Vritet një grua shtatzënë në oborrin e spitalit të Prishtinës | Ballkani | DW | 01.12.2022
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages
Reklamë

Ballkani

Vritet një grua shtatzënë në oborrin e spitalit të Prishtinës

Në Kosovë është shqetësues fenomeni i dhunës ndaj grave. Vetëm brenda një jave dy gra u vranë në Prishtinë. Të dyshuar janë bashkëshortët e tyre. Të dyja vrasjet ndodhën në kohën e fushatës kundër dhunës ndaj grave.

Një grua 35-vjeçare u vra të mërkurën në mbrëmje në oborrin e Qendrës Klinike Universitare në Prishtinë. Sipas familjarëve të saj, ajo ishte shtatzënë  dhe priste lindjen e një fëmije. Mediet lokale njoftojnë se gruaja është qëlluar për vdekje me armë zjarri nga ish-burri i saj. Policia kumtoi se bashkë me prokurorinë po kryejnë hetime për të zbardhur rrethanat dhe motivet e mundshme të vrasjes. Por deri tani nuk flitet për të arrestuar lidhur me rastin. Prokurori i rastit, Ilaz Beqiri, ka thënë se "për të dyshuarin për vrasjen e shtatzënës, ka disa raste të paraqitura në organet e hetuesisë për dhunë në familje”. Tashmë e vrara kishte një urdhër mbrojtjeje nga gjykata për shkak të dhunës në familje përkatësisht nga ish- bashkëshorti i saj.  

Javën e shkuar, një grua tjetër u vra në gjumë, me sëpatë nga burri i saj. Të dyja vrasjet ndodhën, në kohën kur në Kosovë po mbahet një fushatë 16-ditëshe kundër dhunës ndaj gruas me moton "As edhe një më shumë”.

Vrasja e së mërkurës nxiti reagime në shkallë të gjerë në Kosovë. Presidentja e vendit Vjosa Osmani, tha se "përgjigja për dhunuesit, abuzuesit dhe vrasësit është rendi dhe ligji e dënimi maksimal”. 

Osmani: Stonte po vajtojmë të gjithë

"Sonte vajton një Kosovë e tërë për gruan që s'arriti të bëhet nënë, për bijën e humbur, për jetën që u shua pa të drejtë. Sonte vajtojmë për jetën e palindur që nuk frymoi kurrë, për jetën që nuk erdhi në jetë. Rastet e tilla janë sprovë jo vetëm për shtetin por edhe shoqërinë. E përgjigja për dhunuesit, abuzuesit dhe vrasësit është rendi dhe ligji e dënimi maksimal. Borxhi ynë ndaj viktimave të dhunës, jetëve të palindura e jetëve të ndërprera pa të drejtë është një dhe i vetëm: DREJTËSI!”, shkroi Presidentja. Të papranueshme dhe të padurueshme, e cilësoi këtë vrasje kryeministri i Kosovës Albin Kurti.

"Dy engjëj në qiellin e pistë. Vrasje mizore. U vra edhe një grua. Edhe kjo nga burri i saj. Në oborr të spitalit. Atje ku duhet të shërohen njerëzit. Në oborr të Klinikës Gjinekologjike. Atje ku lindin gratë. U shua një jetë që po sillte edhe një jetë tjetër”, shkroi kryeministri Kurti, duke e cilësuar vrasjen mizore, të pa papranueshme dhe e padurueshme.

Ministrja e drejtësisë Albulena Haxhiu, shkroi se "këto krime të rënda na bëjnë të kuptojmë që femicidi është i përhapur në shoqërinë tone”.

"Rastet si ky na bëjnë të kuptojmë që pavarësisht veprimeve që kemi ndërmarrë, kemi edhe shumë punë për të bërë. Lufta me femicidin mund të jetë e vështirë por nuk guxojmë të humbim shpresat por të bashkohemi si institucione dhe si shoqëri për luftimin e femicidit që po merr jetët e grave”, shkroi ministrja Haxhiu.

Rrjeti i grave: Nuk jemi të sigurtë askund

Rrjeti i grave të Kosovës, (Kosova Women's Network), një organizatë kjo që merret me të drejtat e  grave, tha se "asnjë hapësirë nuk është më e sigurt për gratë”.  "Në gjumë, në përditshmëri, në institucione shëndetësore edhe edukative, hapësira publike  edhe hapësira private, në parqe, rrugë, brenda mureve të shtëpive tona... Asnjë hapësirë nuk është më e sigurt për ne! Në nevojë emergjente për solidarizim me njëra-tjetrën dhe njëri-tjetrin, për ngushëllim e manifestim të dhimbjes sonë kolektive dhe në nevojë për të shprehur mllefin tonë ndaj kësaj dhune sistematike, ku gratë vriten nga burrat, vetëm për shkak që janë gra”, thuhet në reagimin e Kosova Woman's Network, duke ftuar për protesta ditën e enjte.

