1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Çfarë është Këshilli i OKB për të drejtat e njeriut

Charlotte Voß
11 Shtator 2018

Venezuela akuzohet për shkelje të vazhdueshme të të drejtave të njeriut. Tani ministri i Jashtëm Jorge Arreaza, do të mbrojë vendin e tij para Këshillit për të drejtat e njeriut, organizëm i OKB.

https://p.dw.com/p/34dkr
die 37. Sitzung der UN Menschenrechtsrat
Takimi i 37-të i Këshillit për të drejtat e njeriut, organizëm i OKBFotografi: DW/H. Nayebhashem

Venezuela ndodhet prej muajsh në krizë politike dhe ekonomike. Inflacioni i lartë ka shkaktuar varfëri dhe uri, njerëzit largohen nga vendi dhe shkojnë në vendet fqinjë. Opozita ndodhet nën presion dhe shpesh merr kërcënime. Organizatat për të drejtat e njeriut kritikojnë vendin gjithnjë e më shumë. Më 11 shtator ministri i Jashtëm venezueljan Jorge Arreaza, do të mbrojë vendin e tij para Këshillit për të drejtat e njeriut të Kombeve të Bashkuara. Por ky organizëm është duke u kritikuar gjithnjë e më shumë.

Këshilli për të drejtat e njeriut është krijuar në vitin 2006 si organizatë pasuese e Komisionit për të drejtat e njeriut. Në votimin që u bë në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së për krijimin e organizmit, Venezuela nuk e dha votën. Detyra kryesore e organizatës është të koordinojë aktivitetet e Kombeve të Bashkuara që bëhen për të drejtat e njeriut dhe të nxisë bashkëpunimin ndërkombëtar për çështjet e të drejtave të njeriut. Ai ka po ashtu mundësinë për të pranuar ankesa të personave të veçantë, grupeve ose organizatave joqeveritare dhe të zhvillojë mbi këtë bazë hetime për shkeljen e të drejtave të njeriut. Këshilli punon ngushtë me zyrën e Komisarit të Lartë për të drejtat e njeriut (OHCHR), Michele Bachelet. 

Edhe për Gjermaninë u zhvilluan hetime

Schweiz UN-Menschenrechtsrat in Genf - UN-Hochkommissar Said Raad al-Hussein
Said Raad al-Hussein, Ish Komisari i lartë për të drejtat e njeriut i sapolarguar Fotografi: Getty Images/AFP/J.-G. Python

Këshilli përbëhet nga 47 vende anëtare, të cilat ndryshojnë vazhdimisht dhe zgjidhen çdo tre vjet nga Asambleja e Përgjithshme e OKB. Ato zgjidhen sipas rajoneve: Afrika dhe shtetet aziatike të Paqësorit kanë 13 vende, Amerika Latine dhe Karaibet kanë tetë vende. Për Europën Perëndimore janë vënë në dispozicion shtatë vende, shteteve të Europës lindore gjashtë. Organizmi mblidhet tre herë në vit. Të 193 vendet e Kombeve të Bashkuara duhet të kontrollohen rregullisht nga ky organizëm. Standartet që përdoren për kontrollin janë Karta e Kombeve të Bashkuara, Deklarata e Përbashkët e të drejtave të njeriut, si dhe marrëveshje të tjera për të drejtat e njeriut, vendosur nga Kombet e Bashkuara. Gjatë evaluimit secili vend paraqet një raport aktual për zbatimin e detyrimeve të të drejtave të njeriut. Po ashtu anëtarët e tjerë mund të shtrojnë pyetje për çështje të caktuara. Mbas kontrollit jepen direktiva, të cilat nuk janë ligjërisht të detyrueshme. Edhe Gjermania është kontrolluar tashmë nga ky organizëm. Në muajin maj, ai i kërkoi Republikës Federale Gjermane të luftonte më fort racizmin.

