një vendim pozitiv për liberalizim e vizave për Kosovën

Komisionari i Bashkimit Evropian për Politikën Evropiane e të Fqinjësisë dhe Negociatave për Zgjerim, Johannes Hahn, me autoritetet në Prishtinë diskutoi edhe çështjen e liberalizimit të vizave. Kosova vazhdon të jetë vendi i vetëm në Evropë që akoma ka regjim vizash për në BE. Kryeministri Isa Mustafa, tha se qeveria e tij i ka plotësuar kriteret që kërkohen për liberalizimin e vizave dhe ai pret që në fund të vitit të ketë një rekomandim pozitiv nga Komisioni Evropian. E rekomandim pozitiv për këtë çështje pret edhe komisionari Johannes Hahn, megjithëse nuk ishte në gjendje të thotë datën e saktë.

“Jemi plotësisht të vetëdijshëm që ky është prioriteti më i lartë politik i Kosovës dhe normalisht pritshmëritë janë të larta. E kemi vlerësuar Kosovën në këtë drejtim dhe gjetjet apo konkludimet fillestare tregojnë se më të vërtetë është arritur një progres i dukshëm. Liberalizimi i vizave është një proces që udhëhiqet nga proceset reformuese dhe unë besoj se deri në fund të këtij viti do të mund të rekomandohet që Kosova i ka plotësuar të gjitha kriteret”, tha Johannes Hahn.

Komisionari i Bashkimit Evropian për Politikë Evropiane të Fqinjësisë dhe Negociata për Zgjerim, Johannes Hahn, gjatë qëndrimit në Kosovë takoi edhe presidenten e Kosovës Atifete Jahjaga, kryetarin e parlamentit Kadri Veseli, ndërsa, me një fjalim ju drejtua edhe deputetëve të Kuvendit të Kosovës, duke numëruar të mirat që i sjell Kosovës Marrëveshja e Stabilizim Asociimit, MSA.