Dialogu: Të vrarët, të pagjeturit dhe të zhvendosurit | Ballkani | DW | 23.07.2020
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages
Reklamë

Ballkani

Dialogu: Të vrarët, të pagjeturit dhe të zhvendosurit

Në Bruksel vazhdon sot dialogu Kosovë-Serbi. Pritet të hapen edhe dy çështje tepër të rënda: të pagjeturit dhe të zhvendosurit/dëbuarit. Ekipi i DW ka mbledhur të dhënat e palëve.

Autoritetet e Prishtinës si dhe organizatat joqeveritare vendore e ndërkombëtare thonë se gjatë luftës së Kosovës (1998-1999) janë vrarë dhe zhdukur më shumë se 13.500 persona. Këto shifra të publikuara nga Fondi për të Drejtën Humanitare në Kosovë dhe Beograd, janë shfrytëzuar edhe nga institucionet e Kosovës.

Sipas këtyre burimeve, rreth 76% e këtyre personave kanë qenë civilë të vrarë. Në evidenca thuhet se janë vrarë 10.794 shqiptarë, 2.197 serbë, ndërsa pjesa tjetër i përket grupeve të tjera etnike që jetojnë në Kosovë. Burimet në Kosovë thonë se shqiptarët janë vrarë nga forcat ushtarake, policore dhe paramilitare serbe. Por edhe sot, më shumë se 21 vjet nga përfundimi i luftës së Kosovës, 1.647 persona konsiderohen si të pagjetur dhe për ta ende nuk dihet asgjë. Prej tyre rreth 420 serbë, të tjerët shqiptarë.

Të pagjeturit

Prej përfundimit të luftës e deri më sot, në Komitetin Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq dhe Komisionin Qeveritar të Kosovës për Persona të Zhdukur, sipas kërkesave të familjarëve, janë evidentuar 6.057 raste të personave të zhdukur, si pasojë e luftës në Kosovë. Fati i shumicës është zbardhur, por për 1.647 persona ende nuk dihet asgjë.

Autoritetet e Kosovës dhe organizatat joqeveritare ndërkombëtare bëjnë të ditur se rreth 80% e personave të zhdukur gjatë luftës kanë qenë meshkuj të moshës prej 18 deri në 40 vjeç. Pjesa tjetër janë e moshës 41 deri në 60 vjeç, por ka pasur edhe disa raste të rrëmbimeve dhe zhdukjeve të personave mbi moshën 60-vjeçare.

Varrezat masive

Në Kosovë dhe në Serbi është zbuluar pas lufte një numër i madh i varrezave masive me trupat e të vrarëve gjatë luftës. Gjatë hulumtimeve sipas aktakuzave për krimet e luftës, të kryera për nevojat e Tribunalit të Hagës, prej marsit të vitit 2000, janë indentifikuar 529 varreza masive, shumica dërmuese në Kosovë. Në këto varreza janë gjetur trupat e pajetë të 4.300 personave të vrarë.

Drejtor i Fondit për të Drejtën Humanitare në Kosovë, Bekim Blakaj thotë se mos evidentimi i plotë i krimeve dhe mangësitë në mbledhjen e dëshmive edhe sot, 21 vjet pas përfundimit të luftës, krijojnë vështirësi të mëdha në përmbylljen e këtij procesi tepër të rëndë dhe të ndjeshëm. Pas kaq shumë vitesh është shumë e vështirë të gjenden burimet primare, për shkak të vdekjes ndërkohë të shumë dëshmitarëve dhe mungesës së dokumentacionit. Mirëpo në këtë proces mund të ndihmojë bashkëpunimi i institucioneve të Kosovës dhe Serbisë, si dhe burimet e Tribunalit të Hagës, të cilat kanë evidentuar dhe krijuar një arkiv për shumë krime.

Varrezat masive në Serbi

Pas luftës së Kosovës në Serbi janë zbuluar disa varreza masive, ku janë futur trupat e shqiptarëve të vrarë në Kosovoë. Varreza më e madhe masive është zbuluar në Batajnicë të Beogradit. Sipas të dhënave të deritanishme, në këtë poligon të njësive speciale të Serbisë, janë zbuluar trupat e rreth 930 personave. Burimet serbe thonë se në Serbi ka gjithsej shtatë varreza masive, ndërsa trupat e shqiptarëve të vrarë në Kosovë janë gjetur në Peruçac, Petrovo Selo dhe Rudnici.

