1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Annen: Ushtria e Kosovës të përfshijë edhe serbët

13 Dhjetor 2018

Ministri gjerman i shtetit për punë të jashtme, Niels Annen, thekson në Bundestag se Gjermania nuk e vë në dyshim të drejtën e Kosovës për Ushtri të rregullt.

https://p.dw.com/p/3A31X
Niels Annen
Ministri gjerman i shtetit për punë të jashtme, Niels Annen, SPDFotografi: picture-alliance/dpa/M. Kappeler

Qeveria Gjermane ka ritheksuar qëndrimin e saj ndaj procesit të krijimit të Ushtrisë së Kosovës. Duke iu përgjigjur me shkrim të mërkurën (12.12.18) në Bundestag pyetjes së deputetes së Majtë (Die Linke), Sevim Dağdelen, ministri i shtetit për punë të Jashtme, Niels Annen, (SPD), tha ndër të tjera se "Gjermania e ka njohur Kosovën dhe nuk e vë në pikëpyetje të drejtën parimore të Kosovës për forca të rregullta". Por Annen shtoi gjithashtu  edhe se "qeveria federale është e mendimit, se transformimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës  nuk duhet të jetë i nxituar dhe të vijojë në një proces inkluziv. Këtu hyn sidomos  përfshirja e pakicës serbe të Kosovës dhe konsultimi i ngushtë me partnerët, siç janë NATO dhe shtetet aleate të NATO-s."


Deputetja e së Majtës krahas qëndrimit të Gjermanisë, donte të dinte edhe se sa ishte në dijeni qeveria gjermane se SHBA-ja e ka dhënë pëlqimin e saj për shndërrimin pa ndryshim kushtetute të Forcës së Sigurisë së Kosovës, në një ushtri të rregullt, qysh në fund të shtatorit 2018, pas vizitës së presidentit të Kosovës Hashim Thaçi dhe kryeministrit Ramush Haradinaj në SHBA dhe takimit me ministrin amerikan të mbrojtjes James Mattis nga fundi i shtatorit në Prishtinë. Deputetja e majtë iu referua në pyetjen e saj raportimeve të Deutsche Welles dhe AFP. 

Deutschland Sevim Dagdelen
Deputetja e majtë Sevim DagdelenFotografi: picture alliance / dpa


Annen u përgjigj se më 13 shtator 2018, Ambasada Amerikane në Prishtinë kishte thënë se "momenti i parashtrimit të pakos ligjore për transformimin e FSK-së nuk ishte caktuar në marrëveshje me SHBA-në". Annen tha gjithashtu "se qeveria a gjermane nuk është në dijeni se për çfarë është folur në takimet e bëra nga fundi i shtatorit".  Ai iu referua raportimeve të medias kosovare, sipas të cilave SHBA-të e mbështesnin krijimin e Ushtrisë së Kosovës. 

Parlamenti i Kosovës pritet të miratojë nesër  (14.12.18) pakon ligjore për transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, e paraparë deri tani vetëm për të ndërhyrë në raste katastrofash, në një ushtri të rregullt të armatosur.