Von der Leyen në Ballkan nën hijen e konfliktit Kosovë-Serbi | Ballkani | DW | 29.09.2021
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages
Reklamë

Ballkani

Von der Leyen në Ballkan nën hijen e konfliktit Kosovë-Serbi

Ursula von der Leyen vazhdon turin e saj në Ballkan, pas qëndrimeve në Shqipëri dhe Maqedoninë e Veriut, ajo qëndron të mërkurën në Kosovë e Beograd. Vizita e saj kryhet para samitit BE-Ballkan Perëndimor në Slloveni.

Në sfondin e tensioneve mes Prishtinës dhe Beogradit, presidentja  e Komisionit Europian, (KE), Ursula von der Leyen, po zhvillon turin e saj ballkanik. Ajo u shpreh me shqetësim mbi tensionet aktuale dhe bëri thirrje për dialog dhe zgjidhjen e problemeve në tryeza negociatash. Von der Leyen qëndron të mërkurën në Kosovë dhe Beograd. Ajo takohet në Prishtinë me kryeministrin, Albin Kurti dhe në Beograd me presidentin, Aleksandar Vuçiq.

Presidentja e KE e cilësoi "shumë shqetësuese" situatën në veri të Kosovës. "Rritja e tensioneve Kosovë - Serbi është shqetësuese. Është thelbësore të ulen tensionet dhe t‘i rikthehen dialogut", theksoi ajo në konferencën e shtypit në vizitën e saj disaorëshe në Tiranë të martën (28.09).  Kurse pas takimit me kreun e qeverisë së Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev në Shkup ajo u shpreh se "tani ka rëndësi çtensionimi".

Ursula von der Leyen kujtoi historikun e themelimit të BE si model për Ballkanin. "Edhe BE u ndërtua në bazën e dialogut në fillimet e veta dhe më pas u bazua në zhvillimin ekonomik. Kjo solli mirëkuptim nga të gjitha palët dhe më pas pajtim. Ky është një proces i gjatë, që sjell një të ardhme me paqe dhe begati. Këtë dëshirojmë që të arrijmë”, tha von der Leyen. Mbi konfliktin aktual Kosovë-Serbi u shpreh në konferencën për shtyp me presidenten e KE në Tiranë edhe kryeministri Rama. „Paqja  e shumëkërkuar është e papërfunduar pa zgjidhur njëherë e mirë ꞔështjen e njohjes së Kosovës. „Kjo kërkon durim, dialog dhe krijim të besimit reciprok mes palëve" theksoi ai.

 Ursula von der Leyen, Tirana Albanien

Ursula von der Leyen në Tiranë

Procesi i Berlinit - rol thelbësor

Turi ballkanik i presidentes së Komisionit Europian zhvillohet në prag të samitit  BE-BP, që pritet të zhvillohet në 6 tetor në Slloveni, ku synohet të merren vendime të rëndësishme në lidhje me Procesin e Berlinit. Për von der Leyen Procesi i Berlinit ka rol thelbësor në zhvillimin e bashkëpunimit rajonal dhe krijimin e Tregut të Përbashkët Rajonal. "Nëse shohim ecurinë ekonomike, thellimin e marrëdhënieve dhe Tregun e Përbashkët Rajonal, është Procesi i Berlinit kuadri që ne po përdorim dhe që shtyn përpara procesin e integrimit, ku 6 vendet e BP dhe ekonomitë e tyre përfitojnë,” tha ajo në konferencën e përbashkët për shtyp me kryeministrin Rama.

Ursula von der Leyen i dha një mesazh të fortë Shqipërisë dhe rajonit të martën lidhur me zotimin e Bashkimit Europian ndaj procesit të hyrjes në BE, ku rol kyꞔ luan shpejtësia e Procesit të Berlinit, (PB). "E ardhmja e Shqipërisë është në BE. Shqipëria i ka kryer detyrat. Jemi ne ata që duhet të bëjmë pjesën tonë. I kemi borxh rinisë shqiptare që beson tek e ardhmja europiane. Sa më i shpejtë Procesi i Berlinit, aqë më i shpejtë edhe integrimi në BE. Jap mbështetje të plotë për negociatat sa më shpejt", tha ajo në konferencën e përbashkët për shtyp me kryeministrin Rama të martën.