Burimet serbe flasin edhe për djegien e trupave të shqiptarëve të vrarë në Trepçë, por edhe në shkritoren në qytetin Bor të Serbisë. Këto të dhëna nuk janë konfirmuar nga autoritetet ndërkombëtare. Me 6 prill të vitit 1999 në lumin Danub, në Klladovë, është zbuluar një maunë me regjistrim të Prizrenit, me rreth 80 shqiptarë të vrarë. Policia fillimisht pohonte se të vrarët janë kurdë, të cilët donin të kalonin lumin dhe të shkojnë në Rumani. Të vërtetën për trupat e shqiptarëve të vrarë e ka zbuluar një banor i Klladovës, i cili më pas është gjetur i vdekur.

Të dhënat e FDH

Fondi për të Drejtën Humanitare në Beograd dhe FDH i Kosovës kanë botuar së bashku edhe një libër me titull: "Libri i Kujtimit të Kosovës”, ku janë publikuar të gjithë emrat e të vrarëve dhe të pagjeturve, në periudhën prej 1 janar 1998 deri më 31 dhjetor 2000. Ky Fond ka evidentuar 13.518 persona të vrarë gjatë luftës së Kosovës. Prej tyre 10.794 shqiptarë, 2.197 serbë, ndërsa 527 i përkasin grupeve të tjera etnike. Më së shumti njerëz janë vrarë gjatë vitit 1999 (11.199 persona).

Prej tyre 11.661 të vrarë kanë qenë meshkuj, ndërsa 1.857 femra. Saa i përket moshës, gjatë luftës në Kosovë janë vrarë foshnje të posalindura por edhe persona mbi 100 vjeç. FDH nënvizon se në periudhën prej vitit 1998-2000 janë vrarë 239 fëmijë të moshës prej zero deri në pesë vjeç. Ndërsa katër persona të vrarë kanë qenë të moshës mbi 100 vjeç. Këto burime thonë se numri më i madh i të vrarëve kanë qenë civilë, fshatarë, të cilët nuk kanë pasur lidhje me kryengrijten e armatosur.

Drejtorja e FDH në Beograd, Natasha Kandiq pohon se si pasojë e bombardimeve të NATO-s në Kosovë janë vrarë 488 persona (249 shqiptarë, 202 serbë, 37 romë dhe të tjerë). Ndërsa gjatë bombardimeve në Serbi janë vrarë 260 persona, ndërsa në Mal të Zi 10.

Vrasjet pas tërheqjes së forcave serbe

Drejtorja e FDH në Beograd Kandiq thotë se pas tërheqjes së forcave serbe nga Kosova, në periudhën prej 15 qershor 1999 deri në fund të dhjetorit 2000, në Kosovë janë vrarë, kidnapuar apo zhdukur 1.257 persona: 717 serbë, 307 shqiptarë dhe 233 romë. Këto evidentime janë bërë me qëllim që të zbardhet e vërteta deri në fund dhe që të krijohet një bazë e të dhënave që dokumeton se çfarë kanë ndodhur gjatë luftës dhe pas luftës, pohon Kandiq.

Burimet serbe

Autoritetet serbe dhe organizatat joqeveritare në Serbi kanë të dhëna të ndryshme sa i përket numrit të të vrarëve, rrëmbyerve dhe të dëbuarve nga Kosova. Në të dhënat e qeverisë serbe përfshihen të gjithë personat, për të cilët mendohet se janë vrarë nga "terroristët shqiptarë", siç i quan ajo. Këtu bëjnë pjesë ushtarët, policët, serbët civilë, malazezët, romët dhe shqiptarët që kanë evidentuar autoirtetet serbe.

Qeveria serbe pohon, se në periudhën prej janarit të vitit 1998 deri në nëntor të vitit 2001, "terroristët shqiptarë" kanë vrarë 1.835 persona ndërsa kanë kidnapuar 1.441 persona.

