1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Fitore për Prodin - Italianët hedhin poshtë reformën kushtetuese të Berluskonit

Jërg Seiselberg27 Qershor 2006

Mbi bazën e rezultateve jo përfundimtare të shpallura të ditën e djeshme, rreth 62% e zgjedhësve kanë votuar kundër reformës kushtetuese të Berluskonit, rreth 38% pro reformës. Në referendum kanë marrë pjesë 53,6% e zgjedhësve.

https://p.dw.com/p/AqpV
Fotografi: AP

Ky është suksesi i tretë i kryeministrit Romano Prodi brenda tre muajve. Pas zgjedhjeve parlamentare dhe atyre komunale, kryeministri bashkë me aleancën e qendrës së majtë duket se ka fituar bindshëm edhe referendumin për kushtetutën. Senatori Viller Bordon, një ndër të besuarit e Prodit, u shpreh mëse i kënaqur për rezultatin: "Fitojnë italianët që e kanë kuptuar, se ndryshimi i kushtetutës nuk mund t´i përkasë vetëm një kahu politik. Një reformë e tillë duhet të vendoset nga një shumicë e gjerë. Ne i ofrojmë tani opozitës, që ta modernizojmë së bashku kushtetutën. Shifrat mbi rezultatin e referendumit janë për ne mjaft pozitive."

Referendumi konsiderohej si më i rëndësishmi qysh pas themelimit të republikës. Ndryshimi kushtetues i arritur nga Berluskoni vjeshtën e kaluar ndër të tjera parashikonte, që kryeministri të ketë më shumë kompetenca. Ai duhet të zgjidhet direkt nga populli dhe të mos i nënshtrohet më votëbesimit në parlament. Ajo që shkaktoi më shumë indinjatë tek kritikët ishte kërkesa, që në të ardhmen kryeministri të fitonte të drejtën e shpërndarjes së parlamentit, një kompetencë kjo që në Itali deri tani i është rezervuar vetëm presidentit të shtetit. Ky rregull i dëshiruar prej Berluskonit, sipas kritikës së të majtëve, faktikisht do t´i shndërronte parlamentarët në kukulla të kryeministrit.

Berluskoni dhe aleanca e tij e qendrës së djathtë e kanë mbrojtur me insistim reformën deri në fund. Ndryshimi i kushtetutës, sipas argumentimit të tyre, do ta bënte Italinë më moderne dhe më të qëndrueshme në aspektin politik. Nënkryetari i partisë së Berluskonit, "Forza Italia", Fabricio Kishito, ashtu si edhe pas zgjedhjeve parlamentare, shprehu dyshime mbi rezultatin duke u ankuar për gabimet e bëra në numërimin e votave: "Ne padisim, që numërimi i votave të italianëve jashtë atdheut ka nisur qysh në orën 11, katër orë përpara mbylljes së qendrave të votimit. Përfaqësuesve të listave tona u është ndaluar të punojnë atje. Kjo është bota e parregullsive."

Me jo-në në referendum italianët kane refuzuar edhe zgjerimin e kompetencave për rajonet, që ish propozuar nga Berluskoni në projektin për ndryshimin e kushtetutës. Ndër të tjera parashikohej që rajonet të ishin të mëvetsishme lidhur me arsimin dhe shëndetësinë si dhe për policinë. Shefi i partisë "Lega Nord", Umberto Bosi, që është angazhuar me forcë për rajonalizimin, përdori tone të ashpra të hënën (26.06) pas mbylljes së qendrave të votimit. Populisti i djathtë kërcënoi, se në rast të jo-së për ndryshimet në kushtetutë, ai do të luftojë, që Italia e Veriut t´i bashkangjitet Zvicrës. Bosi, që në qeverinë e Berluskonit ka qenë ministër i reformës, herë pas here ka tërhequr vëmendjen e opinionit me deklaratat e tij spektakolare.