1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW
Media

Të ndalet gjuha denigruese ndaj gazetarëve në Kosovë

Bekim Shehu
11 Shkurt 2022

Disa organizata evropiane që angazhohen për mbrojtjen e mediave kritikojnë njëzëri mesazhet e ditëve të fundit kundër gazetarëve dhe reporterëve nga disa politikanë e zyrtarë në rrjetet sociale në Kosovë.

https://p.dw.com/p/46s1T
Kosovo | Stadtansichten aus Pristina
Fotografi: DW/V. Çerkini

Federata Evropiane e Gazetarëve, Qendra Evropiane për Liri të Medieve dhe shumë organizata të tjera që angazhohen për mbrojtjen e gazetarëve, i dërguan një letër presidentes Osmani dhe kryeministrit Kurti, ku kërkuan nga institucionet e Kosovës që të ndalojnë gjuhën diskredituese dhe denigruese ndaj gazetarëve. Kjo letër erdhi në Kosovë pas reagimit të Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, i cili u shpreh i "alarmuar me gjuhën denigruese që Zotëria i Parë i Kosovës, Prindon Sadriu, (bashkëshort i presidentes Osmani), ka përdorur ndaj gazetarëve dhe mediave në Kosovë duke i quajtur ato 'ndërmarrje të përbashkëta kriminale'. Reagimi pasoi një postim në facebook, të zotit Sadriu, i cili është edhe i ngarkuar me punë në ambasadën e Kosovës në Shkup, kundër shkrimeve në disa media lokale rreth shpenzimeve të udhëtimit të presidentes Vjosa Osmani, në kohën kur ajo ishte deputete në parlamentin e Kosovës.

 Berlin | DW-Interview | Präsidentin Vjosa Osmani
Letër e hapur e disa organizatave për presidenten Vjosa OsmaniFotografi: DW

T'i jepet fund gjuhës diskredituese

"Ne u bëjmë thirrje që t'i jepet fund menjëherë gjuhës diskredituese dhe denigruese ndaj publikimeve mediatike nga zyrtarët dhe individët e lidhur me partinë në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, Zyrën e presidentit dhe institucionet e tjera të nivelit të lartë”, thuhet në letrën e publikuar nga Qendra Evropiane për Liri të Mediave. Në këtë letër, thuhet se "në ditët e fundit, në rrjetet sociale ka pasur mesazhe nga politikanët dhe zyrtarët që kanë nxitur publikun kundër gazetarëve dhe reporterëve”.

Mund të rrezikohet siguria e gazetarëve

Qendra Evropiane për Liri të Medieve vazhdon, se komentet kanë rezultuar efektivisht në një mori abuzimesh në internet nga mbështetësit e Lëvizjes Vetëvendosje, duke shënjestruar gazetarët dhe aktivistët kritikë të pavarur, veçanërisht gratë. "Për më tepër, përdorimi i termave të tillë si ‘ndërmarrje e përbashkët kriminale', kemi frikë se mund të ndikojë negativisht edhe në sigurinë fizike të gazetarëve, duke denigruar profesionin dhe duke kontribuar në një klimë armiqësore”, thuhet në letër.

Organizatat ndërkombëtare theksojnë, se përdorimi i gjuhës denigruese ndaj medieve nga  aktivistët politikë, është i rrezikshëm edhe për sigurinë fizike të gazetarëve. "Ne jemi të shqetësuar se kjo strategji e nxitjes së publikut kundër mediave dhe aktivistëve të pavarur është e rrezikshme për sigurinë fizike të gazetarëve dhe ka një efekt që minon vlerat demokratike. Sidomos duke pasur parasysh ambiciet e Kosovës për t'iu bashkuar Këshillit të Evropës dhe Bashkimit Evropian, ne besojmë se është e një rëndësie të madhe që politikanët, përfaqësuesit e partive politike dhe figurat publike të respektojnë lirinë e mediave dhe të ndihmojnë në krijimin e një mjedisi të favorshëm për lirinë e medias dhe sigurinë e gazetarëve”, u tha në letrën drejtuar presidentes Osmani dhe kryeministrit Kurti.

Reagim i europarlamentares, Viola von Cramon

Edhe raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon iu bashkua reagimie. "Media e lirë është një nga shtyllat themelore të demokracisë dhe gazetarët duhet të kenë lirinë e tyre për t'u shprehur pa frikë”, shprehet von Cramon duke shtuar, se është "duke vëzhguar nga afër fushatën e organizuar denigruese kundër gazetarëve në Kosovë për të kuptuar plotësisht ngjarjet e fundit”.

Pas të gjitha këtyre reagimeve, Prindon Sadriu, zotëria i parë shkroi në një postim të dytë më të gjatë në facebook se postimi i parë i tij është "devijuar qëllimshëm nga disa", duke theksuar se "respekti dhe mirënjohja ime për punën e mediave dhe gazetarëve profesionist ka qenë dhe do të jetë gjithmonë e pa rezervë”.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës iu bëri thirrje edhe gazetarëve që "t'i përmbahen kodit etik" gjatë raportimit, duke theksuar se "roli i medias në demokracinë e re të Kosovës është esencial për ofrimin e informatave kredibile dhe të paanshme për qytetarët e vendit, në interes të publikut".

EU-Parlament Viola von Cramon Die Grünen
Viola von CramonFotografi: DW

Shantazhe, fyerje e kërcënime ndaj gazetarëve në Kosovë

Letra që iu dërgua presidentes Osmani dhe kryeministrit Kurti, ku u kërkua nga institucionet e Kosovës që të ndalojnë gjuhën diskredituese dhe denigruese ndaj gazetarëve, është nënshkruar nga Qendra Evropiane për Lirinë e Shtypit dhe Medias, Federata Evropiane e Gazetarëve, Indeksi mbi Censurën, Instituti Ndërkombëtar i Medias, Rrjeti i SafeJournalists (ku bëjnë pjesë shoqatat e gazetarëve nga Ballkani dhe dhe fondacioni Daphne Caruana Galizia.

Në raportin e fundit për të drejtat e njeriut të Human Rights Watch, që u publikua në janar të vitit 2022, u tha ndër të tjera se gazetarët në Kosovë janë në shënjestër të sulmeve, kërcënimeve dhe frikësimit dhe se autorët e sulmeve ndaj gazetarëve rrallë janë mbajtur përgjegjës.

"Në periudhën janar-shtator, Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka regjistruar 18 raste të kërcënimeve, frikësimit dhe dhunës ndaj gazetarëve dhe mediave. Të paktën nëntë raste kanë qenë nën hetime në kohën e shkrimit [të raportit], por hetimet dhe ndjekjet penale kanë qenë të ngadalta”, u tha në raportin e Human Rights Watch.