Presidentja e KE, tha se objektiv i saj është që "deri në fund të këtij viti të mbahet konferenca e parë ndërqeveritare” e vendeve të BE, që hap ditën e gjelbër për fillimin e negociatave të anëtarësimit për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. "Ne (KE) kemi punuar fort për çeljen e konferencës së parë ndërqeveritare. Do të bëjmë gjithçka për të kapërcyer pengesat. Shpresoj shumë që të fillojmë me konferencën e parë ndërqeveritare në fund të këtij viti”, tha Von der Leyen.

EU I Ursula von der Leyen trifft Zoran Zaev

Presidentja e KE, von der Leyen u takua edhe me kryeministrin Zoran Zaev

"Procesi i Berlinit” dhe nisma "Ballkani i Hapur”

Në kontekstin e rëndësisë së Procesit të Berlinit në përgatitjen e rajonit për të hyrë në BE, Presidentja e KE, u shpreh në Shqipëri edhe lidhur me nismën "Ballkani i hapur”, pas pyetjes nga mediat në konferencën e shtypit ."Çfarëdo lloj iniciative, që është brendapërbrenda Procesit të Berlinit apo që sjell bashkëpunimin, mirëpritet prej nesh. Ne nuk duhet të shikojmë me imtësi fjalët, por të shikojmë kontekstin, i cili propozohet, pra, të jetë një proces i hapur, gjithëpërfshirës, i cili i shtyn të gjithë të ecin përpara, i fton të gjithë që të jenë pjesë dhe thellon dhe marrëdhëniet ndërmjet vendeve dhe bashkëpunimin ndërmjet ekonomive të ndryshme të rajonit, që të ketë një integrim të thellë të tyre, sepse kjo në vetvete është pjesë e procesit. Këto iniciativa duhet të jenë gjithëpërfshirëse që të respektojnë objektivin e përbashkët të këtij integrimi gjithnjë e më të fortë të tregut rajonal. Këto iniciativa do të mirëpriten si të tilla, ato duhet të jenë vizionare për të ardhmen, duhet të respektojnë objektivat e përbashkëta dhe kështu do të kenë dhe mbështetjen time të plotë,” tha von der Leyen.

Kryeministri Rama në Tiranë e mbrojti sërish në konferencën e shtypit me Ursula von der Leyen nismën "Open Balkans”, kur tha se "ky proces nuk është një proces i dytë që konkurron me të parin apo aq më pak që bie ndesh me të parin. I vetmi ndryshim është që Procesin e Berlinit e udhëheqin miqtë dhe partnerët tanë që kanë një mijë hallë të tjera dhe nuk zgjohen me mendimin sesi po ecën procesi", tha kryeministri Rama. Ai theksoi se nisma/projekti në fjalë "është vendosur dhe "Ballkani i Hapur” do të realizohet.

Deutschland Westbalkan-Konferenz 2014 Berlin

Takimi i parë në kuadër të Procesit të Berlinit, 28 gusht 2014

BE: 600 euro shtesë për Shqipërinë brenda 2021

Presidentja e KE, Ursula von der Leyen theksoi edhe njëherë mbështetjen e BE për Ballkanin Perëndimor. Me shifra konkrete në Tiranë ajo theksoi mbështetjen që jep BE. BE i ka dhënë Shqipërisë 230 milionë euro grante dhe financime për rimëkëmbjen nga pasojat e pandemisë Covid -19, tha von der Leyen. Por kjo është një rimëkëmbje "që do të zgjasë me vite, solide pasi qytetarët e Shqipërisë dhe sidomos rinia meritojnë një të ardhme të gjelbër dhe më dixhitale. Ata kanë nevojë për vende pune, që janë të mirëpaguara. Ky është në fakt Plani ynë Ekonomik dhe i Investimeve për BP.” Por sipas presidentes së Komisionit Europian, e rëndësishme është "që ju vetë keni bërë propozime për projekte cilësore, solide, të forta që së bashku të sjellim edhe 20 miliardë euro të tjera investime. Deri tani kemi sjellë 500 milionë euro dhe do të propozojnmë një shtesë prej 600 milionë eurosh të tjera për këtë vit,” tha ajo.