Vjosa Osmani dhe Albin Kurti në fushatë elektorale me një listë | Ballkani | DW | 14.01.2021
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages
Reklamë

Ballkani

Vjosa Osmani dhe Albin Kurti në fushatë elektorale me një listë

Lideri i lëvizjes Vetëvendosja Albin Kurti synon postin e kryeministrit, ndërsa, Vjosa Osmani synon postin e presidentes së Kosovës. Osmani aktualisht është u.d. si presidente e Kosovës.

Ushtruesja e detyrës si presidentes së Kosovës Vjosa Osmani iu bashkua garës zgjedhore në një listë me Lëvizjen Vetëvendosja të udhëhequr nga Albin Kurti, për zgjedhjet e përgjithshme që do të mbahen me 14 shkurt. Që të dy synojnë dy postet kryesore të vendit, Albin Kurti kryeministër dhe Vjosa Osmani presidente, ndonëse për këtë të fundit zgjedhja bëhet me vota të deputetëve dhe jo në zgjedhje të drejtpërdrejta për president. Nënshkrimin e marrëveshjes që të konkurojnë në një listë, në listën e Vetëvendosjes, Albin Kurti dhe Vjosa Osmani e bënë në një konferencë të përbashkët për medie në hollin e kuvendit  të Kosovës.

"Osmanin dhe mua do të na gjeni në të njëjtin vend dhe me të njëjtin qëllim. Kemi bërë marrëveshjen e synimeve për një shtet me drejtësi dhe pa korrupsion. Për një shoqëri me shëndet e arsim. Në fushatën zgjedhore do të jemi bashkë. Të shtunën e 6 janarit e dorëzojmë listën e kandidatëve për deputet”, tha Albin Kurti, duke shtuar se ai "do të jetë kandidat për kryeministër dhe ushtruesja e detyrës së presidentes Vjosa Osmani, do të riligjitimohet në këtë pozitë”.

U.d. si presidente, Vjosa Osmani që tashmë zyrtarisht është në listën e lëvizjes Vetëvendosja,  tha se "marrëveshja që është arritur sot e përfaqëson vullnetin e qytetarëve” dhe shtoi se bashkimi i tyre shkon përtej një liste.

"Ne jemi të vendosur për të luftuar kundër krimit të organizuar e korrupsionit. Jemi të vendosur për të mbrojtur kushtetutën e vendit. Jemi të vendosur për një Kosovë që secili mund të sigurojë një jetë të dinjitetshme. Kosova ka nevojë për një kryeministër që nuk do t'i mbyllë sytë përballë padrejtësive”, tha Vjosa Osmani.

Vjosa Osmani në zgjedhjet e vitit 2019 ishte Kandidate e LDK-së për kryeministre. Pas fitores së lëvizjes Vetëvendosja, ku kryeministër u zgjodh Albin Kurti, Vjosa Osmani mori postin e kryetares së Kuvendit të Kosovës. Më pas qeveria Kurti u shkarkua me një mocion të LDK-së. Vjosa Osmani ishte kundër prishjes së këtij koalicioni dhe që nga ajo kohë, ajo ndau rrugët me partinë e saj të vjetër LDK. Në korrik të vitit 2020 Osmani u shkarkua edhe nga postet udhëheqëse në LDK. Partitë e tjera që tashmë do të garojnë në zgjedhje, ende nuk kanë publikuar listat e tyre, ndonëse kandidatët për kryeministra janë bërë publik. Lidhja Demokratike e Kosovës, për kryeministër konkuron me Avdullah Hotin, i cili aktualisht është kryeministër në detyrë. Partia Demokratike e Kosovës, PDK, garon me kandidatin Enver Hoxhaj dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, nuk ka kandidat për kryeministë, pasi Ramush Haradinaj, synon postin e presidentit të vendit.