Ky burim pohon se në Kosovë janë vrarë, rrëmbyer dhe zhdukur 1.953 serbë dhe malazezë, 266 të tjerë, 381 ushtarë të Ushtrisë Jugosllave, 243 policë dhe 72 viktima të paidentifikuara. Në raportin e qeverisë serbe flitet për vetëm 361 civilë të vrarë shqiptarë, që jep një shifër të përgjithshme prej 3.276 personave të vrarë, të rrëmbyer dhe të zhdukur. Në raportin e qeverisë serbe thuhet se këto të dhëna megjithatë nuk mund të konsiderohen si të plota dhe përfundimtare.

Në këto shifra nuk janë përfshirë viktimat e bombardimeve të NATO-s. Qeveria serbe pohon se gjatë këtyre sulmeve janë vrarë 462 ushtarë dhe 114 pjestarë të njësive speciale policore.

Shoqata e Familjeve të Personave të Zhdukur dhe të Rrëmbyer në Serbi pohon se "gjatë konflikteve në Kosovë e Metohi janë zhdukur rreth 1.300 serbë." Në studimin e Fondit për të Drejtën Humanitare në Beograd, që konsiderohet edhe si studimi më i detajuar, thuhet se në periudhën janar 1998 - dhjetor 1999, në Kosovë janë vrarë 1.123 civilë serbë, prej tyre 786 janë vrarë pas futjes së forcave të NATO-s në Kosovë (12 qershor 1999 – dhjetor 1999).

Librat shkollore në Serbi

Si të dhëna përfundimtare të palës serbe mund të konsiderohen edhe ato që i gjejmë në librat shkollore, që janë publikuar me lejen e Ministrisë së Arsimit. Në librat shkollore në Serbi përmendet një letër që Republika Federale e Jugosllavisë (e krijuar pas daljes së Sllovenisë, Kroacisë, Bosnjë-Hercegovinës dhe Maqedonisë së Veriut nga ish-SFRJ) i ka dërguar Këshillit të Sigurimit të OKB në shkurt të vitit 2000. Në këtë letër thuhet se prej futjes së forcave të NATO-s në Kosovë "janë vrarë 899 persona dhe janë kidnapuar 834”, por në këtë letër nuk flitet për përkatësinë nacionale të personave të vrarë apo rrëmbyer.

Kosovo Vermisste Personen

Të zhvendosurit

Një prej temave të cilat pritet të hapen në dialogun e Brukselit do të jetë edhe çështja e të zhvendosurve/deportimit serb nga Kosova. Qeveria e Serbisë flet për më shumë se 280.000 të zhvendosur brenda dhe të dëbuar nga "Kosova e Metohia". Ka burim flet edhe për rreth 20.000 serbë të zhvendosur brenda Kosovës, nga zonat multietnike në eklavat njëetnike. 

Ndërsa në të dhënat e Komisariatit të Lartë të Kombeve të Bashkuara për Refugjatë, flitet për 210.000 serbë dhe joshqiptarë të dëbuar nga Kosova. Deri tani nuk ka të dhëna të sakta se sa prej tyre janë dëbuar, sa kanë ikur së bashku me forcat serbe, sa prej tyre kanë shitur legalisht shtëpitë dhe pronat e tyre dhe janë zhvendosur nga Kosova.

(Pa)saktësia e të dhënave

Burimet serbe thonë se dhënat e autoriteteve të Serbisë dhe shoqatave të ndryshme nuk mund të konsiderohen si të plota dhe përfundimtare, sepse pala serbe nuk ka mundur të evidentojë të gjitha zhvillimet pas futjes së forcave të NATO-s në Kosovë. Autoritetet serbe kanë publikuar edhe një libër me titull "Libri i kujtimeve të Kosovës". Në këtë libër janë publikuar emrat e viktimave të krimeve të luftës (civilë, të plagosur dhe të zënë robë), emrat e personave të vrarë gjatë luftës dhe personave të zhvendosur me dhunë në periudhën prej 1 janar 1998 deri me 31 dhjetor 2000.