1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Bolton e Mitchell i telefonojnë Thaçit për dialogun

Bekim Shehu''
1 Shkurt 2019

SHBA-së kërkojnë nga Kosova që ta heqë taksën ndaj produkteve serbe për hir të dialogut. Kryeministri Ramush Haradinaj kërkon njohjen e Kosovës nga Serbia.

https://p.dw.com/p/3CZxC
USA John Bolton
Fotografi: picture alliance/AP Photo/C. Owen

Nuk ka të ndalur presioni ndërkombëtar mbi udhëheqësit politikë të Kosovës që ta heqin taksën ndaj produkteve të Serbisë dhe të flasin me një zë, në mënyrë që t'i hapet rrugë dialogut Kosovë-Serbi. Pas deklaratës se ambasadorit të SHBA-së, i cili kërkon që t'i hapet rrugë dialogut, janë dy zyrtarë të lartë të administratës së SHBA-së, John Bolton, Këshilltar për Siguri Kombëtare i Presidentit Donald Tramp dhe Wess Mitchell, Ndihmëssekretar amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, që zhvilluan biseda telefonike me Presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi. Kjo u bë e ditur nga vetë Presidenti i Kosovës, i cili në dy postime të ndara shkroi:  

"Me Këshilltarin për Siguri Kombëtare në Shtëpinë e Bardhë, ambasadorin John Bolton, biseduam për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, si dhe për partneritetin e përhershëm në mes të Kosovës dhe SHBA-së. Ambasadorin Bolton e sigurova se Republika e Kosovës mbetet e përgjegjshme për vazhdimin e dialogut dhe do të flasë me një zë, ashtu siç ka kërkuar Presidenti Trump. Ne jemi të bindur se dialogu do të fillojë së shpejti dhe do të përfundojë me një marrëveshje gjithëpërfshirëse, që siguron njohjen reciproke dhe anëtarësimin në NATO, BE dhe OKB”, shkroi Presidenti Thaçi, duke siguruar se "Kosova ka ecur gjithmonë përkrah Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe miqësia do të jetë e përhershme”.

Një tjetër bisedë telefonike, Presidenti i Kosovës bëri të ditur se e ka zhvilluar edhe me Ndihmëssekretarin amerikan të Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, Wess Mitchell, me të cilin sic thotë ka biseduar "për situatën politike në Kosovë”.

Wess Mitchell
Wess MitchellFotografi: picture-alliance/AP Photo/A. Brandon

"Ne u pajtuam që ta vazhdojmë përkushtimin tonë në fazën e fundit të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Të gjitha institucionet në SHBA janë në mbështetje të Republikës së Kosovës për arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse, e cila përfundimisht do të sjellë paqe dhe stabilitet afatgjatë në Ballkanin Perëndimor. Kosova është unike dhe plotësisht e vetëdijshme për këtë mundësi historike”, shkroi Presidenti i Kosovës.

Një ditë më parë, Thaçi takoi në zyrën e tij, ambasadorit amerikan në Kosovë, Philip S. Kosnett, kryeparlamentarin Kadri Veseli, kryeministrin Ramush Haradinaj dhe zëvendëskryeministrat Fatmir Limaj e Behgjet Pacolli. Në këto takime, siç tha Presidenti, "kanë biseduar për çështje të rëndësishme shtetërore, për ruajtjen e partneritetit të përjetshëm me SHBA-në dhe për procesin e dialogut Kosovë-Serbi”.

Kosovo Präsident Hashim Thaci | ARCHIV
Fotografi: Reuters/L. Hasani

"Interesi shtetëror duhet të bëjë bashkë gjithë spektrin politik, për të marrë vendime të rëndësishme për perspektivën e qytetarëve dhe për të ardhmen tonë euroatlantike, në përputhje me interesat e SHBA-së dhe partnerëve strategjikë të Kosovës. Prandaj, në ditët në vijim, pres vendimmarrje të përgjegjshme në përputhje të plotë me interesat shtetërore”, tha Presidenti.

