Angela Merkel dhe e ardhmja e BE | Evropa | DW | 13.11.2018
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Angela Merkel dhe e ardhmja e BE

Në Europë ekziston frika se dobësimi i fuqisë së Merkelit mund të shkaktojë probleme për komunitetin, sepse Angela Merkel është peshë e rëndë në BE.

E aftë për të vepruar- kjo duket se është aktualish fjala zyrtare aktuale nëse hap veshët të dëgjosh nëpër korridoret ku kalojnë politikanët e BE në Bruksel. Vetëm se nuk duhet vënë në dyshim stabiliteti i qeverisë në Berlin, duket kjo të jetë moto e përfaqësuesve të ndryshëm të institucioneve të BE, kryesisht të Komisionit. Politika e BE, nuk duhet të vuajë prej kësaj, thuhet në Bruksel. Çdo gjë tjetër si më parë, Gjermania duhet të ketë një qeveri stabile dhe një kancelare të aftë për të vepruar. Por, tërheqjen politike të kancelares Merkel, shumë vetë në Europë e shohin si deklarim i humbjes së pushtetit të kryetares më me ndikim të BE-së.

Përtej fjalimit të kancelares gjermane para Parlamentit Europian në Strasburg, gati të gjitha vendet anëtare të BE e lidhin heqjen dorë të Angela Merkelit nga kryesimi i partisë me pyetjen: Çfarë do të thotë për Europën kjo humbje pushteti? Çfarë ndodh me projektet europiane nëse Merkeli humbet pushtetin? Dhe çfarë ndodh nëse Merkeli largohet krejtësisht nga politika europiane?

1. Kuotat e refugjatëve

Bashkimi Europian është duke u përpjekur të arrijë një kompromis për këtë temë. Deri tani nuk është arritur në ndonjë marrëveshje. Përkundrazi, shumë vende të BE-së kundërshtojnë. Angela Merkel është kritikuar ashpër për politikën e saj ndaj refugjatëve, por minutën e fundit ajo mundi të bënte bashkë BE dhe Turqinë për arritjen e një marrëveshje për refugjatët, duke ulur presionin e krijuar për këtë temë. Por kjo marrëveshje e diskutuar shumë politikisht, duhet të vazhdojë të marrë shumicën. Dhe për këtë deri tani ka punuar Angela Merkel me vendet anëtare.

2. Reforma e euros dhe shumë të tjera

Franca ka bërë plane që së bashku me Gjermaninë të gjejë një zgjidhje për sigurimin e euros. Zona e euros duhet të armatoset më mirë kundër krizave. Por, Presidentit francez mund t' i largohet partnerja nga këto plane. Edhe nëse kancelarja nuk e ndjek dëshirën e Emmanuel Macron-it për një buxhet të përbashkët të zonës së euros, atij i duhet ajo që të jetë në gjendje solide politike me mbështetje në fraksionin e kristiandemokratëve në Berlin, për të arritur një Union të përgjithshëm të bankave. Ky pritet të hidhet në letër në takimin e nivelit të lartë të BE-së, që do të mbahet në muajin dhjetor. Komisari francez i BE-së për çështje ekonomike, Pierre Moscovici, ka frikë se grindjet për buxhetin mund të dalin nga binarët nëse nuk është Gjermania që ndërmjetëson.

3. Populizmi në BE

Nuk është e nevojshme fantazia e madhe, për të kuptuar sa shumë do të binte disiplina brenda Bashkimit Europian, për të arritur në një konsensus në takimin e nivelit të lartë, nëse Gjermania nuk do të bënte ndërmjetësimin. Pa kryetaren e fuqishme të qeverisë gjermane, e cila është marrë deri tani me zbutjen e dëmeve në familjen e partive popullore europiane, Hungaria dhe Polonia do të vazhdonin pa u trembur shpërbërjen e shtetit të së drejtës.

Pasi Merkeli njoftoi se do të dorëzojë kryesimin e Partisë Kristiandemokrate, politikani i CDU, Günther Oettinger i mbajti krahun Angela Merkelit. Brukseli do që Merkeli të vazhdojë të qëndrojë kancelare në Berlin edhe tre vjet të tjera. Ajo kontribuon për stabilitet, në një fazë delikate të politikës së BE. Por duke qenë "kancelare që pritet të largohet", ndikimi i saj në Europë mund të bjerë.