1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Gjermania humb votimin për një vend në Këshillin e Sigurimit

3 Qershor 2026

Gjermania humbi të mërkurën votimin përballë Austrisë dhe Portugalisë për një vend të përkohshëm në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (KS OKB).

https://p.dw.com/p/5Eoue
Seanca e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në sallën plenare në Nju Jork
Asambleja e Përgjithshme e OKB-së - Gjermania nuk merr votat e mjfatueshme për t'u antarësuar në rotacionin e Këshillit të Sigurimit për dy vjet.Fotografi: Michael Kappeler/dpa/picture alliance

Pesëmbëdhjetë nga 193 shtetet anëtare të OKB-së janë anëtarë të Këshillit të Sigurimit. Gjermania ishte në konkurrencë me Austrinë dhe Portugalinë për dy vende në grupin "Evropa Perëndimore dhe të Tjerët”. Duke folur për mediat pas votimit, ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Johann Wadephul, e quajti rezultatin "një zhgënjim të vërtetë”.

Gjermanisë i duhej një shumicë prej dy të tretash të votave në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së për të siguruar një vend të përkohshëm në KS OKB për dy vitet e ardhshme.

Gjermania ishte në konkurrencë me Austrinë dhe Portugalinë për dy vende në grupin "Evropa Perëndimore dhe të Tjerët”. Të dyja vendet, Austria dhe Portugalia, fituan këto vende pasi morën më shumë vota se Gjermania. Portugalia mori 134 vota, ndërsa Austria 131. Gjermania, ndërkohë, siguroi 104 vota.

Zimbabve dhe Trinidad e Tobago u zgjodhën secili pa kundërshtar për vendet e rezervuara për rajonet e tyre në Këshillin e Sigurimit.Shteti i Azisë Qendrore, Kirgistani, u zgjodh gjithashtu për një vend, duke fituar ndaj Filipineve.

Gjermania, një kontribuese e madhe financiare në OKB, kishte bërë përpjekje të mëdha. Gazetari i DW, Benjamin Alvarez Gruber, i cili ndodhej në Nju Jork për votimin, theksoi se Gjermania është kontribuesi i dytë më i madh në OKB.

Para votimit, ministri i Jashtëm Wadephul tha, se Gjermania kishte një "ofertë të mirë” dhe ishte e gatshme të merrte përgjegjësi në këtë forum të rëndësishëm, i cili merret me ruajtjen e paqes dhe sigurinë ndërkombëtare.

Wadephul ka mbrojtur reformimin e Këshillit të Sigurimit për të forcuar rolin e vendeve të jugut global.

Megjithatë, sipas Alvarez Gruber, Rusia zhvilloi një fushatë intensive lobimi kundër kandidaturës së Gjermanisë për Këshillin e Sigurimit. Gjermania është një mbështetëse kyçe e Ukrainës ndërsa ajo përballet me pushtimin e vazhdueshëm rus.

Ministri i Jashtëm gjerman Johann Wadephul në Nju Jork, ku po merr pjesë në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së.
Ministri i Jashtëm gjerman Johann Wadephul në Nju Jork Fotografi: Michael Kappeler/dpa/picture alliance

Si reaguan politikanët drejtues gjermanë?

Pas votimit, kancelari gjerman Friedrich Merz tha: "Aplikuam me bindje. Nuk arritëm qëllimin tonë.”

"Ky rezultat nuk i ndryshon detyrat që kemi në Kombet e Bashkuara. Gjermania mbetet një shtyllë e besueshme e sistemit shumëpalësh,” shtoi ai.

Wadephul, i cili kishte udhëtuar në Nju Jork për këtë rast, tha për mediat se qëndrimet e Gjermanisë për luftërat në Ukrainë dhe Gaza mund të kenë ndikuar në mënyrën se si votuan shtetet.

"Po, ka disa çështje ku ne kemi mbajtur gjithmonë një qëndrim të qartë — qëndrime që jo të gjitha shtetet anëtare të OKB-së i ndajnë,” tha Wadephul.

"Është mbështetja jonë e palëkundur për Ukrainën. Nuk është sekret që Rusia nuk dëshiron një zë të tillë në Këshillin e Sigurimit.”

"Gjithashtu mund të na ketë kushtuar vota fakti që Gjermania gjithmonë duhet të mbajë një përgjegjësi të veçantë ndaj Izraelit në lidhje me konfliktin në Lindjen e Mesme,” vazhdoi Wadephul, duke iu referuar mbështetjes gjermane për Izraelin pas Holokaustit.

Kritika ndaj qeverisë

Jürgen Hardt, anëtar i Bundestagut gjerman dhe zëdhënës për politikën e jashtme i grupit parlamentar CDU/CSU, tha se ishte "për të të ardhur keq” që Gjermania nuk arriti të siguronte vendin në Këshillin e Sigurimit.

Të Gjelbrit, ndërkohë, fajësuan Wadephul dhe Merz për dështimin, duke thënë se qeveria gjermane nuk ka bërë mjaftueshëm për mbrojtjen e klimës. Ata gjithashtu theksuan shkurtimet në ndihmën për zhvillim.

Gjermania ka qenë për herë të fundit në Këshillin e Sigurimit për vitet 2019 dhe 2020.

Këshilli i Sigurimit është i vetmi organ i OKB-së, rezolutat e të cilit janë ligjërisht detyruese.

Këshilli përbëhet nga 15 nga 193 shtetet anëtare. SHBA, Mbretëria e Bashkuar, Kina, Rusia dhe Franca janë pesë anëtarët e përhershëm dhe kanë të drejtë vetoje.

dpa/dw