1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Deutschland Griechenlandhilfe

28 Prill 2010

Greqia ka nevojë për një paketë ndihmash prej 45 miliardë eurosh, për të evituar falimentimin e shtetit. 15 miliardë duhet të vijnë nga FMN-ja, ndërsa pjesën tjetër më të madhe të parave, duhet ta paguajë Gjermania.

https://p.dw.com/p/N8bj
Valixhe me kartemonedha eurosh para flamurit të Greqisë
Fotografi: DW-Montage/bilderbox.de

Nga shuma e përgjithshme e paketës së ndihmave, Gjermania duhet të paguajë rreth 8,4 miliardë euro. Meqenëse më 9 maj mbahen zgjedhjet në Renaninë Veriore-Vestfali shumë politikanë gjermanë kanë ashpërsuar tonet ndaj Greqisë. Mesazhi i tyre ndaj zgjedhësve është që Gjermania nuk ka para për t'i falur askujt. E pra pse Gjermania duhet të japë më shumë ndihma për vendin e rrezikuar nga falimentimi?

Përgjigja më e shkurtër dhe më e thjeshtë do të ishte: Gjermania është fuqia më e madhe ekonomike në Bashkimin Evropian dhe ka numrin më të madh të banorëve. Meqenëse vendet anëtare të zonës së euros kanë një monedhë të përbashkët, secili prej këtyre vendeve duhet të ngarkohen sipas mundësive.

Shuma e kapitalit në Bankën Qendrore Evropiane e detyron Gjermaninë

Një përgjigje më e plotë është pak më teknike, por bazohet në kriterie të ngjashme, pra në rëndësinë ekonomike dhe numrin e banorëve. Nga këto të dhëna llogaritet edhe i ashtuquajturi çelësi i kapitalit në Bankën Qendrore Evropiane. Sipas këtij çelësi llogaritet se sa para ka një vend në kapitalin bazë të Bankës Qendrore Evropiane. Vendet anëtare të BE-së, të cilat nuk e kanë futur në përdorim euron si monedhë zyrtare, si për shembull, Britania e Madhe apo Suedia, marrin pjesë të paktën në shpenzimet e Bankës Qendrore Evropiane dhe paguajnë rreth shtatë për qind të kapitalit të saj.

Kapitali bazë i Bankës Qendrore Evropiane në këtë moment është rreth 5,8 miliardë euro. Më shumë se dy të tretat kanë siguruar vendet anëtare të zonës së euros, ndërsa pjesën tjetër vendet jashtë kësaj zone. Sipas këtij çelësi, Gjermania ka në këtë Bankë 19 për qind të kapitalit. Por paketa e planifikur për shpëtimin e Greqisë i prek vetëm vendet e zonës së euros, që do të thotë se përqindja që duhet të paguhet prej Gjermanisë shkon në 27 për qind. Me fjalë të tjera, nga 30 miliardë euro që duhet të jepen nga shtetet anëtare të kësaj zone, Gjermania duhet të pagujë më shumë se tetë miliardë.

Autor: Andreas Becker/Bahri Cani

Redaktoi: Auron Dodi