1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Greqi: Zgjedhje të parakohshme

3 Shtator 2009

Si Demokracia e Re dhe PASOK-u janë dy anë të së njëjtës medalje, të një sistemi dypartiak të vjetëruar dhe me prirje korruptive dhe mbajnë përgjegjësi të madhe për pakënaqësinë sociale në shoqërinë greke.

https://p.dw.com/p/JOM3
Që të mërkurën (03.09) Greqia ka hyrë në një fushatë të shkurtër dhe të zhurmshme elektorale
Që të mërkurën (03.09) Greqia ka hyrë në një fushatë të shkurtër dhe të zhurmshme elektoraleFotografi: AP

Një të "ardhme më të mirë" pati premtuar kryeministri konservator grek, Kostas Karamanlis, për rizgjedhjen e tij në shtator 2007. Dhe zgjedhësit i dhuruan atij besimin edhe një herë tjetër pas 2004-ës, megjithë zjarret e pyjeve, që bënë shkrumb e hi pjesë të tëra të Peloponezit dhe dëshmuan në mënyrë tragjike paaftësinë e aparatit shtetëtor për të luftuar një katastrofë natyrore. Jo më shumë se dy vjet më vonë dhe në rrugën drejt një të ardhmeje të vagullt, por gjoja më të mirë, qeverisë Karamanlis i shterroi energjia.

Në një fjalim televiziv drejtuar kombit kryeministri grek shpalli në mbrëmjen e së mërkurës (02.09.09) zgjedhjet e parakohshme, të cilat sipas kushtetutës duhen mbajtur më së voni katër javë pas shpërbërjes së parlamentit. Karamanlis e argumentoi këtë hap jo fare të papritur, me pasojat e krizës ekonomike ndërkombëtare, të cilat kërkuakan një pejsazh të qartë politik dhe një mandat të ri.

Kostas Karamanlis
Kostas KaramanlisFotografi: picture-alliance/ dpa

Gjithsesi në mars të 2010-ës qeveria do të kishte rënë dhe do të ishte detyruar të zhvillonte zgjedhje të parakohshme, meqenëse Karolios Papuliasit nuk i mjafton shumica në parlament për të siguruar sërish postin e presidentit dhe të ministrit të Jashtëm. Ishte pikërisht partia e opozitare socialiste PASOK-u nën Jorgos Papandreun, që donte t'ia hiqte mbështetjen Papuliasit me popullaritet, për ta rrëzuar qeverinë. Nisur nga kjo vështirësi ai theksoi dje se për shkak të situatës së tensionuar dhe të masave të domosdoshme kundër recesionit vendi nuk është në gjendje të përballojë një fushatë gjashtëmujore elektorale. Ai tha se e di që në bazë të anketimeve të fundit PASOK-u ndodhet në avantazh prej pesë deri gjashtë përqind para partisë konservatore Nea Dhimokratia (Demokracia e Re) dhe ai ka vendosur të ndërmarrë diçka.

Situata e tensionuar ekonomike dhe financiare në Greqi është e padiskutueshme. Degë të rëndësishme të ekonomisë, si turizmi dhe lundrimi, janë prekur fort nga kriza ndërkombëtare. Deficiti shtetëror do të përbëjë në fund të vitit afro 6% të prodhimit social bruto dhe Komisioni i BE-së nuk është më i gatshëm t'i japë Athinës vazhdimisht afate të reja për programet e stabilizimit, të cilat në fund nuk sjellin rezultat. Prandaj kryeministri Karamanlis ka vendosur në fjalimin e tij prioritetet për një të ardhme të re më të mirë": Pakësimi i defiçiteve shtetërore, luftimi i mashtrimeve fiskale dhe reformat strukturore. Pyetjes, se përse qeveria e tij nuk i ka ndjekur me vendosmëri dhe efikasitet këto prioritete që prej vitit 2004, ai nuk iu përgjigj.

Që sot, ose më mirë të themi, që të mërkurën në mbrëmje, Greqia ka hyrë në një fushatë të shkurtër dhe të zhurmshme elektorale. Që në fjalën e tij Karamanlis e akuzoi PASOK-un për populizëm dhe pak më vonë në prononcimin e tij të parë për partinë Nea Dhimokratia (ND) edhe Papandreun për klientelizëm. Dy partitë e mëdha do të lajnë edhe një herë llogaritë e vjetra, do t'i tregojnë shoqërisë sikur ata përfaqësojnë pikëpamje diametralisht të kundërta. Por është më se e qartë, që ND dhe PASOK-u janë dy anë të së njëjtës medalje, të një sistemi dypartiak të vjetëruar dhe me prirje korruptive. Të dy kanë humbur deri tani shansin për rinovimin dhe modernizimin përmbajtësor dhe mbajnë përgjegjësi të madhe për pakënaqësinë sociale në shoqërinë greke. Për shkak të mungesës së alternative të tjera për të ardhmen kjo pakënaqësi nuk shprehet më vetëm në kutinë e votimit, por edhe në rrugë, si në dhjetorin e kaluar gjatë trazirave në Athinë.

Autor: Spiros Moskovou
Redaktor: Pandeli Pani