1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Gazetarja amerikane dënohet për shkak të ruajtes së burimit të informacioneve

Daniel Sheshkevic7 Korrik 2005

Një gjykatë amerikane të mërkurën ka dënuar me burgim për nënshtrim një gazetare amerikane, e cila ka refuzuar ta bëjë publik emrin e burimit të informacioneve. Gjykata do të gjejë të dhënat se kush para dy vjetësh e ka bërë publik identitetin e agjentes së CIA-s Valeri Plame. Bashkëshorti i saj Vilson Plame, i cili në atë kohë ishte ambasador amerikan në Irak, e ka quajtur këtë akt si hakmarrje të Qeverisë amerikane. Pak kohë para ndërhyrjes ushtarake në Irak, ai ka kundërshtuar pohimet e presidentit Xhorxh Bush, se Bagdadi zyrtar përpiqej të blente uran në Afrikë. Prandaj dyshohet se identiteti i agjentes është bërë publik nga vetë qarqet e Shtëpisë së Bardhë.

https://p.dw.com/p/Aqk4
Protesta për shkak të arrestimit të gazetares Miller
Protesta për shkak të arrestimit të gazetares MillerFotografi: ap

Bërja publike e identitetit të një agjente të CIA-s, në SHBA paraqet vepër penale. Ai i cili gazetarëve u ka dorëzuar këto të dhëna, ka bërë këtë vepër. Prandaj prokuroria ka ndërmarrë hetime dhe ka marrë në pyetje edhe presidentin Xhorxh Bush, zëvendës presidentin Dik Çejni dhe një numër të madh nëpunësish në administratën e Shtëpisë së Bardhë. Tani mungon vetëm dëshmia e gazetares së Nju Jork Tajms Judit Miller dhe të revistës Tajm Magazin, Mat Kuper. Megjithë kërcënimet me burgosje për nënshtrim, për shkak të mosrespektimit të gjykatës, Miller nuk bëri publik emrin e burimit të informacioneve. Ajo tha se ruajtja e identitetit të burimit të informacioneve është pjesë e parimeve gazetareske.
"Ky ose është një parim ose nuk është. Ruajtja e burimit të informacioneve për mua është një prej parimeve themelore të profesionit tonë", tha ajo. Sipas të gjitha gjasave, Miller do të jetë në burg deri në përfundimin e hetimeve, në fund të tetorit. Prokuroria synon që në këtë mënyrë të detyrojë gazetaren të dëshmojë.
Kolegu i saj Mat Kuper në anën tjetër, deri në minutën e fundit thoshte se është i gatëshëm për dëshmi. Ai thoshte se burimi i tij i ka telefonuar dhe kinse e ka liruar nga obligimi për heshjten e burimit të informacioneve. Pas daljes nga Gjykata ai tha: "Eshtë për keqardhje kur dy gazetarë të cilët kanë bërë vetëm punën e tyre dhe të cilët nuk duan të keqpërdoren për shkak të besimit ndaj ligjeve, duhet të shkojnë në burg", thotë ai.
Kuper mbetet i lirë për shkak se ka premtuar se do të bëjë publik burimin e informacioneve. Për dallim prej Nju Jork Tajms, revista Tajm Magazin i ka dorëzuar gjykatës dokumentacionin e kërkuar. Botuesi Ed Keler ka shprehur keqardhje për dënimin e reporteres së tij.
"Mbase disa prej dëshmitarëve okularë tashti do të kuptojnë se edhe sot në këtë vend ekzistojnë gazetarë të cilët nuk nënshtrohen", tha ai.
Përmes avokatit të saj, Miller ka bërë të ditur se do të heshtë deri në fund të hetimeve. Lidhur me këtë temë kjo gazetare ka bërë hulumtime të shumta, por kurrë nuk ka shkruar asnjë tekst.
Emri i agjentes së CIA-s për herë të parë është bërë publik nga komentatori i gazetës Vashington Post, Bob Novak. Ai shpreh keqardhje për procesin kundër koleges së tij, por ka refuzuar të bëjë publike nëse hetuesve juridik u ka kumtuar identitetin e burimit të informacioneve. Rasti Miller do të duhej të kishte edhe pasoja për ligjin gazetaresk: në 49 nga 50 shtetet amerikane garantohet e drejta e gazetarëve për heshtjen e burimit të informacioneve. Një ligj i tillë mungon në nivelin federal. Të dy partitë më të mëdha kanë paralajmëruar ndihmë në këtë drejtim.