1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Brukseli nuk duhet të mbyllë dyert për Turqinë

Sonila Harasani8 Nëntor 2006

Gazetat e sotme gjermane fokusohen tek kritikat e BE-së kundrejt Turqisë dhe politikës së saj si edhe tek zgjedhjet për kongresin amerikan që kanë filluar në SHBA-s.

https://p.dw.com/p/Arn6
Turqi- Bashkim Europian
Turqi- Bashkim EuropianFotografi: picture-alliance/ dpa/dpaweb

Gazeta "General-Anzeiger" nga Boni shkruan mbi Turqinë:

"Akuzat e Brukselit kundër Ankarasë janë të rënda. Por fundja ato janë pikërisht ajo për të cilën ka nevojë kryeministri turk Erdogan: Pra një deklaratë zyrtare se ai po sillet kundër vullnetit të Perëndimit. Por Erdogan dëshiron të rizgjidhet në zgjedhjet e ardhshme. Prandaj edhe Brukseli është i vetëdijshëm se vendi aspirant për antarësim duhet trajtuar me kujdes dhe pa frikë, sepse vetëm kështu mund të binden të gjithë skeptikët kundër antarësimit të Turqisë në BE. Por nga ana tjeter, Brukseli nuk duhet kurrsesi të bëjë diçka: Të mbyllë dyert në këto momente për Turqinë. Sepse një vendim i tillë do të forconte pikërisht ato grupe që kanë pushtet në vend: ushtarakët. Pra ndonëse Brukseli e kritikon Erdoganin, ai ka nevojë për të."

Gazeta "Wiesbadener Kurier" komenton:

"Në fakt mjafton debati mbi Qipron për t´i deklaruar të dështuara përpjekjet për antarësim të Turqisë në BE. Askush nuk ka të drejtë të mendojë se një vend kandidat për antarësim në BE mund të mbyllë portet e tij detare për një vend antar të BE-së. Tani e ka në duar qeveria e Erdoganit, që ta realizojë marrëveshjen e arritur mbi doganat, qoftë edhe për shkak se përndryshe Qipro mund të përdorë të drejtën e saj për veto kundër antarësimit të Turqisë në BE. Por mesa duket qeveria turke vazhdon t´i konsiderojë bisedimet për antarësim si një formë pazari, në të cilin mund të vendosë në minutën e fundit se cilin çmim do të paguajë vërtetë."

Gazeta "Nürnberger Zeitung" shkruan:

"Në shoqërinë turke po rritet mëria kundrejt evropianëve. Islamikët janë të zhgënjyer, sepse ata, po të kemi parasysh debatin mbi shaminë e kokës, shpresonin se BE-ja do të ushtronte më shumë presion ndaj vendit të Kemal Ataturkut. Nga ana tjetër ushtarakët me prirje kombëtare janë të zhgënjyer mbi evropianët, të cilët përzihen në çështje kaq delikate ajo e Qipros apo politika turke."

Gazeta "Tageszeitung" nga Berlini komenton: "Brenda rradhëve të partisë social demokrate SPD gjenden tashmë, përveç ministrit të jashtëm Frank Valter Steinmeier, krejt papritur edhe shefi i partisë Kurt Beck si edhe zëvendëskancelari Franz Müntefering, të cilët shfaqin interes të dukshëm kundrejt politikës së Brukselit. Motivi është i qartë. Këta politikanë duan të evitojnë që Angela Merkel ta fokusojë interesin e saj nga politika e brendshme në atë të jashtme, siç bëri në fillim të karrierës së saj si kancelare gjermane. Asokohe ajo sapo kish zgjidhur problemin e vështirë të financave të BE-së dhe u festua nga të gjithë si heroinë e paparë. Deri sa vëzhguesit politikë llogaritën publikisht se sa taksa kish shpenzuar kancelarja pa kurrfarë nevoje."

Gazeta "Pforzheimer Zeitung" shkruan: "Duhet të jemi sa më të drejtë dhe t´i ofrojmë Turqisë shanse të mjaftueshme që të dëshmojë nëse është apo jo një kandidate e denjë për t´u atarësuar plotësisht në BE. Diçka është bërë e qartë tashmë: Me gjithë deklaratët e skeptikëve, mund të themi se nuk është e vërtetë se fillimi i bisedimeve për antarësim të çon automatikisht në BE. Vetëm ata që i përmbushin të gjitha kriteret, kanë të drejtë të hyjnë në zemër të Evropës. Në fakt diçka shumë e thjeshtë, por ndoshta për Turqinë aktualisht e vështirë."

Ndryshojmë temë.

Gazeta "Financial Times Deutschland" shkruan mbi zgjedhjet për kongresin amerikan që kanë filluar në SHBA-s: "Në shumë vende në SHBA-s janë rritur shpresat se me përfundimin e epokës së Bushit, do të fillojë një linjë e re politike në vend. Por duhet të paralajmërojmë se është ende herët për të pasur shumë shpresa tek politika e ardhshme e jashtme e Uashingtonit. SHBA-s qëndrojnë tani përpara një faze ndryshimesh në politikën e brendshme, e cila ka prioritet absolut për të. Në axhendën e brendshme të qytetarëve amerikanë qëndrojë tema si emigracioni, ekonomia dhe financat shtetërore. Bota duhet të presë edhe ca."