Mirëpo, pavarësisht kërkesave të vazhdueshme të SHBA-së që qeveria e Kosovës e kryesuar nga Ramush Haradinaj ta pezullojë taksën ndaj produkteve të Serbisë dhe t'i hapet rruga dialogut, kryeministri Haradinaj nuk e ka ndër mend të lëkundet nga qëndrimi i tij.

Haradinaj tha sot me (01.02) se "taksa është vendosur kundër Rusisë duke u rreshtuar në krahun e SHBA-së”.

"Taksa nuk hiqet deri në njohje të Kosovës nga Serbia, mbajeni mend këtë. Pse duhet të ekzistojë taksa deri në njohje. Nuk është lehtë për mua ta ha mallin e dikujt që m'i ka vra anëtarët e familjes, e as për juve që keni të vrarë apo të zhdukur anëtarë. Në dialog kërkohej që të jepet tokë, si Republikën e Dodikut në Bosnjë, ajo atëherë është Rusi brenda nesh”, tha Ramush Haradinaj në një akademi përkujtimore.

Sipas tij, "Serbia është munduar ta zhbëjë Kosovën, e ka djegur, e ka shkatërruar, ndërsa sot nuk e jep asnjë cent për këtë tokë”, shtoi Haradinaj duke ngritur pyetjen se pse duhet ndërlidhur taksa ndaj produkteve të Serbisë me dialogun ndërmjet dy vendeve për një marrëveshje finale gjithëpërfshirëse.

Njohësi i çështjeve rajonale, Naim Rashiti, nga Instituti për Zhvillimin e Politikave Ballkanike, thotë se klasa politike kosovare duhet të flas me një zë dhe hapur për opcionet dhet e vendeve të zhvilluara.

Kosovo erhöht Einfuhrzölle - Ramush Haradinaj spricht auf der West-Balkankonferenz in Österreich
Fotografi: picture-alliance/AA/A. Kiyagan

"Dialogu me Serbinë duhet të trajohet si proces politik, i cili mund të ketë epilog, por më shumë gjasë edhe mund të mos ketë. Lideret duhet të flasin hapur për opsionet dhe qëndrimet e vendeve kryesore dhe bisedojnë me vete se çka duan nga ky proces. Kryeministri Haradinaj duhet të suspendojë taksën, sepse ka arritur qëllimin, që Amerika të jetë e involvuar dhe tani me SHBA-të janë më të involvuara se kurrë”, shkroi Naim Rashiti.

Presioni i SHBA-së që Kosova ta heqë taksën ndaj produkteve të Serbisë dhe t'i hapë rrugë dialogut dhe qëndrimet e ndara të udhëheqësve politik kosovarë lidhur me këtë çështje, ka lëkundur koalicionin qeveritar ndërmjet PDK-së së Kadri Veselit dhe AAK-së së Ramush Haradinajt.

Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli propozoi që taksa të hiqet për 120 ditë në mënyrë që të reflektojë edhe Serbia nga ana e saj. Mirëpo me këtë nuk po pajtohet partneri i koalicionit Ramush Haradinaj. Ka dy ditë që partnerët e koalicionit po zhvillojnë takime të pandërprera, ndërsa, nuk dihet nëse qeveria Haradnaj mund t'i rezistojë presionit ndërkombëtar për ta hequr taksën ndaj Serbisë. Autoritetet në Beograd nuk pranojnë ta rinisin dialogun me Prishtinën pa hequr taksën ndaj produkteve të tyre. Ministri i jashtëm serb, Ivica Daciq i bëri thirrje bashkësisë ndërkombëtare që të bëjë presion mbi Prishtinën që të hiqet taksa.

"Apelojmë te BE t'i bindin disa aktorë politikë në rajonin e Ballkanit Perëndimor se veprimet e njëanshme nuk janë zgjidhje e problemit, por se është më me rëndësi t'i kthehemi dialogut me Prishtinën, si rrugë e vetme e drejtë e cila duhet të sjellë deri te zgjidhja gjithëpërfshirëse”, citojnë sot mediet në Serbi Ivica Daciqin.