Sipas të dhënave nga policia e Kosovës, vetëm gjatë periudhës janar-shtator të vitit  2022, janë regjistruar 2.067 raste të dhunës në familje me 2.126 viktima. Në vitin 2021 janë evidentuar 2.456 raste me 2.486 viktima. Ndërsa, gjatë vitit 2020 në Kosovë janë evidentuar 2.069 raste të dhunës në familje, me 2.101 viktima të dhunës. Por këto nuk janë rastet e para, e as të vetme të vrasjes së grave në Kosovë. Sipas organizatës Kosova Woman's Network, në Kosovë, nga viti 2010 janë vrarë 50 gra nga burrat. Vrasja e grave nga burrat është shqetësuese për Organizatën e Kombeve të Bashkuara. Sipas UN Woman, rreth 45.000 gra dhe vajza u vranë nga partnerët e tyre në mbarë botën në 2021. Këto shifra sipas UN Woman, "tregojnë  se bota po dështon të ndalë vrasjet që do të mund të shmangeshin përmes intervenimit të hershëm”. Vrasjet e lidhura me gjininë, FEMICID përkufizohen si manifestimi më brutal dhe ekstrem i dhunës ndaj grave dhe vajzave.

Femicidi

Sipas UN Woman, "femicidi përkufizohet si vrasje e qëllimshme që lidhet me gjininë, që mund të jetë e nxitur nga rolet e stereotipizuara gjinore, diskriminimi ndaj grave dhe vajzave, raportet e pabarabarta të pushtetit midis grave dhe burrave apo normave të dëmshme shoqërore”. Kjo organizatë më 25 nëntor, ka nisur fushatën edhe në Kosovë, "16 ditët e Aktivizmit Kundër Dhunës me Baza Gjinore”. UN Woman ka publikuar përmes një raporti disa gjetje kryesore se pse vriten gratë dhe vajzat: "Gratë dhe vajzat më së shumti ka të ngjarë të vriten nga personat e tyre të afërt. 45.000 gra dhe vajza në mbarë botën u vranë më 2021 nga partnerët e tyre apo nga anëtarët e familjes. Partnerët aktualë dhe ish-partnerët intimë, sipas gjetjeve, janë autorët më të shpeshtë vrasjeve të grave”, thuhet në raport.

Femicidi është problem universal. Sipas raportit të UN Women, më 2021, Azia shënoi numër rekord të vrasjeve të grave nga partnerët e tyre dhe nga anëtarët e familjes, me rreth 17.800 viktima, pasuar nga Afrika me 17.200 viktima, 7.500 viktima u regjistruan në Amerikë, 2.500 në Evropë dhe 300 në Oqeani. Në Gjermani janë vrarë si pasojë e dhunës familjare, 121 persona vetëm gjatë vitit 2021. 109 gra dhe 12 burra.

Shkalla e vërtetë e femicidit ka të ngjarë të jetë shumë më e lartë, prandaj, sipas UN Women, të dhënat e prezantuara janë jashtëzakonisht të larta. Por ato mund të jenë edhe më të larta. "Shumë viktima të femicidit nuk regjistrohen. Gjatë vitit 2021, katër në dhjetë vrasje, viktima ishin gratë dhe vajzat. Nuk ka pasur të dhëna të mjaftueshme për të kuptuar nëse këto vrasje ishin të bazuara me gjininë”, thuhet në raport.

Për të parandaluar femicidin, OKB pohon se mbledhja e të dhënave nga autoritetet është thelbësore, pasi kështu mund të identifikohen gratë dhe vajzat që janë më në rrezik dhe më pas autoritetet mund të krijojnë mekanizma më të mirë të parandalimit dhe të mbrojtjes së viktimave. Sipas OKB-së, vrasja e grave dhe vajzave, por edhe krimet e tjera të lidhura me gjininë mund të parandalohen. Kjo përmes nismave që përqendrohen në transformimin e normave të dëmshme shoqërore dhe të përfshirjes së komunitetit që të ketë zero tolerancë për dhunën ndaj grave. Organizata UN Women po ashtu konstaton se "vlerësimet e rrezikut dhe intervenimet e hershme, por edhe mbikëqyrja policore dhe sistemi gjyqësor mund të parandalojnë krimet ndaj grave dhe vajzave."