1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Frika nga "ariu rus"

Zoran Arbutina/Auron Dodi11 Shtator 2014

Vendet e Evropës Lindore janë të shqetësuara nga politika e pavendosur e Perëndimit ndaj Rusisë. Kjo politikë kritikohet si e pavendosur dhe mjaft e butë. Në Poloni, në Rumani dhe në Bullgari ringjallet frika e vjetër.

https://p.dw.com/p/1DA2l
Belgien Nato-Hauptquartier in Brüssel Flaggen
Fotografi: John Thys/AFP/Getty Images

Sa më shumë trupa të NATO-s që të jetë e mundur, sa më pranë kufirit lindor që të jetë e mundur dhe sa më herët që të jetë e mundur. Kështu mund ta përmbledhësh afërsisht mendimin në Poloni, kur bëhet fjalë për atë që pret kjo anëtare e NATO-s nga aleatët në krizën e Ukrainës. Politika polake, e cila është përndryshe e përçarë ka muaj që tani është e të njëjtit mendim: Agresioni i Putinit kundër Ukrainës është një rrezik për sigurinë e Polonisë.

Janë zgjuar kujtime të kohës traumatike të Luftës së Dytë Botërore: të Paktit Hitler -Stalin, në të cilin të dy diktatorët e ndanë Poloninë në mënyrë të paskrupullt. Të sulmit të Gjermanisë naziste ndaj Polonisë. Dhe të marshimit të trupave sovjetike që në vitin 1939: ato pushtuan gjithë Poloninë Lindore, rajonet rreth Lvivit, Brestit dhe Vilniusit janë të humbura që atëherë për Poloninë.

Shtypi polak sheh që ka shpërthyer një epokë e re konfrontimi, dhe që tani vajtohet për vitet pas zgjedhjeve të para të lira në vitin 1989. "Ishin 25 vjetët më të mirë të Polonisë që prej dekadash. Tani kjo kohë kaloi", shkroi Adam Michnik, kryeredaktori i gazetës më të madhe mbirajonale polake, "Gazeta Wyborzca".

Frikë nga Rusia, zhgënjim nga Gjermania

Tej për tej kufijve partiakë shihet në mënyrë kritike qëndrimi i Gjermanisë përballë Moskës. "Në rast rreziku, Gjermania nuk do ta mbronte Poloninë kundër Rusisë", shkruan për shembull publicisti Bartosz Wielinski në "Gazeta Wyborzca". Analistë të tjerë mendojnë se Gjermania i vë interesat ekonomike mbi sigurinë e Evropës Lindore.

Joe Biden dhe Traian Basescu
Joe Biden dhe Traian BasescuFotografi: Reuters

Polonia është pas samitit të NATO-s në Wales vërtet më e sigurtë se më parë, por fati i Ukrainës është i vulosur, sepse Perëndimi, i frenuar kryesisht nga Gjermania, nuk është i gatshëm ta mbështesë Ukrainën ushtarakisht ose ekonomikisht - në këtë përfundim arrin shumë komente. "Skenari më i keq është shpërbërja e Ukrainës, hutimi i Evropës dhe vazhdimi i kursit të deritashëm të Putinit", paralajmëron Adam Michnik. Parashikimi i tij "Në fillim radhën do ta ketë Moldavia. Pastaj shpejt ne do të dëgjojmë për përndjekjet e tmerrshme ndaj rusëve në Estoni dhe Letoni, dhe që ata duhet të ndihmohen patjetër."

Armë atomike në kufirin lindor të NATO-s

E parë në mënyrë racionale, vërtet që nuk ka rrezik të drejtpërdrejtë për vendin e tij, tha para pak kohësh presidenti i Rumanisë, Traian Basescu. Por duhet të përgatitesh për iracionalen. Përballë shkallëzimit të gjendjes në Lindje të Ukrainës, ai kërkoi nga BE dhe NATO që t'i furnizojnë me armë forcat e armatosura të Ukrainës. "Sot e ka radhën Ukraina, nesër mund të preket kushdo tjetër", shprehet Basescu.

Përfytyrime që shkojnë më tej për armët që nevojiten ka ish-ministri i jashtëm i Bullgarisë, Solomon Passy. Passy përforcon kërkesën e tij për të vendosur armë atomike të shteteve lindore të NATO-s në kufijtë lindorë të Aleancës. "Armët atomike penguan me efektin e tyre frikësues Luftën e Tretë Botërore në shekullin e 20-të. " Një hap i tillë është sipas tij i nevojshëm për shkak të "invazionit të Putinit" në Ukrainë.

Ndërsa Presidenti i Rumansë, Basescu është për stacionimin e armëve konvencionale në vendin e tij. Një ditë para samitit të NATO-s, Këshilli më i lartë i mbrojtjes në Bukuresht miratoi stacionimin e avionëve luftarakë të NATO-s në Rumani.