Kritika për përbërjen e Këshillit

USA Ankündigung Austritt aus UN-Menschenrechtsrat | Nikki Haley & Mike Pompeo
SHBA njofton largimin nga Këshilli i Lartë i të drejtave të njeriut, Nikki Haley dhe Mike PompeoFotografi: Reuters/T.S. Jordan

Kritikat shkaktohen kryesisht për anëtarësinë e vendeve të caktuara në Këshill, vende që shkelin vetë të drejtat e njeriut. Duke qenë anëtare të Këshillit vende të caktuara mund të pengojnë dhënien e paralajmërimeve kundër tyre për shkeljen e të drejtave të njeriut që mund të bëjnë vetë. Në vitin 2010 në këtë organizëm u zgjodh Libia, një vend që në atë kohë qeverisej në mënyrë autoritare nga Muammar al-Gaddafi. Në vitin 2011, Libia u përjashtua sërish nga Këshilli pas protestave të vazhdueshme në Asamblenë e Përgjithshme të OKB, të grupeve të të drejtave të njeriut. Aktualisht kritikohet anëtarësia e Arabisë Saudite. Por edhe anëtarësia e Kinës dhe Kubës janë të diskutueshme.

Dalja e SHBA

SHBA, e cila votoi më 2006 kundër krijimit të këtij organizmi, doli në qershor të këtij viti nga Këshilli i të drejtave të njeriut. Amerika e akuzon këshillin për "hipokrizi" dhe qëndrim antiizraelit. Kështu për shembull në çdo takim të Këshillit pikë e vazhdueshme e axhendës ditore është i vetmi rajon "Palestina dhe territoret e pushtuara arabe". Vetëm këtë vit u nxorrën pesë rezoluta kundër Izraelit, "më tepër se kundër Koresë së Veriut, Iranit dhe Sirisë," kritikon ambasadorja amerikane në Kombet e Bashkuara, Nikki Haley. Përveç kësaj në Këshill vazhdojnë të zgjidhen shkelës të të drejtave të njeriut. "Regjime çnjerëzore të botës i shpëtojnë në këtë mënyrë kontrollit të saktë", tha Haley. Njëkohësisht SHBA kritikohet për ndarjen në kufirin meksikan të fëmijëve nga prindërit e tyre, që janë imigrantë ilegalë.

Jo "Klub i njerëzve të mirë"

Schweiz - Michelle Bachelet spricht in Genf vor dem Menschenrechtsrat der Vereinten Nationen
Mishelle Bashelet, Komisare e lartë për të drejtat e njeriut morri detyrën më 1 shtator 2018Fotografi: picture-alliance/dpa/KEYSTONE/M. Trezzini

Qeveria gjermane shpreh keqardhjen për largimin e SHBA nga organizmi, dhe kërkon reformimin e Këshillit për të drejtat e njeriut. "Edhe Gjermania e shikon me shqetësim tendencën anti-izraelite në Këshillin për të drejtat e njeriut," tha zëdhënësi Steffen Seibert në muajin qershor. Megjithatë Këshilli duhet të reformohet nga brenda. E ngarkuara me të drejtat e njeriut, Bärbel Kofler, e quajti Këshillin si "gurin e vetëm themelor në rendin ndërkombëtar". Ajo tregon për sukseset, si përshembull procesin e pajtimit në Sri Lanka ose dokumentimin e shkeljeve të rënda të të drejtave të njeriut në Siri. Edhe diplomatët nga Gjeneva e mbrojnë organizmin: Është e rëndësishme që bisedimet të vazhdojnë me të gjitha vendet, sepse me një "klub të njerëzve të mirë", mund të arrihet pak.

Ditën e hënë, më 10 shtator filloi sesioni i 39-të i Këshillit për të drejtat e njeriut, i cili përfundon më 28 shtator. Në të vendet anëtare do të merren jo vetëm me Venezuelën, por edhe me gjendjen në Siri, Burundi dhe Mianmar.